SHBA ka mohuar mundësinë për të nisur një dialog në një të ardhme të afërt me Rusinë. Zëdhënësi i DASH Ned Price tha për mediat se në takimin mes sekretarit amerikan të shtetit Antony Blinken dhe ministrit të Jashtëm rus Sergey Lavrov nuk pati asnjë progres, apo marrëveshje.
Ndonëse u duk se u thye akulli në marrëdhëniet SHBA-Rusi pas takimit të shkurtër që sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken zhvilloi në Nju Delhi me ministrin e Jashtëm rus Sergey Lavrov, përmes zëdhënësit Ned Price Departamenti i Shtetit bëri të ditur se nuk presin dialog zyrtar të nivelit të lartë me Rusinë në një të ardhme të afërt.
”Kjo gjë nuk do të ndodhë. “Nuk pati asnjë marrëveshje apo konsensus nga ai takim i shkurtër për ndonjë lloj diskutimi pasues. Ata folën për rreth 10 minuta, por nuk pati asnjë shenjë progresi dhe konferenca vetë u mbyll me grupin që nuk arriti pajtim mbi luftën e Ukrainës”, tha Ned Price.
Gjatë takimit në New Delhi, ku po zhvillohet samiti i G20, Blinken i tha Lavrov që Rusia duhet t’i jepte fund luftës në Ukrainë dhe i kërkoi Moskës ta anullonte vendimin për t’u tërhequr nga traktati për kontrollin e armëve bërthamore, START, tha një zyrtar i lartë amerikan.
Ministria e Jashtme ruse tha se zoti Lavrov dhe zoti Blinken biseduan për këtë çështje për më pak se 10 minuta në fund të seancës me dyer të mbyllura dhe nuk u angazhuan në asnjë lloj negociatash, njoftuan agjencitë ruse të lajmeve.
Sekretari i Shtetit Blinken tha më vonë në një konferencë shtypi se i kishte thënë zotit Lavrov që të angazhohej në gjetjen e zgjidhjeve diplomatike gjatë takimit të tyre të paplanifikuar në Indi.