Një paketë financiare prej 250 milionë eurosh do të vihet në dispozicion të sipërmarrjeve shqiptare për të lehtësuar marrjen e kredive dhe për të rritur investimet në sektorët me vlerë të shtuar.
Gjatë Prezantimit të Programit Kombëtar për Integrimin në BE, Ministrja Delina Ibrahimaj deklaroi se kjo mbështetje vjen paralelisht me një sërë reformash që synojnë zgjerimin e aksesit në financa, duke e pozicionuar biznesin në qendër të procesit të integrimit europian.
Qeveria shqiptare, në bashkëpunim me komunitetin e biznesit, ka prezantuar Programin Kombëtar për Përgatitjen e Biznesit për Integrimin në Bashkimin Europian, me qëllim përafrimin e sipërmarrjeve vendase me standardet e Tregut Unik. Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja Ibrahimaj theksuan se ky program do të shtrihet në çdo sektor të ekonomisë, duke pasur si mision kryesor maksimizimin e fitimeve dhe minimizimin e kostove për bizneset gjatë këtij procesi tranzicioni.
“Është detyra jonë kryesore dhe më e rëndësishme që ne të maksimizojmë sa më shumë fitimet dhe të minimizojmë kostot. Ky program e vendos biznesin në qendër të procesit të integrimit. Investimet e huaja po rriten dhe po drejtohen drejt sektorëve me vlerë të shtuar më të lartë. Paralelisht ne jemi duke marrë një sërë reformash për mbështetjen e biznesit. Kemi zgjeruar aksesin në financa. 250 milionë eurosh për bizneset, që do i lejojë çdo biznesi që të marrë kredi”, tha Ibrahimaj.
Shqipëria do të ngrejë ekipin “Team Albania”, një strukturë e dedikuar që do të ndihmojë bizneset të përmbushin objektivat e integrimit europian.
Sipas formatit të ri të prezantuar në Programin Kombëtar, ky ekip do të shërbejë si urë lidhëse për të çuar mbështetjen e targetuar dhe informacionin e duhur në çdo sektor të ekonomisë shqiptare.
“Ne do të mund të hartojmë një program që do të mund të mbështesë ekonominë. Pasi ne të kemi marrë të gjithë informacionin e duhur mbi gjendjen e biznesit do të nisim me mbështetjen e biznesit. Qëllimi nuk është vetëm që bizneset të respektojnë standardet e BE. Ne duam që të ndërtojmë ekipin “Team Albania”, të cilët do të përmbushin objektivat e programit të bizneset. Një program që do të shkojë në çdo sektor të ekonomisë shqiptare.”
- “Kundërshtarëve të mi”, Rama poston vjershën e Dritëro Agollit: Ju aq baltë po hidhni mbi mua… - 06/07/2026
- ‘U kalua vija e kuqe’/ UEFA reagon ashpër për pezullimin e skualifikimit të Balogun - 06/07/2026
- Ambasadori i Gjermanisë, ‘shuplakë’ protestuesve në Tiranë: Dhuna nuk është në përputhje me vlerat e BE - 06/07/2026