Spanja ka qenë një ndër zërat më të fuqishëm në Europë në mbështetje të zgjerimit të tregtisë me Kinën dhe të trajtimit të këtij vendi si aleat strategjik, e jo si një rival i rrezikshëm ekonomik dhe gjeopolitik.
Kryeministri spanjoll Pedro mbërriti në Pekin për vizitën e tij të katërt në katër vitet e fundit, ku e paraqiti Spanjën si një urë lidhëse mes Kinës dhe Bashkimit Europian, në një kohë kur marrëdhëniet e Evropës me SHBA janë tensionuar.
“Është në interes të Spanjës dhe Europës të forcojmë lidhjet me Kinën. Ka nevojë për reforma në sistemin shumëpalësh global dhe njohjen e realitetit multipolar të botës. Mirëpres po kështu rolin e Kinës në përpjekjet për të zgjidhur konfliktin në Lindjen e Mesme. Ajo mund të luajë një rol të rëndësishëm për të gjetur mjete diplomatike që të përfundojnë këtë luftë dhe të kontribuojnë në stabilitet dhe paqe”, tha Pedro Sanchez-kryeministër i Spanjës.
“Nuk duhet lejuar kthimi te ligji i xhunglës. Situata globale sot karakterizohet nga kaosi dhe rënia e rendit ndërkombëtar. Lidhjet më të thella midis Kinës dhe Spanjës i shërbejnë interesave të të dy vendeve“, deklaroi Xi Jinping.
Vizita ka për fokus përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik me ekonominë e dytë më të madhe në botë. Sanchez e përshkroi tregtinë midis Kinës dhe Spanjës si të pabarabartë dhe të paqëndrueshme në afat të gjatë, pasi deficit tregtar që përfaqëson 74% të deficitit total të Spanjës arriti pothuajse 50 miliardë dollarë në 2025.
Pas bisedimeve të fundit, u arritën marrëveshje për zgjerimin e aksesit të produkteve bujqësore spanjolle në Kinë dhe mbështetje për zhvillimin e sektorëve të transportit dhe infrastrukturës. Sanchez theksoi nevojën për një ekonomi më të ekuilibruar dhe globalizuar që gjeneron begati të përbashkët dhe për një rend multipolar të bazuar në respekt dhe pragmatizëm.
Spanja synon të forcojë marrëdhëniet politike dhe ekonomike me Pekinin, veçanërisht për shkak të tensioneve me SHBA lidhur me qëndrimin ndaj konfliktit në Iran.
Përpjekjet për të rritur tregtinë me Kinën vijnë pasi administrata Trump kërcënoi ndërprerjen e tregtisë me Spanjën,në vazhdën e refuzimit të Madridit për t’i lejuar SHBA-së përdorimin e bazave spanjolle për sulme kundër Iranit.
- Leonardo da Vinci, gjeniu që e shndërroi artin në instrument për të depërtuar në sekretet e krijimit - 15/04/2026
- Dosja “Partizani”, GJKKO pranon kërkesën e Berishës dhe Malltezit për thirrjen e Ramës si dëshmitar - 15/04/2026
- Gegnishtja, gjuha e ndaluar që Marjana Koçeku kthen në Kuvend si një betejë për dinjitet, identitet dhe qëndresë - 15/04/2026