Administrata e presidentit amerikan Donald Trump duket se po përgatitet të ndërmarrë një tjetër hap të fortë kundër Kubës, duke synuar ngritjen e akuzave penale ndaj ish-presidentit kubanez Raul Castro për incidentin e vitit 1996, kur avionët luftarakë kubanë rrëzuan dy avionë të organizatës kubano-amerikane “Brothers to the Rescue”.
Sipas raportimeve të Reuters dhe Associated Press, Departamenti Amerikan i Drejtësisë pritet të shpallë padinë ndaj liderit 94-vjeçar, ndërsa mediat amerikane raportojnë se lëvizja mund të konkretizohet brenda ditëve të ardhshme.
Ngjarja për të cilën pritet të akuzohet Castro lidhet me rrëzimin e dy avionëve të organizatës “Brothers to the Rescue”, me bazë në Miami. Organizata kryente fluturime pranë dhe mbi Havana, duke hedhur fletëpalosje kundër qeverisë kubaneze. Autoritetet kubaneze e konsideronin grupin një organizatë paraushtarake dhe terroriste, duke paralajmëruar vazhdimisht SHBA-të për shkeljen e hapësirës ajrore kubaneze dhe rrezikun e përshkallëzimit.
Në vitin 1996, Kuba rrëzoi dy prej avionëve mbi ujëra ndërkombëtare. Në atë kohë, Raul Castro drejtonte ushtrinë kubane dhe konsiderohej një nga figurat më të fuqishme të regjimit të vëllait të tij, Fidel Castro.
Lëvizja e administratës Trump vjen në një moment kritik për Kubën, e cila po përballet me një krizë të rëndë ekonomike dhe energjetike. Sanksionet amerikane, bllokada e karburantit dhe mungesat e energjisë kanë sjellë ndërprerje të energjisë elektrike që në disa raste zgjasin më shumë se 20 orë në ditë. Ministri kubanez i Energjisë ka pranuar se vendi ka mbetur pa rezerva të mjaftueshme nafte dhe karburanti, ndërsa mijëra operacione mjekësore dhe shërbime të tjera janë vonuar për shkak të krizës.
Analistët e shohin padinë e mundshme si pjesë të një strategjie më të gjerë të Trump për të rritur presionin ndaj Havanës dhe për të nxitur ndryshimin e regjimit komunist në ishull.
Ish-ambasadori kanadez në Kubë, Mark Entwistle, i cili ndodhej në Havana gjatë incidentit të vitit 1996, deklaroi se akuza ndaj Raul Castros duket më shumë si një “mjet menaxhimi politik” sesa si një përgatitje për ndërhyrje ushtarake.
Megjithatë, ai paralajmëroi se nën administratën Trump “asgjë nuk mund të përjashtohet”. Sipas tij, presidenti amerikan ka nevojë për një sukses në politikën e jashtme, sidomos në një kohë kur situata me Iranin nuk po shkon sipas pritshmërive të Uashingtonit.
Entwistle tha gjithashtu se inteligjenca amerikane prej vitesh ka gabuar në vlerësimin e rezistencës së Kubës, duke besuar se regjimi do të shembej nën presionin ekonomik, gjë që nuk ka ndodhur. “Kubanezët janë jashtëzakonisht elastikë”, u shpreh ai.
Profesori dhe eksperti i Amerikës Latine John Kirk e cilësoi qasjen e Trump si një politikë “vdekjeje me një mijë prerje”, ku përmes sanksioneve ekonomike, krizës së karburantit dhe presionit diplomatik synohet dobësimi gradual i qeverisë kubaneze dhe nxitja e pakënaqësisë popullore.
Sipas tij, sekretari amerikan i shtetit Marco Rubio, prindërit e të cilit janë emigrantë kubanezë, ka luajtur rol kyç në forcimin e linjës së ashpër kundër regjimit të Castros. Kirk argumenton se e gjithë karriera politike e Rubio-s është ndërtuar mbi retorikën anti-Castro dhe se ai po shtyn administratën Trump drejt një përballjeje më të fortë me Havanën.
Analisti politik Alejandro Magos e konsideron padinë ndaj Raul Castros një akt simbolik me peshë të madhe politike. Sipas tij, SHBA-të nuk mund ta “sjellin në gjykatë” Fidel Castron, por mund të përdorin vëllain e tij si simbol të “fitores së shumëpritur” ndaj regjimit kubanez.
Magos thekson se Trump kërkon t’u tregojë votuesve amerikanë, veçanërisht para zgjedhjeve të mesmandatit, se administrata e tij po arrin aty ku presidentët e mëparshëm kanë dështuar: dobësimin dhe izolimin e regjimit komunist kubanez.
Në të njëjtën kohë, drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, zhvilloi së fundmi takime me zyrtarë kubanezë në Havana, në një sinjal se Uashingtoni po përdor paralelisht presionin diplomatik, politik dhe ligjor ndaj ishullit.
Vetë Trump ka qenë i drejtpërdrejtë në deklaratat e tij, duke e quajtur Kubën një “komb në dështim” dhe duke sugjeruar se SHBA-të mund të ndërmarrin hapa më të fortë pasi të mbyllen tensionet në Lindjen e Mesme.
Analistët besojnë se mesazhi i administratës amerikane është i qartë: SHBA-të duan të tregojnë se epoka e lëvizjeve revolucionare anti-amerikane në Amerikën Latine duhet të marrë fund dhe se “Amerika është kthyer” si forcë dominante në rajon.
- LIVE Freiburg-Aston Villa/ Dy supergola në pak minuta, anglezët marrin në dorë finalen e Stambollit (Video) - 20/05/2026
- Trump: Netanyahu do të bëjë çfarëdo që unë t’i kërkoj! Mund të kandidoj për kryeministër në Izrael - 20/05/2026
- Front i bashkuar kundër SHBA, Putin dhe Jinping kritikojnë Trump: Po kthehemi në ligjin e xhunglës - 20/05/2026
