14.5 C
Tirana
28 / 04 / 2026

Sfida për dominimin e Inteligjencës Artificiale, Sam Altman dhe Elon Musk përballen në gjykatë

Sam Altman dhe Elon Musk kanë arritur në një përplasje vendimtare në një proces me rrezik të lartë që mund të ndryshojë të ardhmen e startup-it kryesor të inteligjencës artificiale, OpenAI. Një proces në një farë mënyre historik, që nisi dje në Oakland, në California, me fazën paraprake të përzgjedhjes së jurisë, por të gjitha çështjet ligjore janë tashmë mbi tryezë. Në qendër të rastit janë akuzat për mashtrim të ngritura nga Musk.

Miliarderi me origjinë nga Afrika e Jugut, aksionari kryesor i X, SpaceX dhe Tesla, e çon përpara këtë padi që nga viti 2024, duke pretenduar se startup-i i drejtuar nga Altman, i cili dje u paraqit papritur në seancën e parë, ka braktisur misionin fillestar për të zhvilluar IA në dobi të njerëzimit dhe është përqendruar në rritjen e fitimeve. Musk, 54 vjeç, ishte një nga bashkëthemeluesit e OpenAI dhe beson se Altman, 41 vjeç, së bashku me bashkëthemeluesin tjetër Greg Brockman, e kanë mashtruar duke e bindur të financojë kompaninë, për të tradhtuar më pas objektivin fillestar.

Sipas OpenAI, që publikoi një koment në X, “kjo padi ka qenë gjithmonë një përpjekje e pabazë dhe e nxitur nga xhelozia për të sabotuar një konkurrent”. Qëllimi i Musk do të ishte të forcojë kompanitë e tij, SpaceX, xAI dhe X, të cilat kanë lançuar Grok si konkurrent të ChatGPT, programit të inteligjencës artificiale të OpenAI.

Në padinë e tij, Musk ka kërkuar largimin e Altman dhe Brockman, si dhe që OpenAI të ndalojë së funksionuari si një organizatë me qëllim publik. Ai ka kërkuar gjithashtu që divizioni jofitimprurës i OpenAI të marrë deri në 150 miliardë dollarë dëmshpërblim nëse ai fiton në gjykatë.

Në dy vitet e fundit, strategjitë ligjore të Musk për të goditur OpenAI kanë përfshirë akuza për shkelje kontrate, praktika tregtare të padrejta dhe deri edhe reklamim mashtrues. Tani ai dhe Altman do të thirren për të dëshmuar në gjykatë në një moment veçanërisht delikat për të dy. xAI e Musk, aktualisht pjesë e SpaceX, ka paraqitur kërkesë për t’u listuar në bursë. Edhe OpenAI po vlerëson mundësinë e hyrjes në Wall Street. Në lojë janë miliarda dollarë, një tjetër aspekt që e bën këtë proces një ngjarje të rëndësishme.

Pyetjet mbi përdorimin e ketaminës nga Musk nuk do të jenë drejtpërdrejt pjesë e përplasjes mes dy ekipeve ligjore, por nuk përjashtohet që në sallën e gjyqit, në një betejë që pritet të jetë e ashpër, të përmendet edhe kjo çështje. Ndërkohë, referencat për këtë analgjezik të përdorur si antidepresiv shfaqen në dokumentet e procesit.

Sipas disa vëzhguesve, paditë ligjore duken të jenë alternativa e preferuar e Musk ndaj terapisë. Fakti që çështja ka arritur në gjyq, megjithatë, konsiderohet tashmë një fitore për të, i akuzuar se kërkon të dëmtojë reputacionin e OpenAI në çdo mënyrë të mundshme. Përfshirë, sipas The Verge, edhe një dosje homofobike ndaj Altman që qarkullon në Silicon Valley përmes “ndërmjetësve të Musk”./La Repubblica

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x