Kryeinspektori i Përgjithshëm, Dash Sula, ka prezantuar drejtimet kryesore të reformës në sistemin e inspektimit, gjatë fjalës së mbajtur në Konferencën Ndërkombëtare mbi Investimet dhe Përmbushjen e Kërkesave Ligjore.
Sula theksoi se sfidat e sotme kërkojnë një qasje të re, ku inspektimi të mos përqendrohet vetëm te kontrollet dhe masat ndëshkuese, por kryesisht te parandalimi i shkeljeve dhe respektimi i ligjit.
“Sfidat e sotme kërkojnë një qasje të re ndaj mënyrës se si ushtrohet ky funksion. Një sistem modern inspektimi nuk mund të vlerësohet vetëm nga numri i kontrolleve apo masave administrative, por mbi të gjitha nga aftësia për të parandaluar shkeljet, për të reduktuar risqet dhe për të nxitur respektimin e ligjit”, u shpreh Sula.
Ai nënvizoi se ky është thelbi i reformës që po ndërmerret, duke synuar kalimin nga një model i përqendruar te kontrolli dhe sanksioni drejt një sistemi që vendos në qendër parandalimin, analizën e riskut, këshillimin dhe përputhshmërinë me standardet ligjore.
“Ky ndryshim nuk nënkupton dobësimin e rolit kontrollues të shtetit, përkundrazi synon ta bëjë atë më efektiv, më proporcional dhe më të orientuar drejt rezultateve. Ne synojmë një sistem ku burimet institucionale përqendrohen aty ku rreziku për interesin publik është më i lartë, ndërsa subjektet që respektojnë ligjin përfitojnë nga një administratë më e parashikueshme dhe nga reduktimi i barrës së panevojshme administrative”, deklaroi kryeinspektori.
Sula bëri të ditur se prioritetet e reformës përfshijnë konsolidimin e inspektimit të bazuar në risk, unifikimin e metodologjisë së mbikëqyrjes, forcimin e koordinimit institucional dhe modernizimin e proceseve përmes digjitalizimit dhe përdorimit më efektiv të të dhënave.
Një tjetër drejtim i rëndësishëm, sipas tij, është rritja e transparencës dhe komunikimit me qytetarët dhe bizneset, si dhe përmirësimi i mekanizmave për trajtimin e ankesave.
“Njëkohësisht, forcimi i transparencës, komunikimit me qytetarët dhe bizneset, përfshirë mekanizmat e trajtimit të ankesave, si dhe platforma ‘e-Albania’, do të kontribuojnë në rritjen e përgjegjshmërisë institucionale”, theksoi Sula.
Ai vuri në dukje gjithashtu rëndësinë e investimit te burimet njerëzore, duke e cilësuar profesionalizmin e trupës inspektuese dhe zhvillimin e kapaciteteve si elementë thelbësorë për suksesin e reformës.
“Një reformë e qëndrueshme kërkon investim te njerëzit. Për këtë arsye, profesionalizmi i trupës inspektuese, zhvillimi i kapaciteteve dhe komunikimi i vazhdueshëm do të mbeten prioritete të rëndësishme të punës sonë”, u shpreh ai.
Kryeinspektori theksoi se një prej objektivave kryesorë të reformës është ndërtimi i një marrëdhënieje të re mes administratës inspektuese dhe sektorit privat, ku bashkëpunimi, parandalimi dhe respektimi i kërkesave ligjore të jenë në qendër të këtij procesi.
- Reforma e inspektimeve/ Ministrja Ibrahimaj: Në vitin 2027 do ngremë sistemin e ri, synojmë të shmangim mbivendosjen e kontrolleve! - 06/11/2026
- “Qasje e re dhe sistem modern kontrolli”- Kryeinspektori Sula: Reformë në sistemin e inspektimit, prioritet parandalimi i shkeljeve dhe zbatimi i ligjit - 06/11/2026
- “Do takohem me lider të ndryshëm që ju keni zgjedhur”, mesazhi i ambasadorit Wendt për shqiptarët: Ja tre prioritetet e bashkëpunimit SHBA-Shqipëri - 06/11/2026