12.5 C
Tirana
22 / 04 / 2026

Rumen Radev fiton zgjedhjet në Bullgari, kritika Europës: Viktimë e ambicies së saj

Ish-presidenti bullgar, Rumen Radev, ka dalë fitues në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Bullgari, duke siguruar mbi 43-45% të votave, shumë përpara rivalëve të tij politikë. Rezultatet paraprake e vendosin atë si forcën kryesore politike në vend, ndërsa partia konservatore GERB, e udhëhequr nga Boyko Borissov, parashikohet të marrë rreth 13%.

Në fjalimin e tij pas fitores, Radev e cilësoi rezultatin si “fitore të shpresës mbi frikën” dhe theksoi se qytetarët kanë refuzuar politikën tradicionale.

“Kjo është një fitore e shpresës mbi mosbesimin, një fitore e lirisë mbi frikën. Është gjithashtu një fitore e moralit. Njerëzit kanë hedhur poshtë vetëkënaqësinë dhe arrogancën e partive të vjetra dhe nuk janë dorëzuar para gënjeshtrave dhe manipulimeve. Faleminderit për besimin tuaj”, deklaroi Radev.

Ai u shpreh se Bullgaria do të vazhdojë rrugën e saj evropiane, por me një qasje më pragmatike dhe kritike ndaj politikave të Bashkimi Evropian.

“Evropa është bërë viktimë e ambicies për të vepruar si një udhëheqëse morale në një botë pa rregulla të qarta. Ajo që i duhet Evropës tani është mendimi kritik, veprimi pragmatik dhe rezultatet e prekshme – për të rivendosur forcën e saj industriale dhe konkurrueshmërinë. Ky do të jetë kontributi kryesor i Bullgarisë” deklaroi ai.

Qëndrimet e Radevit kanë tërhequr vëmendjen botërore, veçanërisht për kundërshtimin e tij ndaj ndihmës ushtarake për Ukrainën dhe thirrjet për dialog me Vladimir Putin. Vetëm disa ditë më parë, Radev riafirmoi deklaratën e tij të mëparshme të diskutueshme se “Krimea është ruse”, duke e quajtur atë një “qëndrim realist” – një vërejtje që kishte shkaktuar reagime të ashpra kur e bëri për herë të parë pesë vjet më parë.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x