1.5 C
Tirana
03 / 12 / 2024

PE: Gazi natyror e centralet bërthamore – investime miqësore ndaj klimës

Parlamenti Evropian votoi të mërkurën (06.07) në favor të një propozimi në lidhje me etiketimin e gazit natyror dhe centraleve bërthamore si investime miqësore ndaj klimës. Propozimi, i quajtur zyrtarisht si “Taksonomia e BE-së”, u publikua në dhjetorin e kaluar nga Komisioni Evropian, si një listë e aktiviteteve ekonomike që investitorët mund të etiketojnë dhe tregtojnë nën siglën “e gjelbër”.

Mocioni për të bllokuar këtë propozim mori 278 vota pro, 328 kundër dhe 33 abstenime. Nëse 20 nga 27 shtetet anëtare të BE-së nuk do ta kundërshtojnë propozimin, ai do të miratohet si ligj.

Një plan i debatueshëm

Propozimi hasi fillimisht në rezistencë midis disa shteteve anëtare të BE -së, me një kamp të udhëhequr nga Franca duke mbështetur fuqimisht etiketën “e gjelbër” për gazin natyror dhe energjinë bërthamore. Ndërkohë, Gjermania, e cila ka ndërprerë projektin e saj për centralet bërthamore, e kundërshtoi planin.

Deutschland | Pipeline Nord Stream 1

Disa grupe ambientaliste dhe ligjvënës të BE -së kanë pasur kritika gjithashtu. Madje, Austria dhe Luksemburgu kanë kërcënuar të padisin BE nëse plani miratohet. Megjithatë, propozimi ka mbështetjen e shumicës së Partisë Popullore Evropiane të qendrës së djathtë, grupi më i madh i ligjvënësve në Parlamentit Evropian.

Ligjvënësit e grupit të qendrës “Renew Europe” ishin kryesisht në favor të propozimit, ndërsa të Gjelbërit dhe Social Demokratët kryesisht e kundërshtuan atë. Një numër prej 353 ligjvënësish, nga 705 që janë gjithsej në Parlament, janë të nevojshëm për ta rrëzuar një plan të tillë.

Rusia përfiton nga etiketimi mbi gazin

Ulja drastike e furnizimeve të gazit rus në Evropë javët e fundit ka shkaktuar më shumë kundërshtim ndaj klasifikimit të gazit si “i gjelbër”. “Është politikë e ndyrë dhe rezultat fyes ky i etiketimit të gazit dhe energjisë bërthamore si “të gjelbër”, dhe dërgimi ‘lumë’ i parave në arkën e luftës së Putinit”, thotë Adriana Rodrigo, lobuese e “Greenpeace”. “Do ta çojmë këtë çështje në gjykatë” – shtoi ajo.

Paul Tang, ligjvënës hollandez i BE-së, me Social-Demokratët e qendrës së majtë, e kritikoi këtë plan, me argumentimin se ai është ndikuar nga lobi i Gazprom dhe Rosneft, dy kompanive ruse të energjisë.

Central atomik në Isar, Gjermani

Ku qëndron Gjermania në këtë situatë?

Fillimisht Gjermania e kundërshtoi propozimin e Komisionit Evropian për ta etiketuar energjinë bërthamore si “të gjelbër”. Gjatë së mërkurës (06.07) Steffen Hebestreit, zëdhënës i kancelarit gjerman Olaf Scholz, tha se Berlini “i qëndron këtij pozicionimi dhe e konsideron energjinë bërthamore si të paqndrueshme.”

“Sidoqoftë, qeveria gjermane beson se taksonomia është një instrument i rëndësishëm për arritjen e objektivave të mbrojtjes së klimës, sepse është e qartë se gazi natyror është një teknologji e rëndësishme drejt rrugës së neutralitetit ndaj karbonit” – shtoi Hebestreit.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x