Shumica e të rinjve nuk orientohen si duhet në tregun e punës, duke zgjedhur të studiojnë në ato programe studimi të cilat nuk ofrojnë vende të lira pune. Për shkak të hendekut të madh të krijuar mes arsimimit dhe nevojave që ka realisht tregu i punës, sipas ekspertëve të punësimit nevojitet një këshillim karriere parauniversitar. Krenar Myrteza, specialist i burimeve njerëzore në qytetin e Korçës, thotë se shumë prej programeve që janë të preferuarat e maturantëve për të ndjekur studimet e larta nuk kanë treg pune. Kjo sjell më pas rritjen e papunësisë tek të rinjtë.
Specialisti Myrteza, shton më tej se kjo situatë vjen edhe për shkak se pjesa më e madhe e maturantëve nuk preferojnë shkollat profesionale, në një kohë kur mungesa e forcës punëtore në profesione të veçanta është kthyer në një fenomen shqetësues. Sipas tij ka mjaft vende vakante pune në disa sektorë, por mungojnë personat kualifikuar.
Nisur nga kjo situatë Ministria e Arsimit dhe Sportit do të ofrojë që prej fillimit të këtij viti Shërbimin për Këshillimin e Karrierës që në klasën e 9-të në të gjitha shkollat e vendit. Për specialistin Myrteza, nevojiten disa vite për të parë efektet pozitive të kësaj nisme, për më tepër në një kohë kur tregu i punës pëson ndryshime të shpejta.
Kjo nismë e ministrisë synon të orientojë nxënësit që të marrin vendimet e duhura kur zgjedhin mes arsimit të përgjithshëm dhe arsimit profesional, bazuar në përgatitjen e tyre, preferencat dhe kërkesat e tregut të punës, me qëllim menaxhimin e karrierës së tyre në të ardhmen.



- “E rëndësishme të mos preket Reforma në Drejtësi”, Gonzato flet për nismën e PS kundër pezullimit të ministrave - 18/02/2026
- LIVE NGA HAGA! “Jam i pafajshëm”, Thaçi: Isha student kur iu bashkova luftës, fund mund t’i jepte vetëm NATO - 18/02/2026
- Pse Kosova nuk ka politika ekonomike afatgjata, zhvillimi ekonomik nuk bëhet nga politikanët - 06/02/2026