35.6 C
Tirana
04 / 09 / 2026

Si ndodhi sulmi në dasmën iraniane? Municioni amerikan goditi çatinë e banesës dhe…

Një shpërthim gjatë një ceremonie martese në jug të Iranit ka vrarë katër persona dhe ka plagosur të paktën 68 të tjerë. Ekspertë të armëve që kanë analizuar pamjet e verifikuara nga Reuters thonë se shpërthimi ka shumë gjasa të jetë shkaktuar nga një goditje direkte e një arme amerikane.

Ngjarja ndodhi të martën në qytetin e vogël Kuhestak, ku dhjetëra persona ishin mbledhur në një banesë për të festuar një martesë. Sipas analizës së pamjeve, municioni duket se ka goditur drejtpërdrejt çatinë e banesës, duke shkaktuar dëme të mëdha. Katër ekspertë ushtarakë shqyrtuan fotografitë dhe videot e incidentit. Tre prej tyre thanë se arma kishte shumë gjasa të ishte amerikane dhe jo një raketë iraniane e mbrojtjes ajrore.

Ekspertët thanë gjithashtu se dëmet nuk duket të jenë shkaktuar nga një raketë që kishte goditur fillimisht një objekt tjetër dhe më pas kishte devijuar. Gareth Collett, ish-gjeneral brigade i ushtrisë britanike dhe ekspert në eksplozivë, tha se provat tregojnë më shumë drejt përdorimit të një bombe amerikane të hedhur nga ajri. Sipas tij, edhe sistemet më moderne të drejtimit mund të gabojnë. Incidenti ka rritur shqetësimet për numrin e civilëve të prekur nga lufta mes SHBA-së dhe Iranit.

Ushtria amerikane kishte njoftuar se më 1 shtator kishte kryer disa sulme në jug të Iranit, duke goditur objekte të Gardës Revolucionare, sisteme radarësh dhe qendra komunikimi. Dy zyrtarë amerikanë thanë se ushtria kishte kryer sulme edhe në zonën e Kuhestakut, duke synuar një kullë komunikimi. Kulla ndodhej rreth 135 metra larg banesës ku po zhvillohej dasma.

Sipas mediave iraniane, kulla u godit rreth orës 21:30, ndërsa në të njëjtën kohë ndodhi edhe shpërthimi në banesën ku po zhvillohej ceremonia. Zyrtarët amerikanë thanë se po shqyrtohen disa mundësi për atë që shkaktoi viktimat, përfshirë mundësinë e një goditjeje amerikane ose të një rakete iraniane që mund të ketë devijuar. Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance tha të enjten se SHBA-ja po heton incidentin.

“Po e hetojmë sepse, natyrisht, na intereson të dimë se çfarë ka ndodhur”, tha Vance gjatë një konference në Shtëpinë e Bardhë.

Mes katër personave të vrarë ishin tre pjesëmarrës në dasmë: Kolsoom Mollahi Najhandania, 43 vjeç, Zarkhatoon Taheri, 50 vjeç, dhe Amir Mohammad Karimi, vetëm 4 vjeç. Viktima e katërt, 16-vjeçari Mohammad Mallahi, u vra ndërsa po udhëtonte me motor pranë kullës së komunikimit.

Ekspertët që shqyrtuan pamjet thanë se dëmet në banesë ishin në përputhje me një shpërthim të shkaktuar nga një municion që kishte goditur çatinë ose kishte shpërthyer menjëherë mbi të. Një tjetër ekspert, Sebastian Schutte nga Instituti i Kërkimeve për Paqen në Oslo, tha se mënyra e goditjes nuk përputhej me atë që pritej nga një raketë e mbrojtjes ajrore.

Në mediat iraniane janë publikuar edhe pamje të disa mbetjeve të armëve. Një ekspert identifikoi disa prej tyre si pjesë të një arme amerikane të tipit JSOW, por Reuters nuk ka mundur të konfirmojë nëse këto mbetje i përkasin sulmit ndaj banesës.

Banorët thanë se pas shpërthimit shumë persona u dërguan me urgjencë për trajtim dhe se autoritetet lokale u kërkuan dëshmitarëve të mos flisnin me mediat e huaja. Të enjten, banorët e Kuhestakut zhvilluan ceremoninë mortore për viktimat. Qindra njerëz morën pjesë në kortezh, ndërsa familjarët dhe të afërmit përcollën për në banesën e fundit katër viktimat. Një dëshmitar tha se qyteti është ende në gjendje shoku dhe se njerëzit po përballen me një situatë të rëndë pas sulmit.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x