25.8 C
Tirana
12 / 06 / 2026

Politika dhe shëndeti në vijën e parë të dezinformimit sipas të moshuarve

Të moshuarit janë ndër grupet më të ekspozuara ndaj sfidave të epokës digjitale. Përballë një fluksi të vazhdueshëm informacioni dhe përdorimit në rritje të rrjeteve sociale, ata shpesh gjenden në vijën e parë të dezinformimit dhe mashtrimeve online.
Jo rrallëherë, të moshuarit bien pre e informacioneve të pavërteta që qarkullojnë në platformat digjitale, duke ndikuar në vendimet e tyre të përditshme. Kjo është një nga gjetjet kryesore të studimit “Të moshuarit në epokën digjitale”, të realizuar nga Faktoje, i cili analizon mënyrën se si gjenerata e tretë informohet, sa e ekspozuar është ndaj dezinformimit dhe cilat janë pasojat e këtij fenomeni.
Studimi u zhvillua në Tiranë, Durrës, Korçë dhe Shkodër, ku u intervistuan 207 pensionistë përmes anketave dhe bisedave ballë për ballë. Gjetjet tregojnë se televizioni mbetet burimi kryesor i informacionit për të moshuarit. Rreth 96.6% e të anketuarve e përdorin televizionin për t’u informuar, ndërsa 83.1% e konsiderojnë atë burimin më të besueshëm të lajmeve.
Megjithatë, jeta digjitale e kësaj grupmoshe po zgjerohet çdo ditë. WhatsApp përdoret nga 68.6% e të anketuarve, Facebook nga 59.9% dhe YouTube nga 55.1%, duke rritur ekspozimin e tyre ndaj përmbajtjeve të paverifikuara dhe mashtrimeve online.
Një nga gjetjet më shqetësuese të studimit është se 36.1% e të anketuarve pranojnë se lajmet e rreme kanë ndikuar në vendime që lidhen me shëndetin, financat apo votimin. Ndërkohë, 46.3% nuk janë të sigurt nëse kanë besuar apo shpërndarë ndonjëherë informacion të rremë, çka tregon vështirësinë në dallimin e fakteve nga dezinformimi.
Gjatë prezantimit të studimit në Shtëpinë e Evropës në Tiranë, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, theksoi rëndësinë e informacionit të besueshëm dhe rreziqet që sjell dezinformimi për demokracinë dhe proceset e vendimmarrjes.
“Nuk mjaftojnë vetëm spotet ndërgjegjësuese për brezin e tretë. Është e rëndësishme që ata të pajisen me aftësi për verifikimin e informacionit, në mënyrë që të jenë më të mbrojtur dhe të rezistojnë ndaj ndikimeve apo përpjekjeve të aktorëve të ndryshëm që synojnë të shtrembërojnë narrativat dhe të përhapin dezinformim. Kjo i bën ata veçanërisht të cenueshëm ndaj teorive konspirative dhe informacionit të rremë apo çorientues”, tha ai, duke shtuar se Shqipëria nuk është imune ndaj dezinformimit, qoftë ai i brendshëm apo i ndikuar nga aktorë të jashtëm.
Në fjalën e saj, drejtoresha ekzekutive e qedndrës Faktoje, Klodiana Kapo, tha se projekti lindi nga nevoja për të kuptuar më mirë mënyrën se si të moshuarit përballen me informacionin në një kohë kur lajmet e rreme janë kthyer në sfidë të përditshme. Ajo theksoi se Faktoje ka punuar drejtpërdrejt me të moshuarit, jo vetëm për t’i informuar, por edhe për të mësuar prej përvojave të tyre.
“Ne kemi mësuar shumë nga ajo që kemi dëgjuar gjatë këtij procesi. Përmes këtij studimi, të realizuar me mbështetjen e Delegacionit të Bashkimit Europian, kemi komunikuar drejtpërdrejt me 207 të moshuar në katër qytete: Tiranë, Durrës, Korçë dhe Shkodër”, u shpreh Kapo.
Sipas saj, gjetjet tregojnë se dezinformimi nuk ndikon vetëm te mënyra se si njerëzit mendojnë, por edhe te vendimet që marrin për çështje të rëndësishme si shëndeti, financat apo votimi.
“Dezinformimi nuk prek vetëm një person, por ndikon në mënyrën se si qytetarët mendojnë dhe vendosin. Nëse luftojmë dezinformimin, do të kemi qytetarë më të informuar, institucione më të besueshme dhe një demokraci më të mirë”, theksoi Kapo.
Sipas të dhënave të studimit, politika dhe shëndeti janë dy fushat ku të moshuarit perceptojnë nivelin më të lartë të dezinformimit. Plot 74% e të anketuarve mendojnë se politika është veçanërisht e prekur nga lajmet e rreme, ndërsa 71.6% shprehen të njëjtën gjë për informacionet që lidhen me shëndetin.
Studimi “Të moshuarit në epokën digjitale” vjen si një thirrje për më shumë vëmendje ndaj nevojave të gjeneratës së artë në hapësirën digjitale. Gjetjet tregojnë se dezinformimi nuk është thjesht një problem i internetit apo i rrjeteve sociale, por një fenomen që ndikon drejtpërdrejt në shëndetin, financat dhe vendimet e përditshme të të moshuarve. Përballë këtij realiteti, edukimi mediatik dhe mbështetja institucionale mbeten ndër mjetet më të rëndësishme për t’i ndihmuar ata të lundrojnë me siguri në botën e informacionit.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x