15.5 C
Tirana
10 / 12 / 2024

Robëreshat e Lira!

Nga Kimete Berisha

(Neve na duket që mban zi, por në të vërtetë, vaji i pëllumbit është kënga e tij).

  1. Në shkrimin e kaluar e pyeta imamin ‘Kush me vullnetin e lirë zgjedh të bëhet viktimë’, nuk mora përgjigje.

Por në vend të hoxhës, m’u kish përgjigjur një hoxhonicë, e cila kishte shkruar për mua se unë jam e poshtër se belin nuk e kam të hollë në mënyrë të
natyrshme (e kam, ju siguroj të nderuar qytetarë).

Ajo grua e mbuluar ishte hidhëruar me hoxhollarët se pse ata mua nuk ma mbyllin gojën, pse ata mua nuk më
sulmojnë dhe pse ata mua më durojnë, kur mund të mos më durojnë.

I kishte ftuar hoxhonicat e tjera të më
bllokojnë (pra, të më mbysin, se për mua ekskomunikimi është vrasje),
dhe në fund e kishte shtruar dilemën ‘t’ia bëj unfollow Kimetes apo mos t’ia bëj unfollow’.

Meqenëse kam rahmet, e kurseva hoxhonicën nga mëdyshjet dhe e bllokova vet.

U preka pak, se unë i kam mbrojtur gjithmonë gratë me shamia, e ajo kërkonte që të më ndalohet ta përmend Zotin.

Për fatin tim, kur dola në çarshi një
grua e mbuluar u gëzua kur më pa dhe e dëgjova kur i tha burrit të saj:

  • O, kjo gazetarja e mirë!
  • Pastaj, u qetësova, se jam e pafajshme, askujt në jetë nuk i kam bërë keq.
  1. Se e harrova akuzën kryesore: gruaja e mbuluar kishte konstatuar se mua burrat më lexojnë për shkak të pamjes sime!
    Ky koment kundër meje gjithmonë bëhet nga gratë.

Ju kam thënë dhe po e përsëris se urrjejtja, neveria dhe hakmarrja mua gjithmonë më ndodhin vetëm nga gratë.

Unë kështu si sot e shpreh mendimin tim ‘kategorik’ që nga mosha 15-të vjeçare, dhe kurrë nuk më ka ndodhur mohimi apo nënçmimi nga burrat, ashtu siç nuk i ndodh presidentes, e cila ashtu sikur unë para saj, ka qenë një ndër nxënëset më të mira në Mitrovicë.

I vetmi dallim mes neve dyjave është se (ju kam treguar),
Vjosa ka protestuar e çuditur kur edhe tjetër nxënës është notuar si ajo me pesëshe, me reagimin: ‘Nuk bën që edhe ajo si unë të notohet me pesëshe.
Duhet të dallohem’.

E unë, nuk e kam shprehur ‘arrogancën’, ende nuk e shpreh, anipse ndjej sikur…
‘nuk të gjindet shoqja veç në kopshtin tim’.

  1. Çfarë po u them unë vajzave:
    Ji. Bëhu. Qëndro. Lufto. Mundi. Fito.
  • Mos prit që vjen dikush të merr përdore, të shpëton nga padrejtësitë, e të bën dikushi.
  • Mos prit që burri të bën ty të lumtur, sepse burri as për vete s’është i lumtur, sepse s’ka lumturi.

Veç Respekti të bën të përmbushur, sepse veç respekti nuk falet, as nuk korruptohet, as nuk mohohet, as nuk jepet me hatër, as nuk ta vjedh as ta merr kush.

  • Prandaj, veç ata që respektohen mes vete janë të qetë, ata që për bazë e kanë dashurinë erotike, vjen dita të bëhen kërrsh, sepse dashuria është ndjenjë qejfi, e qejfi konsumohet, merr fund.
  1. Burrat e gratë e çliruan vendin nga armiku, por gratë nuk janë çliruar ende nga burrat!
    Pse?
    Sepse ato në fillim ‘pushtohen’ me vetëdëshirë e pastaj e bindin veten se s’kanë ‘ku të shkojnë’!

Çdo grua që vuan duhet ta pyes veten:

  • Pse s’kam ku të shkoj?
  • A jam e burgosur dhe nëse jam e burgosur, pse burgu im është me dyer të
    hapura?
  • Gjithqysh dikush duhet të kujdeset për mua?

Qysh bën që gruaja kujdeset për krejt familjen, por kur vjen puna të kujdeset për veten, ajo s’di kah ia mban!

  • Paramendoje të parën, vdekjen!
    Dhe e kupton se mund të
    kujdesesh për veten, edhe mirë bile!
  1. Një grua e re i thotë nanës sime:
  • Burri s’më lë të punoj, është xheloz, burri kështu-burri ashtu…

Nana ime ia pret shkurt : ‘Dorëzoju KFOR-it’.
Kjo gjetje e nanës sime gjithmonë më mallëngjen dhe më bën të qesh, sepse ma krijon përshtypjen se gratë veç ushtria në i shpëtoftë.

  • Nana ime ka qenë gjithmonë luftëtare e të drejtave të grave, që kur janë bërë nuse kushërirat e shoqet i ka mësuar që kur shkojnë tek burri të dielën, në asnjë mënyrë të mos e vëjnë shaminë – të hënën, qysh ka qenë adet;
    i ka mësuar gratë e Drenicës që t’i heqin kulet e dimitë, sa e sa gruan e ka bindur ta heq mafesin,
    ka punuar gjithmonë, sot e pensionuar e ka dyqanin e saj të rrobaqepësisë ku shkon e kthehet me autobus, sepse nuk duron të jetë e varur…!
  1. Ka mundësi të jesh e pavarur dhe e lirë por është zor, prandaj gratë e zgjedhin burrin si një lider në jetën e tyre, i cili pastaj bëhet edhe diktator i tyre, varësisht prej disponimit se si e sheh skllavopronari robin e tij.
  2. ‘Robëresha të lira’ sot gjen veç
    tek shqiptaret, që vullnetarisht dhe me vetëdije e kërkojnë një
    ‘burg’ për vete.

Në të kundërtën, nëse e zgjedh lirinë, të ndodh vetmia, e vetmia më e keqe se burgu, aman, se në burg së paku ndodh diçka, sado e keqe…

E vetmia është monotone, është qetësi, prehje, paqe, sepse vetmia është e vërteta e vetme, prandaj është e rëndë.

Si sot si nesër ti s’do t’i shpëtosh vetmisë, prandaj – qetësohu, mos ik nga vetmia jote e drejt në qeli të burrit.

  • E di, e kam provuar ‘pak’, është njëfarë lezeti të të ‘prijë’ dikush se pastaj ke kujt ia lë fajin për trishrimin tënd.
  • Gratë e robëruara (në burgun me dyer e hapura) mund të organizohen për çlirimin e tyre kolektiv nga burrat, por ende s’e duan mjaftueshëm Lirinë.
  1. Ndërkohë, Serbia e ka penguar kryeministrin Albin Kurti për ta ‘pushtuar’ Maqedoninë me votën e lirë.

Serbia e ka penguar ‘pushtimin’ e Maqedonisë nga Albin Kurti duke e përdorur taktikën e heshtjes.

Anipse NATO është përgjegjëse për sigurinë në Kosovë, megjithatë s’i dihet, më e fortë është dashuria e Albin Kurtit për Kosovën se sa NATO.

  • Albulena Haxhiu shkoi në Berlin në vend të Albin Kurtit dhe u tregoi shqiptarëve se sherri Serbisë Albin Kurti s’mund të vinte për ta ‘pushtuar’ Maqedoninë nga Berlini, por keni të fala nga ai.

Vazhdoni ju çmenduni në Berlin, që e kanë zgjedhur si simbol i bashkimit të gjermanëve.

  • Unë mendoj se Albin Kurti më ka dëgjuar mua:
    në fund, nuk ka hyrë në mal pa sakicë.

Se, unë nuk jam kundër si këta të tjerët që Albin Kurti ta marrë pushtetin në Maqedoni, në Mal të Zi e kudo ku ka shqiptarë, pse jo, jam që edhe Serbinë ta pushtoj, por unë jam kundër që të merresh me punë që s’bëhen, sepse dukesh një abdall që e ka marrë malin…!

  1. Shihni se si e mori malin Ilir Meta.
    Si student e ka spiunuar shokun e vet duke e incizuar në restorant, për 50 lekë.

Ky bile është paguar për shërbimin kriminal (të Enver Hoxhës), se shqiptarët spiunojnë kryesisht falas, kryesore të ta shkatërrojnë jetën, i japin edhe paret e veta…!

  • E sot, Ilir Meta është milioner, ama nuk është normal!
    Si tregtari milioner që nuk mund ta gëzojë e ta hajë pasurinë e tij: as sheqer, as kripë, as yndyrë, se e lëshon shpirti.

Kaq shtrenjtë kushton krimi, hajnia, tradhtia e spiunimi – me mend dhe me jetë!

  1. Merakli në spiuj ka qenë edhe Hashim Thaçi, i angazhonte afër vetes si këshilltarë, shkrihej pas tyre, njërin që ka pas vrapuar pas Millosheviçit në Fushë-Kosovë duke e lutur ‘aman mos e prish Jugosllavinë’ – e bëri veteran të UÇK-së….
    (nuk po ia përmend emrin veteranit të rrejshëm që dikur vraponte mbas Millosheviçit , se një
    herë ia kam pas përmendur emrin dhe më
    patën mbetë në derë (të
    FB) vajzat e tij…!

…e veterantët e vërtetë u harruan e vdiqën nga uria….

E, ata spiujt pastaj e mësonin Hashim Thaçin të përkulej në varret e atyre ku në mbishkrim akuzohej UÇK-ja për ‘terrorizëm’…përkulu se ‘ashtu duhet’!

  • Hashim Thaçi e bënte ‘terroriste’ UÇK-në për ambicie politike, për lakmi, se për çka tjetër?
  • Dhe ku është sot e katër vjet Hashim Thaçi!
    Ku i ka spiujt!
    Ku i ka veteranët e rrejshëm?
  • Lakmia kushton më së shtrenjti, prandaj është mëkati Numër Një.
  1. Edhe në kohën e Albin Kurtit ka tendenca për ‘procese të montuara’ politike, për masa të dhunshme dhe për spiunazh, nuk e di a ndodh ky stalinizëm në institucione me aminin e tij, por për mua është me rëndësi që Albin Kurtin nuk ka pare më shumë se unë!
    Bile ky as kerr nuk kish!
  2. ‘Qajo dera e huaj moj nano më është shumë e ràndë.’

P.S. Pejgamberi u betua në
Zotin në duart e të cilit është shpirti i tij dhe tha:

  • Do të vijë koha që vrasjet do të jenë aq të përhapura sa që vrasësi nuk do të dijë arsyen pse ka vrarë, e i vrari nuk do të dijë arsyen se pse është vrarë.

(Nga ‘Libri i Mundimeve dhe Shenjave të Orës së Fundit’).

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x