8.5 C
Tirana
09 / 02 / 2026

Pas problemeve me drejtësinë, Zef Hila kërkon rikthimin në krye të bashkisë së Vaut të Dejës

Deputeti i PD-së Zef Hila ka shpallur kandidaturën për Primaret e Sali Berishës për bashkinë e Vaut të Dejës. Hila kërkon rikthimin në krye të bashkisë së Vaut të Dejës, pasi e ka drejtuar nga vitet 2015-2019, kur PD vendosi që të bojkotojë zgjedhjet. Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, Hila thekson se ai ka vendosur që të kandidojë pasi qytetarët i kërkuan që të futet sërish në garë, ndërsa ka premtuar se ato do të fitojnë.

“Dua të ndajë sot me ju vendimin për të paraqitur kandidaturën time për Kryetar të Bashkisë Vau Dejës, nëpërmjet proçesit të Primareve.

Kam marrë këtë vendim për disa arsye, të cilat dua t’i paraqes këtu, bazuar në integritetin tim, në përgjegjshmërinë dhe eksperiencën time, në respekt të marrëdhënieve të forta, që kemi ndërtuar bashkë në shumë vite, për të gjetur mirëkuptimin me ju, qytetarë, demokratë, simpatizantë dhe çdo banor në territorin e Bashkisë Vau Dejës”, thotë ndër të tjera deputeti Zef Hila.

Më tej, deputeti demokrat shpjegon se Primaret janë një mundësi, një kulturë politike dhe institucionale dhe unë kam vendosur t’i nënshtrohem këtij procesi, ta respektoj ketë standard si i barabartë për të gjithë. Partia Demokratike në Vau Dejës ka një histori të sajën suksesi dhe të qëndrueshme. Ajo është e gjallë dhe e fortë, ajo nuk tërhiqet në misionin e saj, për të çuar shërbimet publike afër çdo qytetari, në çdo lagje dhe fshat sado i vogël apo i largët qoftë ai.

“Bashkia e Vau Dejës-it është e të gjithëve, dhe ne do të punojmë për të gjithë, në mënyrë të hapur dhe me transparencë. Ky është programi i Partisë Demokratike, këto jemi ne, kështu të hapur për të gjithë do ta mbajmë bashkinë dhe nesër. Së fundmi, duke përfituar nga ky rast, dëshiroj t’ju ftoj të gjithëve anëtarë, simpatizantë, mbështetës, të ndjeheni të lirshëm në shprehjen e mendimit, dhe në zgjedhjen dhe votimin e tuaj në primare.

Zgjedhja juaj do t´ju rikthej dinjitetin e munguar, do t´ju rikthej shërbimet e cunguara, do t´ju rikthejë pjesëmarrjen dhe përfaqësimin në vendimmarrjen për lagjen tuaj, fshatin tuaj, njësinë tuaj, bashkinë tuaj, për të mirën e familjes tuaj! Merrni në dorë fatet tuaja, të familjeve tuaja, me optimizëm e besim për të ndërtuar jetën dhe të ardhmen në tokën tuaj, në traditën tuaj, në respekt të gjyshërve dhe prindërve tuaj! Faleminderit përzemërsisht për mbështetjen tuaj!”- shkruan Hila.

Artikujt më të kërkuar

3
0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x