7.5 C
Tirana
26 / 12 / 2024

Sot festa e Krishtlindjes, imzot Dodaj: Të edukojmë brezat e rinj te shpresa

Sot të gjithë besimtarët katolikë festojnë Krishtlindjen në Shqipëri, por dhe në mbarë botën.

Mesnatën e 24 dhjetorit, besimtarët ndoqën meshën e shenjtë, që simbolizon pikërisht lindjen e Jezu Krishtit.

Mesha në Katedralen e Shën Palit në kryeqytet u drejtua nga kreu i Kryedioqezës Mitropolitane Tiranë–Durrës, Arjan Dodaj.

Në çdo stinë njeriu pa Zot fatkeqësisht është në dimër.

Shpresa është lajtmotivi i këtij viti jubilar, është motra e vogël e tri virtyteve teologale. Shpeshherë flasim për fenë e bëjmë mirë. Flasim për dashuri e bëjmë akoma më mirë. Por si mund të kultivojmë fenë e dashurinë kur nuk kemi shpresë.

Nuk kemi më shpresë se do të ndryshojë diçka. Nuk kemi më shpresë se do të ndryshosh ti, do të ndryshoj unë. Nuk kemi më shpresë se kemi të ardhme, e atëherë ç’ia vlen të kemi shpresë edhe në Zot, ç’ia vlen të kemi dashuri midis nesh kur nuk kemi shpresë?

Kemi nevojë atëherë të edukojmë brezat e rinj te shpresa, sepse janë shumë të shpërqendruar nga gjërat e kota e nuk dinë të shohin më gjërat e bukura. Kush nuk ka shpresë nuk ka familje. Kush nuk ka shpresë nuk jeton në rrjet, nuk është online me dashurinë, fenë, me Zotin.

Ne shpeshherë e hapim edhe xhepin, por kemi harruar ku kemi zemrën. Sa bukur atëherë që këtë natë të dalim me shpresën, por edhe me zemrën.

Jezus, bëj që drita e kësaj nate të shndrisë si ditë dhe të shpaloset në të ardhmen për brezat e rinj të popullit shqiptar, për të moshuarit që kërkojnë një mbështetje më të madhe që të kenë frytin e sakrificës, mundit dhe vuajtjes që kanë kaluar për shumë dekada, veçanërisht për ato dekada që u kanë vjedhur rininë, si ato të diktaturës, që t’i shpalosë mbarë njerëzimit udhën për hapat e jetës dhe vëllazërisë,” tha Dodaj.

Mesha u mbajtën në disa qytete të vendit, ku morën pjesë mijëra besimtarë.

Festa sot vijon me drekën e Krishlindjeve që bashkon të gjithë anëtarët e familjes.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x