28.5 C
Tirana
23 / 07 / 2024

Ermonela, “gjinkalla” e botës!…

Nga Sefedin Çela

Kam patur raste  të bëj në jetë gjëra për të cilat kam dyshuar si e pse i kam bërë  e kam vazhduar të bëj po të njëjtat gjëra i sigurtë se  kam bërë gjënë e duhur.

Do të rrëfej një histori për Ermonelën, kur dëgjova për herë të parë për të , në mesin e viteve tetëdhjetë, të atij shekullit me dy XX, kur punoja në ministri.

Gjatë viteve të punës si gazetar s’lashë vend pa shkelur, nga Veriu  në Jug, – fat që s’e kanë të gjithë në jetë,-  në kërkim të njerëzve e ngjarjeve; kisha nevojë për ta, ishin “buka ime e përditëshme”. Vetiu kisha krijuar raportet  në distancë , unë në vetë të parë e ata, personazhet, në vetë të tretë!  Më pëlqente ajo që bëja e ndihesha mirë me veten. Askush nuk më kërkonte, nuk kishte nevojë për mua ,  veç rasteve kur dikush ndjehej se ishte shkelur në kallo.

Në ministri këto raporte u përmbysën. Isha unë i kërkuari! Kisha menduar se një gazetar ka mundësinë të njohë jetën, po kisha menduar gabim : në ministri , tej vitrinës  “kulturë e art” jeta vetë përplasej me ty, varej  çfarë ndjeje, kishe lëkurë a  kishe shollë në vend të saj!

Ermonela me të atin, E’hemin dhe Xhevahir Spahiun

-Jam Et’hemi, djali i Shyqos, –  më thotë një zë  në telefon . – Ti nuk më njeh po unë të njoh. Dua të të takoj jo si  mik, si djali i Shyqos, dua të të takoj si prind. Ke fëmijë vet e  më kupton , besoj!

 Si prind takimin e donte në zyrë e jo në kafe.

 “ Djali i Shyqos” ishte një oficer i ri,  pedagog në Shkollën e Bashkuar, gati moshatar me mua, me sy bojëqielli të çelët, si të holluar me ujë,  që , çuditërisht, m’a bënë  atë vetë më të afërt e më miqësor. Nga anët tona sy bojëqielli hasje rrallë dhe te vajzat.

Vajza e tij  , Ermonela sapo kishte  përfunduar ciklin e ulët të shkollës e  nuk fliste thjesht , – ajo këndonte! Nuk dinte si t’a spiegonte mirë si e qysh. Ermonela shprehte veten kështu, njësoj si bëjnë ndoshta të njëjtën gjë  zogjtë.  Këndojnë!

Sytë e tij u çelën edhe më shumë, u njomëzuan, gati të thoshte se  Ermonela, kur kishte lindur, kishte kënduar  e nuk kishte qarë si çdo fëmijë.

– Nuk pushon nga mëngjezi në darkë, të këndojë është e vetmja gjë që nuk lodhet të bëjë!

– Është gjinkalla e shtëpisë, – thashë unë

-Dimër verë gjinkallë , – tha ai , – jo vetëm në verë!

Gjinkallë zakonisht  thuhet për vajzat ende të pa rritura, që nuk u mbyllet goja një herë, cërr cërr tërë ditën, nuk u mbarohen kurrë fjalët, të lëshuara pa pikë e presje. Nuk është se  këndojnë, po është bukur t’i dëgjosh.

-Dua që Ermonela ime të regjistrohet në lice për kanto!

Ja pse kishte ardhur!

I thashë se në Lice nuk mund të regjististroheshe se doje, atje regjistroheshe nëse mundje të konkuroje e të fitoje.

-Këtë dua , – tha ai. – Të konkurojë, për këngëtare!

I thashë se Vaçe Zela ka mbaruar për dramë e është këngëtare e madhe!

Ai i dinte gjërat më mirë se unë.

-Ermonela ime  këndon arie, – tha ai, – jo muzikë të lehtë, as këngë popullore. Të konkurojë për kanto! Soprano!

Tani nuk më kujtohet nëse tha se në  ato  vite shkollë , a më herët, Ermonela kishte studiuar edhe shkrim e këndim, edhe piano, apo vetëm kishte kënduar. Ai ngulte këmbë: kanto, kanto!

Isha prind i ri, si ai. Edhe pse herët, kishte lindur te unë shqetësimi për sigurinë e dy të vegjëlve të mij. Që fëmijët të ndihen të sigurt , prindi shmang apo fsheh frikërat e pasiguritë e veta.

Në asnjë moshë nuk e kam patur jetën të lehtë, por të jesh baba do të thotë të bësh edhe ca gjëra të shpifura,të bie  të ndrrosh dhe pelenat, të rrish netë të tëra pa gjumë, të bësh gjëra që nuk i ke bërë kurrë më parë e askush nuk të ka thënë si bëhen, të jesh ç’të duash, oficer me sy bojëqielli i mësuar me disiplinë apo qoftë zëvendësministër i kulturës!

Fëmijët nuk bëjnë cërr cërr e qeshin e bëjnë gjinkallën gjithë ditën.Të bëhesh prind do të thotë të mësohesh me telashet që nuk kanë moshë e nuk zgjedhin.

I thashë mos ishte tepër herët të zgjidhte ai për çfarë do të bëhej ajo nesër, kur ishte ende e vogël, në moshën e djalit tim? I thashë se po flisja si prind dhe i kujtova se me kishte kërkuar ta prisja e ta kuptoja si prind.

Ai mendonte ndryshe. Tha se nuk po merrte asnjë vendim në vend të vazjës, se ajo donte të fillonte jetën me një garë, që i pëlqente ta bënte e ai kishte besim se do t’ia delte. Edhe sikur të mos ia delte, nuk do të ishte humbëse. Ajo nuk priste  që gjërat e bukura të vinin vetiu!

– Gara bëhet në Lice, – thashë unë , – për sa folëm nuk e kuptoj cila do të jetë ndihma ime më tej?

– Të bësh për mua arbitrin, – tha ai. – Të më garantosh se gara bëhet e ndershme! Do të dëgjoj me vemendje sugjerimet e tua, po kjo që thashë është ajo ç’kërkoj e nuk kam ç ‘them tjetër.

Edhe sot nuk di, desha t’i mbush mendjen atij apo vetes kush kishte të drejtë, ai apo unë? Cila ishte zgjedhja më e mirë?

Kisha mëse një vit në atë dikaster dhe gjëndja në kulturë e arte , që besoja se tashmë e njihja mirë, nuk përmbushte pritshmëritë, madje kishte probleme të trashëguara e nuk isha i sigurtë për zgjidhjen.

Për fushën në fjalë,  për përgatitjen e profesionistëve  kishte 13 shkolla të profilizuara artistike.  Vetëm për violinë çdo  vit   mbaronin klasën e dymbëdhjetë rreth 400 nxënës. Në

ILA(Universiteti i Arteve sot), me konkurs e garë të ndershme, si thoshte miku im, për violinë përzgjidheshin për të vazhduar më tej maksimumi dhjetë studentë me vlerësimin maksimal  nga 100 deri 98 pikë. Me vlerësimin  jo më pak se 90 pikë nga 100 të mundëshme mbeteshin jashtë shkollës së lartë 70-80 konkurues me talent të spikatur. Edhe pse për mëse 12 vjet jetë  kishin studiuar violinë,  me mesatare të lartë në të gjitha lëndët, mbeteshin jashtë auditoreve për më tej rreth 350 të rinj.

Shkollat tona të artit ishin të konsoliduara, në to zgjidheshin më të talentuarit me konkurs, me kritere të rrepta profesionale vlerësimi. Ja pse , pas viteve 90-të, balerinë, këngëtarë lirikë, instrumentistë, piktorë, gjetën vend e bënë emër në formacione e institucione prestigjioze në botë. Por vendi ynë është i vogël, nuk mund të sistemohej një numur i madh artistësh në një treg që mungonte, i mbyllur në guackën e vet, me një numur të limituar institucionesh që prodhonin art.

Numuri tepër i kufizuar i atyre  që pranoheshin në ILA, në krahasim me ata që përfundonin shkollat e mesme artistike , përbënte një problem të madh jo vetëm për këta të fundit e familjarët e tyre. Programet ngushtësisht të profilizuara të këtyre shkollave nuk krijonin vazhdimësi për mundësi të tjera në degë të tjera. Për fat, ky problem u kap në kohë, u zgjeruan programet e kurikulat e këtyre shkollave e  ata që mbeteshin jashtë ILA mund të vazdhdonin Institutet  e Larta Pedagogjike, por vetëm për mësuesi në ciklin e ulët të arsimit 8-të vjeçar.

Nuk e kam futur kurrë veten te ata njerëz që gjithë jetën s’duan t’ia dinë kush janë e as kush duan të jenë. Ke ende të tillë nëpër këmbë. Por them se herët me veten kam zgjidhur të pranoj se çfar mund të bëj e çfar nuk mundem të bëj. Dëshmi si kjo e mësipërmja  mund të më kenë shtyrë ndoshta për të qënë subjektiv. Më trishton edhe sot  zhgënjimi i atyre dhjetra e dhjetra të rinjve që investuan fëmijërinë e rininë e tyre e nuk ia dolën mbanë. Dyshoj se zgjodhën këtë rrugë nga pasioni për artin apo për një jetë më të blehtë se sa, fjala vjen , të bënin gjeologun, agronomin a veterinerin? Dyshoj se zgjedhja ishte e tyre  a e prindërve të tyre.

Fëmijët e mij ishin të dy mëngjërashë si unë, së ëmës i ngjisnin nga pamja, po të dy kishin prirje të ndryshme: djali vizatonte gjithë ditën, me të majtën e me të djathtën, nuk la kapak fletoreje pa mbushur me kokë macesh, gjela, pemë, portrete burrash mustaqellinj. Vajza hipte mbi krevatin e madh si mbi një podium e bënte dyshekun gropë, me një lugë në dorë si mikrofon, hidhej e çirrej pa pushim duke bërë këngëtaren. Ajo ishte gjinkalla ime.  Madje, në një rrugë jashtë shtetit , bleva për të një regjistrues e mikrofon për të bërë karaoke, të regjistronte e dëgjonte zërin e vet. E vetëm kaq. Ruaj një foto të saj, me kitarë në dorë, ndoshta të huajtur  sa për të fiksuar këtë çast.

Zhgënjimi i atyre vajzave e djemve të shkollave artistike ndoshta  më bëri të marr një vendim që tani nuk jam aq i sigurtë sa kur e mora: fëmijët e mij mund të bëheshin gjithçka tjetër që donin, po  djali jo piktor e vajza jo  këngëtare . Punë e madhe se i qante me lot këngët e Maraja  Kerit. Në fakt, as i nxita e as i pengova, veç, për   fatin e atyre të rinjve  kisha treguar në familje.

Fëmijëria ime ka qënë shumë afër natyrës, aspak e sofistikuar. Me moshatarët kalonim netët e verës duke ruajtur kafshët e samarit që kullosnin mbi lëndinat e kositura. U vinim pengojsa në dy këmbët e para që të mos ia mbathnin. Strukesha në  një kënd anë  pyllit mbi stivën  erëparfum të barit , i lirë të provoja zërin, ngadalë, me sytë te yjet,  nxirrja drojën e frikën time duke kënduar nën zë, gjë që s’guxoja ta bëja po të më dëgjonin të tjerë. Isha i lirë ta dridhja zërin si të doja e të dëgjoja veten.

Nuk kam besuar kurrë se mund të këndoj ndonjë herë. Kam patur momente shpërthimi të brendshëm, psh kur  jam ndjerë i lumtur, por kam gjetur mënyra të tjera për t’u shprehur Nuk kam kënduar kurrë në ndonjë dasëm, vetm kam bërë iso, eee , oi !  O di të këndosh , o nuk di!  Kënga nuk është shaka, si tallavaja.

Në shkollë të mesme pedagogjike bënim solfezh, kam ndarë kohët duke lëvizur dorën lart – poshtë, majtas – djasthtas, kemi bërë edhe metodikë si jepej një orë mësimi kënge, por para dërrasës së zezë kam kënduar vetëm Hymnin e Flamurit.

Nga sa tregova, thellë në ndërgjegjen time, nuk kam dashur që ajo gjinkalla e Et’hemit, Ermonela, të konkuronte për kanto! Kisha frikë mos zhgënjehej ajo e prindërit e saj. Kisha frikë se nuk mjaftonte që babai i saj , si unë , të kish provuar zërin e vet natën, mbi një vandak bari, duke parë yjet. Dyshoja që mbesa e Shyqos nga Vërzhezha, sado burrë i mirë, me humor e i njohur nga i madh e i vogël në Çorovodë,si e njihja dhe unë,  mund të bënte ferk në skena operash!

Kam paragjykuar. Gjykimin mund t’a rrëzosh, paragjykimin kurrë! Edhe pa dashur, paragjykimi vret. Si një plumb qorr, që e mendon si fishek manovre.

Për fat nuk isha në juri.

Si arbitër e bëra ndershmërisht punën time.

Telefonova Burhan Spahinë, bariton në Opera e pedagog në ILA, i përhershëm në konkurset e përzgjedhjeve. O patriot, i thashë si më thoshte, kështu e kështu, dua të më raportosh saktësisht të vërtetën!

Dhe ai , fill pas konkursit,  më tha se ajo miushka i  kishte befasuar të gjithë !” Mos u çudit, –  tha , – unë ku e gjeta zërin? E solla me vete prej andej nga kisha rrënjët!

M’u  kujtua Demir Zykoja, zëri i tij si gurgullimë e përrenjve të Tomoricës. Mbeçë more shokë, mbeçë!

Pashë veten mbetur te Ura e Qabesë.

Telefonova Et’hemin, e urova e i thashë se ajo gjinkalla e vogël e meritonte përkujdesjen e tij dhe se të dy, at e bijë,  më kishin dhënë një mësim të mirë si  prind e si zyrtar.

Duke hedhur këto rrjeshta kërkova në Google të përzgjedh një foto të Ermonelës në moshën që ka sot e me emrin që ka sot. Në morinë e pafund të informacioneve në shumë gjuhë për të e shfaqjet e saj, në skenat më në zë të botës , gjeta në You Tube një intervistë me të  në  rrugët e Parisit, pa lukun e ndriçimin e skenës. Veshur  thjeshtë, si e shohin njerëzit me të afërt në përditshmërinë e saj, si do të desha t’a shihja dhe unë, si Jonën time.

Për fat, gazetarja ishte shqiptare, dukeshin si dy turiste  në ecje, pasi kishin vizituar Kullën Ejfel.

–  Çfar bën së pari sa hap sytë në mëngjes, – e pyeti gazetarja. Pyetja duket standard, po përgjigjia ishte befasuese:

–  Provoj zërin! – tha Ermonela me një frymë.

Këtë përgjigje nuk mund t’a thuash rastësisht, nëse nuk bëhet fjalë për një rit që përsëritet çdo mëngjes. Sa hapte sytë ajo provonte instrumentin që e bëri të realizojë ëndrrën e saj, – të këndonte : provonte zërin e saj.

–  Si e bën këtë, a mund të ma tregosh këtu? –  nguli këmbë tjetra e inkurajuar, duke e kapur për krahu.

Ermonela pa njëherë  anash, pastaj thjesht bëri nën zë një vokalicë. Dukeshin sy dy shoqe lagjeje. Tjetra provoi të bënte të njëjtën gjë. –  M’a mëso si bëhet, – tha, si duket e pakënaqur me veten.

Ermonela i vuri dorën në lukth.

– Merr frymë thellë, – i tha , – pastaj lëshoje zërin!

Si t’i thoshte se kënga buron prej këndej, nga zemra.  Është pasion. Është dashuri.

Arti i madh është akt, nuk është zeje që e mëson duke e bërë përditë.  Lind me talentin e rritet duke punuar me durim .

– Bëj prova çdo ditë, – tha Ermonela. –  shkoj në studio një orë para. Kur kam shfaqje shkoj dy orë para se të fillojë.

Më bëhet se jam me mikun tim të ndjerë,  babanë e sa j Et’hem Jahon. Flasim për vajzat tona, të dyja larg, Ermonelën e Jonidën.  Artin e madh e bëjnë artistë të mëdhenj si Ermonela, po  e shijojnë miliona, si një ushqim i shëndetshëm për  shpirtin. Disave,  si bija ime që kanë provuar të këndojnë, u shijon dhe  më shumë.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x