Partia Demokratike e Kosovës nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket Vjosa Osmanit dhe kandidaturës së saj të mundshme për presidente.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri të enjten tha se vendit nuk i bën nder dikush që ka pasur qasje të njëanshme.
“Nuk dua të lëshohem në emra të përveçëm, por mendoj që vendit nuk i bën nder dikush që ka pasur qasje të njëanshme dje, dikush që e përfaqëson vetëm një grup ose një subjekt, pra po flasim për dikë që është mbi partitë politike”, u shpreh shefi i Grupit Parlamentar të PDK, Arian Tahiri.
Tahiri po ashtu tha se PDK-ja është e gatshme të sjell edhe një emër për president, nëse një gjë e tillë kërkohet.
“PDK-ja nuk është e interesuar për marrëveshje politike, është e interesuar të ketë qasje pro aktive, pozitive mbështetëse për institucionet. Nëse është e nevojshme dhe e arsyeshme e kërkohet, padyshim që PDK-ja do nxjerrë edhe emër”, u shpreh Tahiri.
Shefi i grupit parlamentar të partisë më të madhe opozitare deklaroi se nëse mungon vullneti për të arritur zgjidhje për president, PDK-ja është e gatshme të shkojë në zgjedhje.
Presidenti i ri i Kosovës duhet të zgjidhet më së largu më katër mars, ndryshe imponohen zgjedhjet e parakohshme.
Përkundër takimeve ndërpartiake ende nuk ka një kandidat për president, ndërkohë që nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca të mërkurën deklaroi se një emër nga Familja Jashari sjell konsensus në shoqëri.
Deri më tani, asnjë kandidaturë nuk është zyrtarizuar pasi nuk janë mbledhur 30 nënshkrimet e kërkuara, Presidentja aktuale Vjosa Osmani synon edhe një mandat tjetër e Ramush Haradinaj ish-kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, është shprehur i gatshëm për garë.
- “Marrëveshje e fshehtë me Rubion për njohjen e Kosovës”/ Ish-ambasadori serb zbulon prapaskenat: Vuçiç do e pranojë për të qëndruar në pushtet - 26/02/2026
- Zbulohet dëshmia e Kryemadhit brenda SPAK: Kur unë dashuroja Ilir Metën dhe protestoja për Fatos Nanon, ju pretendoni… - 26/02/2026
- PDK nuk ka votë për Osmanin: Po na u kërkua, propozojmë një kandidat për president - 26/02/2026