Sikurse bëri gjatë administratës së parë, Trump edhe njëherë tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe kërkoi një rishikim të përgjithshëm të shpenzimeve të bëra jashtë shtetit. Të dyja lëvizjet përkojnë me politikën e tij “Amerika e Para”.
Gjatë nënshkrimit të urdhrit, Trump theksoi se OBSH e keqpërdori pandeminë COVID-19 dhe kërkoi pagesa të padrejta nga Shtetet e Bashkuara.
Lëvizja e Trump jo vetëm ndërpret transferimin e fondeve qeveritare amerikane, por edhe çon në riorganizimin e kompanive kontraktore që punojnë me organizatën. Pas këtij vendimi do të ketë një rikthim në SHBA të të gjithë personelit federal dhe kontraktorëve që punojnë me këtë agjenci.
Gjithashtu, urdhri ekzekutiv përmban edhe një kërkesë për të gjetur “partnerë të besueshëm dhe transparentë” për të mbështetur aktivitetet shëndetësore globale që më parë janë mbikëqyrur nga OBSH.
Para se të realizohet tërheqja, SHBA duhet të respektojë një periudhë marrveshjeje për një periudhë njëvjeçare, ku duhet të përmbushë detyrimet financiare ndaj organizatës për vitin aktual fiskal.
Megjithatë, ky urdhër përmend edhe një tjetër aspekt të rëndësishëm: administrata Trump ka theksuar se OBSH nuk ka arritur të realizojë reformat e nevojshme për të menaxhuar krizën globale të shëndetit dhe ka qenë e papërshtatshme në përgjigjen ndaj pandemisë COVID-19, për shkak të ndikimit politik të shteteve anëtare.
Trump gjithashtu ka kritikuar kontributin e pabarabartë të vendeve të ndryshme, duke përmendur Kinën, e cila pavarësisht popullsisë shumë të madhe, paguan disa herë më pak se SHBA-të.
“Ne i paguam 500 milionë dollarë OBSH-së kur unë isha këtu dhe i dhashë fund. Ata donin që ne të ktheheshim. Do të shohim ç’do të ndodhë. Është trishtues fakti se Kina paguan 39 milionë dhe ne 500 milionë, kur Kina është një vend më i madh”, tha Trump.
Shumë shkencëtarë druhen se kjo masë do të sjellë dobësimin e luftës kundër sëmundjeve infektive si HIV/AIDS, malaria dhe tuberkulozi. Ekspertët gjithashtu paralajmërojnë se ajo do të dobësojë edhe mbrojtjen e botës nga virozat në gjendje të kthehen në pandemi.