1.5 C
Tirana
03 / 12 / 2024

Rama e fitoi “bastin” me Athinën

Nga Hamdi Jupe

Kryeministri shqiptar Edi Rama e fitoi “bastin” me Athinën zyrtare për organizimin e një tubimi me shqiptarët që punojnë dhe jetojnë në Greqi. Tubimi i organizuar prej tij më 12 maj në pallatin e sportit  “Galatsi”  i tejkaloi dukshëm pritshmëritë e tij dhe të opininit publik grek e shqiptar në favor kjo të kryeministrit Rama.  

Tubimi i organizuar jashtë vendit nga një politikan shqiptar ishte i pari i këtij lloji dhe i këtyre përmasave. Nuk ishte parë ndonjëherë ndonjë takim i tillë i shqiparëve jashtë, të paktën që nga shpallja e pavarësisë 112 vjet më parë. Kjo kishte arsyet e veta të shumta historike dhe aktuale. Por një nga arsyet ishte edhe qëndrimi refraktar që mbajtën qarqet zyrtare greke dhe shtypi grek ndaj këtij tubimi para organizimit të tij. Ato ndikuan që shqiptarët të dyndeshin masivisht drejt stadiumit të lojërave me dorë. Dihet që molla  e lakmuar është molla e ndaluar. Në Greqi ranë në grancën e këtij qëndrimi.

Kryeministri shqiptar e sfidoi politikën gtreke në radhë të parë me vendosmërinë e tij për ta realizuar patjetër këtë takim të paralajmëruar me bashkatdhetarët. Shumë njerëz në Shqipëri dhe Greqi mendonin se pas reagimeve të përsërituara negative  greke, Rama mund ta anulonte takimin e planifikuar. Ata (politikanët grekë) e shprehën publikisht se vizita e Ramës nuk do ishte e mirëpritur nga Greqia zyrtare.

Këtë “armë”, pra reagimin e kundërt shfrytëzoi Rama. Ai nguli këmbë se do të shkonte atje dhe shkoi. Përkundër paralajmërimeve se do të ketë tensione, përplasje etj, asgjë e tillë nuk ndodhi. Njëzetë emigrantë shqiptarë nga minoriteti që dolën me sloganin “Lironi Bejlerin” as që ndikoi fare në atmosferën elektrizuese të ngjarjes.

Nuk kishte informacione paraprake se si do të ishte interesimi i shqiptarëve të atjeshëm për këtë takim. Dihet që ata janë të shumtë, por sa të interesuar janë për politikën e vendit të tyre, kjo ishte e paqartë. Fakti që në të morën pjesë rreth dhjetë mijë  vetë (nga pesë mijë që priteshin) si dhe entusiazmi që shoqëroi takimin, ishin dëshmitë më e qarta të suksesit të tij.  

Fjalimi i gjatë dhe i shkruar i Ramës (ai rrallë del me fjalime të shkruara) nuk ishte thjesht një përshëndetje e rastit. Ishte shumë më tepë se kaq. Rama e shfrytëzoi rastin për të thënë të gjitha ato që duheshin thenë atje, të paramenduara e të hedhura në letër këto që më parë. Ai shfaqi qartë atje idetë për marrëdhëniet midis dy vendeve dhe dy popujve tanë, në plan historik dhe aktual.

Tre ishin mesazhet kryesore të fjalimit 60 – minutësh të Ramës në tubim. I pari, gjendja e emigrantëve shqiptarë dje dhe sot në shtetin fqinj. Ndryshimet thelbësore që kanë ndodhur tek ata nga vitet nëntëdhjetë e deri më sot. Duke vlerësuar emigrantët shqiptarë atje, Rama tha se “kam ardhur të takohem me të zotët e barabartë të kësaj shtëpie, jo me shërbëtorët e dikurshëm të Greqisë”.

I dyti mesazh, marrëdhëniet historike dhe aktuale të Shqipërisë me Greqinë fqinje. Në këtë drejtim Rama i flaku tej “dorezat” diplomatike dhe foli për Ligjin e Luftës që Greqia mban akoma në fuqi që nga viti 1940. Mesazhi i tretë ishte thirrja drejtuar emigrantëve për të investuar në atdheun e tyre. Të tre këto  ishin në kohën e duhur dhe në vendin e duhur.  

Ashtu si në shumicën e rasteve, tubimi dhe fjalimi i Ramës në të kanë qenë në qendër të mediave shqiptare. Shumica e këtyre të fundit e trasmetuan drejtpërdrejt takimin dhe pastaj komentet e analistëve për të. Rama u kujdes t’i merrte në avionin e delegacionit të tij shumë gazetarë shqiptarë.  

Mediat e Athinës, sipas informacioneve që vijnë prej andej, i kushtuan vend të gjerë asaj. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, kur ato prej disa ditësh e kishin hapur vetë “gropën” ku do të binin vetë, duke krijuar atmosferën e një ngjarjeje “të jashtëzakonshme” që pritej të ndodhte. Rama u bë kështu “ylli” i televiziove greke dhe shqiptare dhe kjo ishte pa dyshim një bonus i shkëlqyer për të. T’i bësh reklamë vetes pa paguar asnjë qindarkë, ku ka më mirë se kaq.

A ishte ky takim një “parafushatë” elektorale e Ramës për zgjedhjet e reja paralamentare që do të zhvillohen pas një viti në Shqipëri? Edhe mund të jetë. Politikanët shfrytëzojnë çdo rast e mundësi pë të shtuar votuesit e tyre. E rëndësishem është se edhe në se është një aktivitet paraelektoral, ai ishte i menduar mirë dhe i organizuar përsosmërisht në kohën e duhur dhe në vendin e duhur.

Lideri i çerek opozitës shqiptare Lulzim Basha tha pas takimit se sallën prej dhjetë mijë vetësh që pallatit të sportit në Athinë e kishin mbushur punonjësit e administratës shqiptare të çuar atje me zor nga Tirana. Ky është vlerësimi më naiv i atij takimi nga një politikan shqiptar. Rama mund të çonte nga Tirana 100 zyrtarë, por jo dhjetë mijë vetë sa ishin në takim.

Pas këtij tubimi dhe fjalimi të kryemnistrit shqiptar, në politikën greke do të duhet të ndryshojnë shumë gjera për mënyrën se si po e shikojnë ata Shqipërinë dhe shqiptarët në Ballkan. Koha kur shqiptarët shikoheshin si qytetarë të dorës së tretë ka përfunduar. Nuk e teprojmë po të themi që tani që takimi i Ramës me emigrantët në Athinë dhe fjalimi i tij atje do të shënohen si ngjarje historike në marrëdhëniet midis dy vendeve.

Deri tani nuk ka patur reagime të nxituara as nga politikanët dhe nga mediat greke, megithëse këto të fundit ishin gjerësisht në pranishme në tubim. Kjo dëshmon se ngjarja ka qenë e paparashikuar për ta në përmasat dhe mesazhet e saj dhe prandaj nuk kanë dashur të nxitohen duke rënë në gabime. Të presim njëherë, pastaj shohim e bëjmë. Kanë të drejtë: boll kanë gabuar deri tani.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x