Nga Mëhill Tanushi*
-MBRESA- Me rastin e 65-vjetorit të krijimit
E kam quajtur fat të madh dhe e kam marrë gjithmonë me vete si një gur të çmuar shansin që mu dha për tu bërë pjesë e Radio Kukësit këtij institucioni kaq të rëndësishëm të medias shqiptare.
Edhe sot e kësaj dite, sa herë shkoi në Kukës, magjishëm ndjehem i mbërthyer me nostalgjinë për të dhe sa herë jam larg këtij qyteti, malli dhe kujtimet më rikthejnë përsëri aty. E dua pa asnjë kusht dhe pa asnjë interes këtë qytet, rrethin në tërësi, njerëzit e tij të mrekullueshëm dhe kam plot arsye për këtë. Si rrallë kush tjetër, për më shumë se10 vjet rresht, mua mu dha rasti të shkel e të njoh nga afër çdo zonë, çdo fshat e lagje, çdo mal e bjeshkë të këtij rrethi. E si mos ta dua Kukësin? Aty kalova pjesën më të mirë të rinisë time, aty morën udhë ëndrrat e mija, aty krijova familjen, aty erdhën në jetë fëmijët e mi, aty fitova miq e shokë që më mbetën të afërt për të gjithë jetën. Dua apo nuk dua, sapo shkel në këtë qytet, vetvetiu këmbët më çojnë drejt ndërtesës se Radio Kukësit. Qëndroj një copë herë përballë saj, mbushem me nostalgjinë e mallit të munguar, ngarkoj barrën e kujtimeve dhe largohem për të qenë përherë i rikthyer aty.
Në Qershor të vitit 1980 jam emëruar redaktor në ketë radio. Redaksia e Radio Kukësit ishte e vogël, kishte gjithsej 4 redaktorë, ku dy prej tyre përherë vinin me qarkullim nga Radiotelevizioni Shqiptar, pasi Radio Kukësi kishte vartësi të dyfishtë, edhe nga rrethi, edhe nga Tirana, kështu që, të ishe njeri prej tyre ishte me të vërtetë një nder i madh. Dihet se në atë kohë gjërat ishin të centralizuara dhe s’mund të zgjidhje as punën, as profesionin, as vendbanimin, bile as shkollën që do të studioje. Që të realizohej ëndrra për t’u vendosur në atë punë që doje, (siç ishte ëndrra ime për tu bërë gazetar), kishte dy mundësi: ose një dorë e fortë nga lart të pikaste dhe të katapultonte, ose të krijoheshin rrethanat dhe nevojat e çastit që ti të bëheshe i domosdoshëm për atë vend pune. Për mua ishte një rastësi e çuditshme që më ndryshoi përfundimisht rrjedhën e jetës.
SI U BËRA GAZETAR I RADIO KUKËSIT?
Radio Kukësi dëgjohej me shumë interes jo vetëm në Kukës e Has, por në gjithë zonën verilindore të Shqipërisë, në Tropojë, Dibër, Pukë, Mirditë e Mat e deri në kufijtë me Shkodrën, Lezhën e Librazhdin. Njerëzit mezi prisnin që të fillonte transmetimi i valëve të kësaj radioje, sepse ata me së shumti parapëlqenin muzikën dhe këngët popullore kryesisht të trevave të veriut dhe ato kosovare, por unë ndiqja me vëmendje edhe emisionet që jepeshin në oraret e caktuara të vendosura nga programacioni i radios. Emisionet ishin për ekonominë, bujqësinë, arsimin, kulturën, rininë, shëndetësinë, për ushtrinë, për gruan, për fëmijët e pionieret, etj. Tek i dëgjoja, thoja me vete se fare mirë, pse jo, mund ti organizoja edhe unë ato emisione, por mërmëritja mbetej vetëm brenda meje si një dëshirë që kurrë s’do mund të bëhej realitet.
Një ditë, krejt rastësisht, më lindi ideja për ta bërë vetë një emision të tillë, ashtu kot, me mjete rrethanore. Vendosa të organizoj një bisedë me minatorët dhe personelin inxhiniero-teknik në Minierën e Bakrit në Gjegjan, rreth punës, vështirësive, realizimit të planit dhe përvojës së përparuar. Në atë kohë punoja në zyrën gjeologo-markshejderike të kësaj miniere. Këtë ide e diskutova me inxhinierin e prodhimit Qazim Laçi, i cili u tregua optimist dhe i gatshëm që të më ndihmonte në gjetjen e njerëzve që do të merrnin pjesë në bisedë dhe më ofroi dhomën e tij në katin e tretë të ndërtesës ku flinte për të bërë regjistrimin. Por problemi ishte se me çfarë do të realizohej incizimi? Në atë kohë miniera kishte një shtëpi modeste kulture të pajisur me një qendër zëri, e cila përdorte edhe një magnetofon të madh “grunding” gjerman. Përdorimi i këtij magnetofoni ishte opsioni i vetëm. Sigurisht regjistrimi nuk do të ishte aq cilësor, por unë isha i kënaqur edhe me atë mundësi që gjeta. Pasi e përfundova incizimin, e riktheva shiritin që ta dëgjoja nga fillimi. Mu duk se biseda rridhte lirshëm, kishte debat, kishte nerv dhe ngrinte probleme. Sigurisht kishte ndonjë lapsus apo ndonjë fjali që duhej redaktuar, por për të bërë këto rregullime duhej studio profesionale.
Ja e realizova, por çfarë do bëja me të? Në Radio Kukësi nuk njihja njeri. Edhe sikur të njihja dhe dikush të më thoshte sille, si do ta dërgoja. Magnetofoni nuk ishte nga ata që merrnin gazetarët në krah, por një “grunding” i madh që duhej makinë ta transportoje. Megjithatë vendosa ti telefonoj Radio Kukësit dhe t’iu tregoja se ç‘kisha bërë. Personi që mu përgjigj më mori emrin dhe më tha se do më kontaktonin.
Nuk vonoi dhe atë pasdite në minierë erdhi redaktori që mbulonte emisionet e ekonomisë dhe bujqësisë, Luan Fejzollari. Në krah mbante një magnetofon profesional “Uher”, më të vogël se një çantë, markën më të mirë të kohës. Të tillë magnetofon special kishin vetëm radiostacionet. Luani e hoqi nga supi dhe e drejtoi mikrofonin tek altoparlanti i magnetofonit të madh që kisha bërë regjistrimin unë dhe ma bëri me shenjë ta lëshoja shiritin dhe të mbaja qetësi deri sa të kalonte biseda në magnetofonin e tij. Nuk kishim as një fishë që të lidheshin të dy magnetofonat dhe regjistrimi të kalohej të paktën pa ndërhyrjen e zhurmave të ambientit. Kaq ishte. Luani e hodhi përsëri në krah magnetofonin e tij dhe u largua. Të nesërmen, në orën 19:30 të darkës, për çudi, në valët e Radio Kukësit dëgjova zërin tim, zërin e minatorëve dhe pjesëmarrësve të tjerë që kisha ftuar në bisedë. Nuk ishte hequr asnjë fjali nga ato që unë kisha regjistruar. S’po u besoja veshëve dhe nuk e fsheh se isha i emocionuar. Kisha dëshirat dhe ambiciet e mija, e dija që kisha indicje krijuese, sepse deri atëherë kisha provuar të shkruaj ndonjë vjershë, kisha botuar në gazetën lokale “Kukësi i Ri” ndonjë shkrim dhe pasditet i kaloja në shoqërinë e shkrimtarëve e poetëve Zija Çela, Agim Spahiu, Ferhat Cakaj, Bajazit Cahani, Hysen Shehu dhe krijues të tjerë në rreth, po vetëm kaq. Ndaj për mua kjo ishte një gjë shumë e madhe. Sikur të mos mjaftonte kjo, për surprizën time, ky emision u ritransmetua edhe të nesërmen. Siç mora vesh më vonë, përpara se të transmetohej biseda që kisha përgatitur unë ishte dëgjuar nga drejtori dhe redaksia dhe ishin pëlqyer jo vetëm problemet që kisha ngritur dhe mënyra e organizimit, por edhe diksioni radiofonik i zërit.
Fiks pas një jave erdhi të më takonte vetë drejtori i Radio Kukësit, Hasan Pinci. Ai ishte një kuadër me kulture dhe me shumë përvojë. Ishte hijerëndë, plot autoritet dhe këmbëngulës për ti shkuar deri në fund asaj që mendonte se ishte e drejtë. Para se të vinte në Kukës ai kishte qenë Drejtor i Radio Tiranës. Sigurisht nuk e njihja dhe nuk e kisha parë kurrë. Mu prezantua dhe më ftoi të pinim një kafe së bashku. U ulem dhe ai hyri menjëherë në temë. Më tha se i kishte pëlqyer biseda me minatorët që kisha përgatitur dhe se kishte vërejtur tek unë aftësi gazetareske.
“Më është liruar një vend në redaksi dhe unë po kërkoj një gazetar. Kam mendimin që t’i propozoi Komitetit të Partisë emrin tënd, sigurisht nëse ti je dakord.” Dhe vazhdoi pa pritur përgjigjen time: “Kjo nuk varet vetëm nga unë, varet kryesisht nga ata, por unë do të këmbëngul sepse dua një njeri që të më bëjë punën”.
Unë pothuajse kisha shtangur. Më dukej sikur isha në ëndërr. Ai e pikasi hutimin tim emocional dhe me pyeti përsëri: “He, si thua, je dakord”?
“Sigurisht, i thashë, sigurisht. Kjo është ëndrra ime”.
Ai nuk qëndroi gjatë dhe u ngrit. E shoqërova deri tek makina. Ishte një foristradë model “Aro” e re. I gjithë rrethi i Kukësit kishte vetëm katër të tilla, një Sekretari i Parë, një Kryetari i Komitetit dhe dy Radio Kukësi, për vete rëndësinë që kishte ky institucion. Më vonë me një makinë të tillë, për 10 vjet rresht, unë do shkoja me shërbime në të gjitha zonat e rrethit dhe të rretheve të tjera që mbulonte Radioja.
Pozicioni i gazetarit të Radio Kukësit ishte nomenklaturë e Sekretariatit të Komitetit të Partisë së Rrethit që mblidhej një herë në muaj. Në mbledhjen e parë u paraqit si kandidaturë emri im, por nuk u miratua me pretendimin se do të krijoja familje dhe do të kërkoja shtëpi në qytet dhe u la që drejtori i Radios të paraqiste një kandidature tjetër që e kishte të zgjidhur problemin e strehimit. Në atë kohë strehimi në qytet ishte problem i madh. Në mbledhjen tjetër, pas një muaj, Drejtori i Radios, nuk paraqiti asnjë emër tjetër dhe këmbënguli përsëri për kandidaturën time. Në atë kohë Drejtori i Radios Hasan Pinci dhe Kryeredaktori i gazetës “Kukësi i Ri” Mustafa Hoxha, për vetë rëndësinë e posteve që mbanin, merrnin pjesë personalisht në këto mbledhje, kështu që u jepej direkt mundësia që t’i mbronin dhe argumentonin propozimet e tyre. Këtë herë propozimi u miratua dhe unë në mesin e qershorit të vitit 1980 u paraqita në zyrën e kuadrit të komitetit të partisë dhe mora emërimin.
Shansi, apo fati, që më hapi mua rrugën drejt Radios, ishte transferimi në Televizionin Shqiptar i redaktores Elizabeta Kamberi. Ajo ishte një gazetare e talentuar e ardhur nga Tirana me qarkullim dhe pas disa vitesh në Kukës u rikthye përsëri në televizion. Koincidenca ishte se unë rastësisht “kisha goditur në shenje” me atë bisedë me minatorët, pikërisht në çastin e duhur, sepse po kërkohej dikush për ta zëvendësuar vendin bosh që la Elizabeta dhe të gjeje një gazetar nuk ishte e lehtë. Gazetar nuk bëhesh as me mik, as me shkollë. Duhet të lindeshe me ketë prirje, të kesh dhunti krijuese, në të vërtetë si çdo prirje e veçantë qe lind së bashku me njeriun. Shkolla dhe përvoja pastaj e zhvillojnë dhe e perfeksionojnë, por s’mund ta krijojnë nga e para tek dikush që nuk e ka prirje të lindur. Këtë me sa duket e dinte mirë Hasan Pinci, ndaj dhe këmbënguli deri në fund.
NJË KOLEKTIV SI NJË FAMILJE
Të nesërmen në orën 8:00 u paraqita në punë. Radioja ishte akoma tek ndërtesa e vjetër në fund të zonës industriale. Drejtori më prezantoi me punonjësit e tjerë dhe më caktoi emisionet që do mbuloja, ndërsa hollësitë e punës dhe ndihmën e parë do m’i jepte përgjegjësi i redaksisë, Zaim Basha. Për mua kolektivi ishte krejt i ri. Të vetmin njeri që njoha nga i gjithë personeli ishte spikerja e radios, Fatime Sadiku. Me Fatimen kishim qenë nxënës në të njëjtën shkollë tetëvjeçare, në Sang të Fanit, pasi i ati ishte vendosur familjarisht nja dy vite në sektorin e minierës së Thirrës, pikërisht në afërsi të tunelit qe lidh sot rrugën e kombit me Kalimashin. U ndjeva mirë se të paktën njihja dikë dhe nuk do të ndjehesha krejt i huaj. Në të vërtetë, që në momentin e parë, jo vetëm që nuk e ndjeva fare kompleksin e të qenit i ri në një kolektiv, por mu duk sikur me ata njerëz kisha muaj e vite që punoja e jetoja. Të gjithë ishin njerëz të mrekullueshëm, dashamirës, të edukuar e të komunikueshëm dhe mbi të gjitha me dëshirën e mirë për të më ofruar ndihmë e miqësi të sinqertë. Një ambient i ngrohtë është shume i rëndësishëm kur nis një punë të re, sepse të jep krahë për të kapur shumë shpejt ritmin e punës.
Në atë kohë redaksia kishte vetëm katër gazetarë, Zaim Basha, Luan Fejzollari, Skënder Vaqari (i ardhur nga Radio Tirana) dhe unë, sepse edhe koha e transmetimeve ishte e reduktuar, diku tek tre orë në ditë. Me sa mbaj mend sinjali “ Ju flet Kukësi!” lëshohej në orën 5:00 mbas dite dhe mbyllej në orën 8:00 të darkës dhe pastaj lidhej për lajmet kryesore të mbrëmjes me Radio Tiranën. Zaimi përgatiste emisionet për arsimin dhe kulturën, Skënderit i ishin caktuar emisionet për historinë dhe traditën, Luanit industria dhe bujqësia, ndërsa mua mu caktuan emisionet për fëmijët, për mbrojtjen, shëndetësinë dhe gruan. Ndërsa emisionin e lajmeve e përgatisnim me radhë, çdo ditë njeri prej nesh. Sigurisht vit pas viti koha e transmetimit erdhi duke u zgjeruar dhe për rrjedhojë edhe gazetarët dhe personeli teknik u shtuan. Kështu nga Tirana erdhën Klementina Dika dhe Artjan Tepelena dhe transferimi i tyre përsëri në Tiranë u zëvendësua me Zeqir Hodën dhe Luan Sinamatin.
Gjithashtu pjesë e redaksisë ishte edhe redaktori i muzikës, Skënder Ruçi, i cili hartonte të gjitha programet muzikore që jepeshin gjatë ditës. Skënderi është edhe më jetëgjati në historinë e Radio Kukësit në atë vend pune. Erdhi nga bankat e shkollës dhe iku kur doli në pension. Fonoteka e radios ishte shumë e pasur, më e madhja në vend pas radio Tiranës, sepse studiot e reja krijuan kushte e mundësi për të regjistruar këngë dhe grupe muzikore nga të gjitha trevat veriore të Shqipërisë. Skënderi jo vetëm e njihte mirë muzikën, por kishte një aftësi të jashtëzakonshme për të mbajtur mend vendndodhjen e çdo kënge dhe regjistrimi në raftet pa fund të asaj fonoteke. Aso kohe nuk kishte lindur akoma kompjuteri dhe punohej me makina shkrimi e gjithçka duhej bërë fizikisht.
Në studiot e vjetra qëndruam pak muaj dhe në fund të atij viti (1980) u transferuam në godinën e re, ngjitur me pallatin e kulturës, ku është edhe sot. Ndërtesa ishte shumë moderne për kohën dhe e pajisur me të gjitha mjetet dhe kushtet e nevojshme, që nga zyrat e punës e deri tek studiot e regjistrimit e të transmetimit, të cilat ishin ndërtuar me materiale importi nga më cilësoret për të realizuar parametrat akustik. Në ato studio regjistroheshin këngë të reja me këngëtarë dhe grupe jo vetëm të Kukësit, por nga të gjitha rrethet e tjera të zonës verilindore. Aty kam përgatitur dhe regjistruar edhe unë me dhjetëra radiodramatizime për fëmijë. Nën drejtimin e krye inxhinieres Saime Ruka në ato studio punonin edhe teknikë shumë të aftë dhe të përkushtuar, si Sami Bala, Sefedin Shllaku, Fitore Shehu, Flutra Zhuta (Gjeli), Shemsie Muja, Besnik Shahini, Estref Haxhia, etj. Krahas studiove, në fund të zonës industriale, në Shtrazë, ishin antenat dhe stacioni i transmetimit që drejtohej, fillimisht nga inxhinieri Basri Ruka dhe më pas nga inxhinieri Gëzim Peposhi. Ndërsa për riparimin dhe mirëmbajtjen e aparaturave, jo vetëm në studio dhe stacion, por edhe të përforcuesve të sinjalit të transmetimit të vendosura në pika të larta dominuese të majave të maleve, kujdeseshin teknikët e talentuar Genc Musa, Mustif Dokle dhe Safet Tola.
Hasan Pinci nuk qëndroi gjatë në pozicionin e drejtorit. Një vit më vonë pasi vajta unë, në 1981 ai u rikthye përsëri në Tiranë dhe në vendin e tij u emërua Xhavit Biçaku. Xhaviti ishte një kuadër me përvojë dhe horizont intelektual e me aftësi drejtuese, por mbi të gjitha ishte një njeri i mirë, zemërbardhë, fjalëmbël, i drejtpërdrejtë. Burrë i urtë dhe zotni, siç i portretizojmë shpesh njerëzit për të cilët ruajmë respektin më të mirë për ta. Brenda limiteve që nuk këputeshin, ai të linte hapësirën e nevojshme për të qenë vetvetja dhe ishte i gatshëm për të të ndihmuar dhe për ta bërë sa më të lehtë dhe të dashur punën.
Mbi 10 vjet në këtë institucion, kurrë nuk më ka ndodhur, qoftë edhe një ditë të vetme të shkoj me bezdi në punë, siç gjithkujt i ndodh. Kjo vinte jo vetëm për faktin që e doja shumë profesionin që bëja, por edhe për një lloj pavarësie që kishim ne gazetarët, kryesisht në zbatimin e orarit të punës. Mund të shkonim në punë edhe pas orës 8:00 të mëngjesit, ashtu siç duhej të rrinim gjatë edhe pas orarit zyrtar të punës. Ne kishim një lloj norme. Emisionet duheshin realizuar pavarësisht se kur do punoje për to. Pastaj ishim një kolektiv i mrekullueshëm dhe kishim marrëdhënie të shkëlqyera me njeri-tjetrin. Linim në mëngjes familjen tonë të ngushtë dhe na dukej se shkonim po në familjen tonë më të madhe. Kështu ndjeheshim. Të paktën unë kështu jam ndjerë në kolektivin e Radio Kukësit, i cili ka mbetur unik për mua. Një të tillë kolektiv kurrë nuk e gjeta më, që nga “mirëmëngjesi” gjithë mirësi e respekt i policit tek dera. Radio ruhej 24 orë me shërbim policor për shkak të rëndësisë së veçantë dhe të gjithë personat që hynin ne godinë duhej të ishin pajisur me fletëhyrje. Pjesën më të madhe të kohës aty shërbyen Mark Buça, Myslym Dema dhe Avni Cengu, të cilët shkëmbenin turnet me njeri-tjetrin. Batutat plot humor të tyre ishin çdo ditë për ne një lloj terapie çlodhëse.
Pastaj natyra jonë e punës ishte e tillë që fare pak kohë shpenzonim në zyrë. Aty qëndronim vetëm kur shkruanim ndonjë tekst dhe hartonim platformën e emisionit apo bënim regjistrimet në studio. Pjesën tjetër ishim në teren, nëpër ndërmarrje, nëpër fshatra e zona të rrethit të Kukësit apo rrethe të tjera, si në Dibër, Tropojë e Pukë, të cilat Radio Kukësi i mbulonte. Nga këto shërbime dhe kontakte të vazhdueshme me njerëz të moshave e profesioneve të ndryshme mësova shumë dhe u rrita si njeri dhe si profesionist. Presidiumi i Kuvendit Popullor me pati akorduar edhe medaljen “Naim Frashëri”.
Vajtja në Radio me shpëtoj përfundimisht edhe nga zbori. Jo se nuk bënim fare, por ditët e zborit ishin si ditët e tjera të zakonshme të punës. Ishte llogaritur që në rast lufte Radio Kukësi të vazhdonte pa ndërprerje transmetimet, por ato do bëheshin në tunelet dhe studiot e blinduara të ndërtuara kastile në thellësi të nëntokës poshtë ndërtesës. Gjatë ditëve të zborit ne përgatisnim lajme dhe emisione të përshtatura për luftën kundër “armikut” të supozuar.
RADIO KUKËSI DHE KOSOVA
Nëpërmjet përforcuesve të fuqishëm që ishin vendosur përgjatë kufirit, sinjali i kësaj radioje dëgjohej i pastër në të gjithë territorin e Kosovës, por edhe në trojet shqiptare të Maqedonisë, pavarësisht zhurmuesve që kishin vendosur autoritetet serbe për ta penguar dëgjueshmërinë. Pas demonstratave të fuqishme të studenteve të Prishtinës të vitit 1981, Radio Kukësi pati një rol shumë të madh dhe të rëndësishëm dhe një meritë historike të jashtëzakonshme në zgjimin dhe mbajtjen gjallë të vetëdijes kombëtare. Në stacionin e Radio Kukësit aso kohe ishte ngritur edhe një stacion i fuqishëm 50 KW që transmetonte në kohë reale Radio Tiranën, enkas për të mbuluar me sinjal gjithë Kosovën. Ne këtej kufirit në atë kohë realisht nuk e dinim se çfarë impakti të fuqishëm kishte radioja jonë tek ata njerëz që përjetonin çdo ditë persekutimin dhe përndjekjen e regjimit serb. Nuk e dinim që ata e dëgjonin fshehurazi, bile mezi prisnin orën që të fillonte transmetimi, me vesh tek altoparlanti i radiove të tyre. Nuk dinim edhe faktin se disa prej tyre edhe ishin burgosur vetëm pse ishin kapur duke dëgjuar Radio Kukësin. Këto i mësuam më vonë, vetëm kur u hapën kufijtë dhe ata realizuan ëndrrën e tyre për të ardhur lirisht në Shqipëri. Jam habitur, por edhe emocionuar, kur vite më vonë në Peshkopi kam takuar një kosovar, i cili sapo mësoi emrin tim, si me padurim me pyeti: “Ti je Mëhill Tanushi që ke punuar në Radio Kukësi?” “Po i thashë” dhe ai më përqafoi sikur të isha një mik i vjetër i tij dhe shtoi: “Po unë ty të njoh! Sigurisht nuk jemi takuar kurrë fizikisht, por zërin tuaj, emisionet tuaja i kam dëgjuar rregullisht”. Dhe si për të më bindur se kjo është e vërtete, më shqiptoi edhe emrat e ish kolegeve të mij gazetarë dhe titujt e emisioneve që transmetoheshin në atë kohë. Dhe ky nuk qe rasti i vetëm që më ndodhi. Ata na mbanin si idhuj dhe ndoshta kishin të drejtë. Radio Kukësi ishte e vetmja dritare që u fliste shqip dhe u sillte jo vetëm një arome malli nga toka mëmë, por edhe një lloje force, shprese dhe guximi, për të kuptuar që ata nuk janë vetëm.
Radio Kukësi u quajt dhe ishte në të vërtetë edhe Radio Kosova. Ajo fuqishëm dhe me dinjitet e vazhdoi rolin e saj të pazëvendësueshëm në mbajtjen gjallë të atdhetarizmit, gjuhës dhe kulturës deri në çlirimin e plotë të Kosovës.
PAK HISTORI
16 Tetor 1959. Nga 4 altoparlantë të varur në pemët e lulishtes së Kukësit të Vjetër u dëgjua papritur sigla zanore “Ju flet Kukësi”! Kjo fjalë magjike që u shqiptua për herë të parë nga spikerja e parë, Eglantina Musa, fluturoi e hyri pa trokitur në familjet e qytetit, duke dhënë kështu sihariqin e nisjes së transmetimeve të Radio Kukësit, që më vonë do fuqizohej e do mbulonte me sinjal të gjithë zonën verilindore të Shqipërisë dhe mbarë Kosovën.
Ceremonia që shënoi ditën e startimit të kësaj radioje, që shpejt u bë e dyta në vend pas Radio Tiranës për nga rëndësia dhe dëgjueshmëria, ishte e thjeshtë. Një program i improvizuar në praninë e qindra qytetarëve dhe një shirit inaugurimi që pritet nga ish Presidenti i asaj kohe Haxhi Lleshi. Atëherë pak kush kishte aparate radioje në familje dhe njerëzit kureshtar dilnin e dëgjonin në lulishten e qytetit prej altoparlantëve të vendosur enkas. Fuqia transmetuese ishte shumë e vogël, vetëm 100 Wat dhe valët nuk depertonin larg. Por gjithsesi ishte një sukses. Po si u be e mundur kjo?
Teknikut me talent të lindur Genc Musa, që më vonë me emrin e tij do të lidhej çdo arritje në sektorin teknik të kësaj radioje, u thirr në fillim të atij viti që të punojë nën kujdesin e dy inxhinierëve të Radio Tiranës për të ngritur një stacion transmetimi me fuqi të vogël, 100 Wat. Kështu në mes të tetorit 1959 stacioni ishte gati për të lëshuar sinjalin. Pas katër vitesh, Gencit i’u bashkua edhe një talent tjetër në fushën e elektroteknikës, Mustrif Dokle. Kjo dyshe e papërsëritshme, të ndihmuar nga teknikë të tjerë profesionistë dhe të përkushtuar, bënë të mundur që Radio Kukësi të rritej e të fuqizohej vit pas viti. Shumë shpejt fuqia transmetuese u rrit në 1 KW dhe në vitin 1969 u bë i mundur transmetimi me fuqi 16 KW, duke e shtrirë dëgjueshmërinë me valë të mesme edhe në territorin e Kosovës dhe Maqedonisë, ndërsa me valë të shkurtra mbulohej gjithë Evropa dhe deri në vendet skandinave dhe Kinë e Kore. Gjatë viteve 1998 dhe 1999 kjo radio luajti një rol shumë të madh për të pasqyruar non stop luftën çlirimtare të Kosovës dhe eksodin e madh të të përndjekurve kosovarë nga trojet e tyre për në Kukës e zona të tjera të Shqipërisë. Nga viti 2009 Radio Kukësi ka kaluar në transmetim 24 orësh.
Prej krijimit të saj në vitin 1959 e deri në vitin 1992 Radio Kukësin e kanë drejtuar Jashar Haxhiu, Hamdi Shllaku, Mustafa Hoxha, Haxhi Sinamati, Hasan Pinci dhe Xhavit Biçaku. Ndërsa prej vitit 1992 drejtorë të Radio Kukësit kanë qenë Izet Duraku, Suzana Spahiu, Qemal Demhasa, Nermin Spahiu, Petrit Palushi dhe Jonuz Hallaçi.
Disa nga redaktorët që kanë kaluar nëpër ketë shkollë të madhe të gazetarisë, siç mund ta quaj pa mëdyshje Radio Kukësin, para vitit 1991, ishin Naim Mani, Ndue Ukcama, Zija Çela, Pandeli Shehu, Lutfi Matmuja, Elizabeta Kamberi, Zaim Basha, Skender Vaqari, Luan Fejzollari, Mëhill Tanushi, Klementina Dika, Artjan Tepelena, Zeqir Hoda dhe Luan Sinamati. Ndërsa pas viti 1991 ishin Bajazit Cahani, Izet Duraku, Rexhep Shahu, Petrit Palushi, Jonuz Hallaçi, Sulejman Dida, Suzana Spahiu, Besim Cengu, Blerina Halili, Miriana Perzhita, etj. Duket sikur këto dy periudha i kam ndarë si para dhe pas “Erës së Re”, por në të vërtetë kështu ishte. Para ndryshimit të sistemit çdo gjë që transmetohej kalonte në filtrin politik. Në atë kohë, përveç emisionit të lajmeve që edhe ai ishte i kontrolluar dhe spikerja lexonte çfarë ishte e shkruar, asgjë tjetër nuk transmetohej direkt. Kurse pas vitit 1991 gazetarët ishin të lirë në krijimtarinë dhe raportimet e tyre dhe u aplikuan në masë transmetimet direkte.
Në vitin 2019, në 60 vjetorin e krijimit të saj, Radio Kukësi është nderuar nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë: “Kalorësi i Urdhrit të Flamurit”, duke vlerësuar edhe të gjithë brezat e gazetarëve dhe teknikëve që kanë kontribuar ndër vite me përkushtim e dashuri të madhe për këtë radio aq të dashur në Shqipëri dhe Kosovë.
EMOCIONET E LARGIMIT
Në fillim të vitit 1991, era e ndryshimeve demokratike kishte filluar të përhapej anekënd Shqipërisë. Në Tiranë sapo kishte filluar të botohej gazeta “Rilindja Demokratike” dhe unë kisha vendosur të bëhesha pjesë e redaksisë së parë të kësaj gazete. Por këtë vendim timin më duhej ta mbaja për vete dhe të mos e flisja me njeri pa e bërë fakt të kryer. Tani këto gjëra duken krejt normale, por në atë kohë situata politike ishte eksremisht e acaruar dhe çdo gjë mund të të ndodhte. Me të vetmin shok që e kisha biseduar ishte Zeqir Hoda. Por gjithsesi nuk më dukej burrërore të ikja ashtu fshehurazi. Pasi mora biletat për linjën e autobusit Kukës-Tiranë për të nesërmen në orën 8:30 të mëngjesit, në darkë vonë me Zeqirin ftuam për një kafe edhe Zaim Bashën dhe Sami Balën për tu treguar edhe atyre çfarë kisha vendosur. Këta ishin tre shokët e mij më të afërt.
Të nesërmen në orën 8:00 u paraqita në punë dhe shkova menjëherë në zyrën e drejtorit dhe i tregova Xhavitit për vendimin që kisha marrë. Ishte hera e parë që u ndjeva keq para tij nga që isha i bindur se do ta vija edhe atë në pozitë të vështirë. Një drejtori “autoritar” dhe “vigjilent” do t’i duhej që në atë çast të telefononte eprorët e tij ose së paku të më bombardonte me “këshilla miqësore”, por Xhaviti pa u menduar asnjë sekondë me tha: “Tu priftë mbarë! Çfarë mund të bëj për ty?” I thashë nëse është e mundur të më jepte librezën e punës. Ai thirri menjëherë shefen e kuadrit dhe i kërkoi librezën time. E firmosi dhe vulosi me shënimin se po largohem me dëshirën time. Mbeta vërtetë i shokuar. As shënimin se po “braktis punën” nuk e bëri. I dhashë dorën dhe dola nga zyra. Ai më ndoqi nga pas. Me siguri po i vinte keq që po ndaheshim. Pastaj hyra në të gjitha zyrat e kolegëve dhe teknikëve të katit të tretë. Të gjithë më ndoqën nga pas. Pastaj e njëjta gjë edhe në studiot e katit të dytë derisa i gjithë kolektivi i radios së bashku me drejtorin doli në oborr. Ndarja me ketë kolektiv të mrekullueshëm ishte krejt e papritur e mallëngjyese për ata dhe për mua. 10 vjet e gjysmë punë dhe miqësi të përbashkët, që kanë mbetur më të bukurat e jetës time, krijuan në atë çast një nostalgji ngashëruese.
Hapat drejt stacionit të autobusëve i hodha si në ajër. Nuk isha as në qiell as në tokë. Nuk guxoja të ktheja kokën pas. I gjithë kolektivi i radios ishte si i shtangur ende aty, duke ndjekur hapat e mij. Nuk arrita t’i kontrolloja lotët, as në ato çaste, as gjatë gjithë rrugës për Tiranë. Po linja mbrapa jo vetëm atë kolektiv të mrekullueshëm, por një pjese të jetës time, pjesën më të bukur. Në të vërtet po lija një çerdhe të ngrohtë jetese që kishim krijuar me mund dhe sakrifica dhe bashkë me gruan dhe dy fëmijët po shkonim drejt vështirësive të mëdha që na prisnin. Vetëm me rrobat e trupit, pa pasur asgjë të sigurt për strehimin dhe punën për bashkëshorten, po shkoja në një redaksi gazete që kërcënohej çdo ditë se do të hidhej në erë…
Gjithsesi kisha bindjen se vështirësitë e çastit do të ishin shumë më të vogla se arritjet e mija profesionale. Punoja në një gazetë që njerëzit mbanin radhë, si në radhën e qumështit për ta blerë. U bëra koleg pune me gazetarët më në zë të Shqipërisë, si Preç Zogaj, Frrok Çupi, Teodor Keko, Mitro Çela, Filip Çakulli, Ben Blushi, Visar Zhiti, Bujar Xhaferi, Elsa Ballauri, Vera Isaku, Genc Tirana, Armand Shkullaku, Blendi Fevziu, Skënder Minxhozi, Rudina Xhunga, Lorenc Vangjeli, Andrea Stefani e të tjerë. U bëra anëtar i Shoqatës së Gazetarëve Profesionist me qendër në Bruksel. Hyra në rrethet më të larta intelektuale dhe kisha kontakte e miqësi pothuajse me të gjithë shkrimtarët e poetët më të njohur të vendit. Dhe e gjithë kjo falë rrugës që më hapi dhe përvojës që më dha Radio Kukësi, së cilës i jam për jetë mirënjohës.
*(Ish gazetar i Radio Kukësit 1980-1991)
- Gjyqi historik në Francë/ Presidenti Macron falënderon Gisele Pelicot: Dinjiteti dhe kurajoja juaj kanë inspiruar botën! - 20/12/2024
- Përqafime dhe të qeshura! Dalin pamjet nga takimi i Ramës, Kurtit dhe Osmanit/ Momenti epik kur kryeministri i jep dorën edhe Spiropalit - 20/12/2024
- Sopranoja: Parashqevia komuniste? Godole injorante dhe me prejardhje komuniste! - 20/12/2024