24.5 C
Tirana
03 / 10 / 2024

Një tufë gjelash (majë plehut) në kohë kolere…

Nga Skënder Minxhozi

Po të bësh një xhiro deklaratash, kërcënimesh, replikash të liderëve të përfshirë në konfliktin ukrainas, apo edhe paralajmërimesh të ekspertëve të politikës ndërkombëtare, energjisë, ekonomisë dhe financave, bota ndodhet përballë një dimri të tmerrshëm. Rusia po i mbyll rubinetat e energjisë Evropës, lufta në Ukrainë është futur në batakun e hiçit ku luftohet për fshatra e lumenj të cilëve askush s’jua ka dëgjuar emrin, por që vazhdojnë të mbajnë peng ekonominë botërore. “Lajini rrobat me 30 gradë”, që qeveria shqiptare u kërkoi shtetasve të saj, duket si një paralajmërim i spërkatur me ujë trëndafili, përballë asaj që po ndodh rrotull. Kosova po heq dritat në shtëpitë e Prishtinës, evropianët po fikin ndriçimin e qyteteve e po ulin gradët e ngrohjes nëpër banesa, faturat e energjisë kudo në kontinent janë çmendur dhe po çmendin edhe vetë ata që i paguajnë.

Në këtë cepin tonë modest të gadishullit duket sikur furtunat vijnë vetëm pjesërisht dhe pasojat ndjehen të zbutura dhe dallgët vijnë të dobësuara. Plazhi, vera me vapën, turistët e huaj që enden të hutuar nëpër qytetet e skutat më të humbura të vendit, japin të gjithë përshtypjen e një jete pa luftë, krizë nafte dhe çmimesh.

Iluzioni i normalitetit në të cilin jemi zhytur, sfidon mprehtësinë e krizës që na pret, por realiteti i rrugës është krejt ndryshe. Dyqani i lagjes tashmë është kthyer në një mur virtual pushkatimi, ku çmimet e hardalisura të shokojnë ngapak sa herë endesh mes rafteve të tejmbushura. Lufta është ulur këmbëkryq pikërisht tek ai dyqan ku qëndron i njëjti shitës-komshi, i cili shet të njëjtat gjëra që dje ishin krejt të lira, e sot janë shumë, shumë të shtrenjta.

Vera e ka sfumuar vetëm pjesërisht dhe përkohësisht perden e errët që do vendosë mbi ne dimri. Një sezon i ftohtë e plot shi e përmbytje ku edhe politika hileqare refuzon të mbajë zgjedhje, sepse e di që njerëzit janë më pesimistë në dimër, e më të çelur në verë. Politika, kjo kafshë me shumë fytyra, po e le thuajse me rrjedhje të lirë lumin e dalë nga shtrati të krizës.

Parlamenti i të enjtes është momenti kur të gjithë shqiptarët kanë mundësinë të kuptojnë sesa e shkëputur është politika nga hallet konkrete të njerëzve. Natyrisht që aty flitet me shifra për paratë tona, natyrshëm aty bëhen debate për ujin, dritat dhe integrimin, por është po kaq e natyrshme që tonet e përdorura, mungesa totale e vullnetit për të menduar bashkarisht për krizën e madhe dhe të përbashkët që kemi tek dera – kjo sjellje që duket sikur vjen nga një planet tjetër, ku s’ka as luftë, as lumenj të tharë, as çmime skizofrene, është pikërisht ajo që të dëshpëron më tepër. 

Është e qartë si drita e diellit që grinden për vota, që bëjnë sikur sherrosen e më pas i sheh të përqafuar nëpër foto-mohazhe konferencash a vizitash jashtë vendit. Është prej vitesh e qartë që debatit ekstrem dhe kacafytjeve të sallës plenare të Kuvendit, i korespondon një kafene diku pas shpinës së kryetarit të parlamentit, ku të gjithë janë miq e shokë të mirë, kjo hipokrizi tashmë 30 vjeçare është thelbi i kodit të prishur të politikës shqiptare. Luajnë teatër me ne, nuk punojnë për ne. Kaq është pak por e sigurt pas 30 vitesh që qeverisemi nga të njëjtat fytyra, me të njëjtat premtime të pambajtura që dalin nga të njëjtat korda zëri që na shfaqen edhe në ëndërr.

Të gjithë flasin për problemin, askush për zgjidhjen, të gjithë tregojnë grushtin, askush dorën e shtrirë, të gjithë premtojnë kacafytje dhe përleshje, askush nuk ulet të shohë me qetësi sesi do dalim nga një tunel ku janë futur socialistë e dëmokratë bashkë, të gjithë shohin zgjedhjet, pakkush sheh zgjidhjet.

Doni një shembull sesi të gjithë grinden jo për Hënën, po për gishtin që tregon Hënën? Merrni krizën energjitike. Situata e frikshme që pritet këtë dimër, na gjen me basenin e Drinit në gjendje gjysëm-kritike, me mbi 300 milion euro energji tashmë të importuar dhe me një perspektivë krejt të paqartë për muajt e ardhshëm. E megjithatë kemi prej mbi një dekade një TEC 100 megavat që e kemi paguar 100 milion euro për t’u ndërtuar dhe nja 30 të tjera për ta mirëmbajtur,e që nuk ka prodhuar deri më sot asnjë kilovat energji sepse është me defekt. Pse nuk mjaftoi një dekade e ca që të riparohej  kjo strukturë që sot do na kursente ato anijet-gjenerator që do djegin naftëq e mazut në bregun më turistik të Shqipërisë?!

Në anën tjetër, jemi i vetmi vend në rajon dhe në këtë kontinent, që nuk kemi asnjë park eolik apo solar.  Dhjetra kërkesa për investime  në këtë fushë ndër vite, një lumë fjalësh që  tirren e tirren por asgjë konkrete. Kaloni kufirin drejt Kosovës, Malit të Zi e Greqisë dhe shikojini mullinjtë me erë që prodhojnë energji. Vetëm këtu tek ne nuk i shkon mendja kujt të investojë në këtë drejtim. Vetëm pak orë më parë qeveria vendosi të subvencionojë kostot e instalimit të paneleve diellore për familjet. Vonë, shumë vonë…

Dimri që kemi përpara kërkon një reflektim të thellë në çdo nivel të vendimmarrjes politike e institucionale, në çdo kat të këtij shteti dhe në të gjitha instancat që përfaqësojnë diçka. Sherri për rreckat elektorale është një ngrefosje gjelash majë plehut. Aq më keq sherri mbi baza të interesit personal janë akoma më keq, një shpërdorim pushteti për arsye meskine pushteti. Shihni Berishën e Metën dhe e kuptoni konceptin.

Ky cikël qorr ku po endemi duhet të marrë fund. Sot më shumë se kurrë kriza e ardhshme e nxitur nga lufta në Ukrainë dhe pasojat kaskadë që po prodhon, imponon lënie mënjanë të meskiniteteve. Përplasja personale mes Ramës, Metës e Berishës vjen në momentin më të papërshtatshëm për të gjithë ne. Ajo vjen si luftë për pushtet, kur edhe luftën edhe pushtetin i ka marrë realisht në dorë kriza globale që po troket. Ajo që e pret botën, e bashkë me të Shqipërinë sugjeron që të mos harxhohet më një sasi e hatashme kohe për të gjakosur kundërshtarin, por që koha të përdoret për të menduar e vepruar për ekonominë dhe dhe xhepat e njerëzve. Gjelat dhe plehu le të presin ca. Tani kemi hallin si të kalojmë këtë dimër që do jetë dramatik për të gjithë Evropën e pasur. Imagjinoni si do jetë për shqiptarët e varfër!

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x