Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka pritur në një takim në zyrën e tij krerët e komuniteteve fetare, në një moment të rëndësishëm, siç u shpreh ai “në mbyllje të një viti dhe në prag të vitit të ri 2024.”
Bukë, kripë e zemër, siç janë traditat shqiptare, ishin motivet që shoqëruan këtë takim që vjen në frymën e harmonisë dhe bashkëpunimit mes institucioneve.
“Në qoftë se ka një fjalë shumë të bukur për mikpritjen se kisha qejf me nda me ju është ajo bukë e kripë e zemër. Shenjë simbolike mendova që kështu bashkë mund të ndajmë këtë edhe si ogur të mirë për qytetin edhe si mbarësi, për qytetin dhe për vitin e ri që vjen.
Besoj se e kemi detyrë dhe kënaqësi për ta vazhduar këtë vlerë të harmonisë. Kemi qenë në të mira dhe në ditët më të lavdishëm të Shkodrës edhe në ditët e errëta të diktaturës, kemi qenë me njëri tjetrin bashkë. Kemi qenë në festa e kemi qenë në ngushëllime.
E kemi qenë me njëri tjetrin me besim dhe mbështetje për të ecur përpara, për mos të humbur besim dhe për të vazhduar. E shoh edhe si detyrë dhe jam gëzuar që sot jemi bashkë të gjithë, ndoshta dhe si mesazh i bashkëpunimit për t’i çuar gjërat përpara”,- u shpreh Beci.