32.5 C
Tirana
26 / 07 / 2024

Ora e së vërtetës për Gjykatën Kushtetuese

Nga Av. Ledio Alite

Në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, po shqyrtohet një nga ligjet e kontestuara në formën më serioze të mundshme nga grupet e interesit deri sot. Ligji i ri “Për tatimin mbi të ardhurat”, nisi zbatimin me profesionet e lira nga 1 janari 2024 dhe profesionistëve u kanë ardhur tashmë faturat e kripura, e ndërsa paqartësitë për mënyrën si po zbatohet ky ligj janë të shumta.

Tregu i anketuar nga burime serioze informacioni, deri më tani ka vetëm një përgjigje, “dekurajim”, “demotivim”, në mos “dorëzim” e “hedhje çelësash”. Por pse ndodh ky reagim? A është ai i sinqertë apo kapriçoz? Dhe çfarë duhet të mbajë parasysh Gjykata Kushtetuese në vlerësimin e përgjithshëm të të drejtave dhe lirive që mund të cenojë ky ligj?

Së pari, ndihet një reagim i çuditshëm nga bashkëatdhetarë që jetojnë në Evropë apo dhe thjesht përçues lokal të opinionit të tyre, të tipit: “Ta dini ju sa paguajmë ne…”, ose “Hajde mos u qani se ne na mbytën”. Po ashtu jo çuditërisht, reagimi i brendshëm nga grupet e prekura të interesit ndodh për një arsye shumë të thjeshtë. Xheremi Bentam shkruante dikur se njerëzimi, udhëhiqet nga dhembja dhe kënaqësia. Njerëzit në përgjithësi veprojnë për të shmangur ose shëruar dhembjen, apo për të arritur kënaqësi. Në këtë rast, duke qenë se tatimet dhe vdekja janë të vetmet gjëra të sigurta në këtë botë, duket se profesionisti shqiptar lipset të reagojë në mënyrë që të shmangë një hall të madh nga ky tatim i ri. 

Në anketat e realizuara janë parashtruar me shifra dhe me argumenta arsyet e rëndesës së këtij tatimi mbi të ardhurat e profesioneve të lira, fakte që na çojnë të kuptojmë se ky reagim është i sinqertë. Por a ka vend Shqipëria për këtë treg të profesioneve të lira, apo dhe ata që kanë mbetur janë si ujët e pakët? A mos ndoshta kështu rritet meritokracia dhe mbijetojnë vetëm ata që kanë kapacitete? Kjo e fundit është një pyetje tejet subjektive e cila kurrsesi nuk mund të përdoret si argument. E megjithatë në këtë absurd ngrihen dilemat mbi këtë politikë të re fiskale që po aplikohet. Pra, kush ka të drejtë? 

Objektivisht, Gjykata Kushtetuese ka një rol vendimtar në përcaktimin e zhvillimit ekonomik cilësor nëpërmjet kësaj çështjeje. Pyetja e parë që shtrohet është: Çfarë është një profesionist i lirë? Një profesionist i lirë është një individ i mirëarsimuar, i cili ka investuar jetën e tij në zhvillimin intelektual dhe formimin e personalitetit profesional. Ka bërë shumë rrugë me arka bosh për të arritur aty ku është sot, dhe nuk është dorëzuar në asnjë moment përballë ashpërisë së këtij tregu. Ka qendruar i lirë, sepse është puna e tij që e bën të lirë, si kudo në të gjithë botën. Dhe pikërisht ky individ, a mund të tatohet në kushte jo përpjestimore me shtresat e tjera? Kjo shtresë e hollë e mesme që i ka mbetur byrekut të kësaj Republike, e që ndihet se po i thahet brumi dita ditës. 

Dhe pyetja e dytë që shtrohet dhe për kolegët bashkëatdhetarë: A i merr mbrapsht në shërbime ky profesionist i lirë gjithë këto tatime që i marrin frymën? A mund të kryejë Gjykata Kushtetuese një arsyetim të tillë të gjendjes së një vendi ku çdo ditë procedohen abuzime të tmerrshme me taksat e qytetarëve? Sigurisht që jo, gjykata nuk është organ politik, por mund ta ketë në vëmendjen e përgjithshme të arsyes dhe të vendosë në peshore rëndësinë e pagesës së këtij tatimi, përkundër rëndësisë për të mbajtur të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve të mbrojtura, duke garantuar që të gjithë mund të jetojnë dhe punojnë në këtë rrugë me djersën e tyre, e duke mbrojtur kështu interesin publik, duke mos i lënë drangull zyrat e profesionistëve të cilët po luftojnë me një realitet të ashpër ekonomik çdo ditë. Me siguri, këtë shfaqje po e ndjekin edhe gjimnazistët, edhe të miturit, kandidatët për tatimpagues të së nesërmes.

Në kuptim të mbrojtjes së të drejtës publike, interesat private të kësaj shtrese të shoqërisë, përbëjnë një nyje strategjike e cila kurrsesi nuk duhet të këputet, pasi efekti domino mbi të gjithë ekonominë do të jetë i llahtarshëm. Nëse psikologjikisht, profesionistët ezaurohen, duke mos e duruar më etiketimin “ja dhe intelektuali i shkretë”, një përplasje shumë e mundshme ekonomike e pret vendin, dhe për këtë shkak, kjo është ora e së vërtetës për Gjykatën Kushtetuese.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x