18.5 C
Tirana
26 / 02 / 2026

Raporti i monitorimit të bashkive, Demo: Premtimet e pambajtura krisin marrëdhënien me qytetarët

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo në fjalën e mbajtur në prezantimin e gjetjeve të raportit të përvitshëm të monitorimit të 10 bashkive, u ndal te besimi i qytetarëve te pushteti vendor dhe premtimet e kryebashkiakëve apo kandidatëve gjatë fushatave elektorale.

Në fjalën e tij, Demo theksoi se një qeverisje e shëndetshme vendore është e pamundur pa ndërtimin e një marrëdhënieje të fortë besimi me qytetarët.

“Është shumë e rëndësishme që bashkitë të drejtojnë në mënyrë të shëndetshme territorin. Këtë nuk mund ta bëjnë pa pasur një marrëdhënie besimi me qytetarët. Është një fenomen që ka ndodhur në pjesën më të madhe të vendeve demokratike, ku ka ulje të besimit të qytetarëve kundrejt institucioneve. Kjo e bën punën edhe më të vështirë për një kryebashkiak nëse nuk ka këtë marrëdhënie besimi”, u shpreh ai.

Ministri theksoi se një element që ndikon drejtpërdrejt në këtë raport janë premtimet e bëra gjatë fushatave elektorale.

“Një element tjetër që është prekur nga ky projekt janë premtimet, të cilat kanë një peshë të caktuar kur flasim për besimin që krijohet me qytetarët. Nëse një kryetar bashkie, gjatë fushatës, hap thesin dhe premton lloj-lloj gjërash, në momentin që është në detyrë mbase e ka të pamundur të mbajë një pjesë të premtimeve, sepse nuk lidhen me autoritetin e vet. Në atë moment, marrëdhënia me qytetarin kriset”, deklaroi Demo.

Ai shtoi se shpesh kandidatët i referohen kapaciteteve lobuese që mendojnë se do të kenë gjatë ushtrimit të detyrës, por realiteti përballet me kufizime konkrete financiare dhe institucionale.

“Ka problematika me të cilat përballen bashkitë, si për shembull uji i pijshëm. Asnjë bashki në vend nuk mund t’i japë përgjigje sfidës së furnizimit me ujë të pijshëm vetëm me buxhetin lokal, por vetëm përmes projekteve, lobimit dhe më pas financimit që vjen si rrjedhojë e programeve të qeverisjes vendore”, theksoi ministri.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x