11.7 C
Tirana
18 / 05 / 2025

Non-grata e Berishës edhe mund të hiqet, por deri më sot nuk ka ndodhur

Nga Ervis Iljazaj

Një gazetar amerikan, Mark Caputo, kishte pyetur një person që nuk dihet ende se kush është në Departamentin e Shtetit Amerikan nëse Sali Berisha mund të udhëtojë në Amerikë? Ky i fundit i ishte përgjigjur se edhe mund të ndodhë. Dhe këtë gjë, gazetari nuk e kishte postuar në ndonjë gazetë apo portal, por thjesht nëpërmjet një cicërime në rrjetin e tij social. Vetëm kaq mjaftoi që e gjithë Partia Demokratike njëzëri të dilte me qëndrimin se non-grata e Berishës ka rënë. Por a majfton një cicërimë për të thënë se një sanksionim kaq serioz është hequr apo ka rënë? Sigurisht që jo. Fakti është se non-grata ashtu siç është vendosur me vendim të Sekretarit të Shtetit, ashtu edhe hiqet. Deri më sot nuk ka snjë vendim zyrtar, të ndonjë isnstitucioni amerikan që tregon se non-grata e Berishës është hequr, madje në faqen zyrtare të Departamentit të Shtetit ende ekziston vendimi që e ka sanksionuar atë.

Sali Berishës edhe mund ti hiqet non-grata në të ardhmen, por deri më sot kjo gjë nuk ka ndodhur. Si mundet të pretendosh se pyetja e një gazetari ndaj një funksionari të Departamentit të Shtetit dhe përgjigjia e tij politikisht korrekte të konsiderohet si heqja e non gratës! Minimalisht kjo është të tallesh me njerëzit, kryesisht me militantët e Partisë Demokratike.

I gjithi ky spin mediatik tre ditë përpara zgjedhjeve është e qartë që është një strategji komunikimi dhe asgjë më tepër. Në fakt kjo është një strategji që ka filluar që nga zgjedhja e Donald Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë dhe vazhdoi deri në ditët e fundit të zgjedhjeve. U bënë muaj tashmë që Partia Demokratike mban me gajret militantët e saj me këtë histori. Kanë tre muaj që thonë që non-grata është hequr, ndërkohë dje paska rënë me të vërtetë. Kanë muaj që thonë se Berisha do të vizitojë Amerikën, por ajo vizitë nuk u bë kurrë. Ndoshta bëhet më vonë por, përpara zgjedhjeve nuk u realizua kurrë.

Duket sikur të gjitha shpresat dhe alterantiva e vetme që Partia Demokratike i ofroi shqiptarëve ishte heqja e non-gratës së Berishës dhe se tashmë me administratën e re ka marrëdhënie shumë të afërta. Jo më kot, strategjistin e fushatës e zgjodhën një person që ka punuar me Trump. Mirëpo ky ishte një këshillim i çuditshëm. I çuditshëm sepse kurrë më parë nuk është parë që një drejtues fushatë të flasë në takime elektorale, madje jo vetëm ai por dhe asistëntët e tij. Duket qartë se më shumë se për ta këshilluar, La Civita ishte aty për t’iu thënë shqiptarëve që tashmë non-grata ka rënë.

Partia Demokratike fokusoi të gjitha energjitë, madje dhe të gjitha paratë në këtë drejtim, duke harruar në fakt politikën e brendshme. Gjithsesi deri tani ja ka dalë që të flitet për një gjë që s’ka ndodhur sikur ka ndodhur. Sot flitet për heqjen e non-gratës sikur është fakt, por në këtë drejtim nuk ka asnjë vendim konkret të ndonjë institucioni amerikan. Siç thonë italianët ‘’la carta canta’’.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x