Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë jep informacione të reja mbi gjendjen shëndetësore të Leonit XIV pas ndërhyrjes kirurgjikale të djeshme, më 13 tetor, për heqjen e një adenokarcinome pulmonare. Sipas mjekëve, reagimi «vijon sipas parashikimeve»
«Sot paradite, Ati i Shenjtë iu nënshtrua analizave të gjakut dhe radiografisë së mushkërive, të parashikuara pas ndërhyrjes kirurgjikale. Rezultatet konfirmojnë ecurinë normale pas operacionit: vlerat janë brenda normës për llojin e ndërhyrjes së kryer».
Kështu njofton Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, përmes postës elektronike, duke u transmetuar të gjithëve informacionin e dhënë nga doktor Luigi Carbone, drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Higjienës pranë Guvernatoratit të Shtet-Qytetit të Vatikanit, si edhe nga profesori Stefano Margaritora, drejtues i ekipit mjekësor të kirurgjisë së mushkërive, i cili dje pasdite, më 13 tetor, në Poliklinikën Gemelli, kreu operacionin e Papës për një tumor në mushkëri (adenokarcinomë pulmonare), duke i hequr lobin e poshtëm të mushkërisë së djathtë me teknikën e asistuar me video.
«Ati i Shenjtë – thuhet në njoftim – ka kryer fizioterapinë respiratore dhe ka filluar të ecë në dhomën e tij. Gjithashtu, ka rifilluar të ushqehet rregullisht, duke ngrënë mëngjesin dhe drekën. Reagimi vijon sipas parashikimeve».
Matteo Bruni, drejtor i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, bëri të ditur se gjendja shpirtërore e Papës «është e mirë». Në njoftimin e mëngjesit të sotëm, po Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë pati bërë të ditur se Papa kaloi një natë të qetë pas ndërhyrjes kirurgjikale, së cilës iu nënshtrua.
Buletini i djeshëm mjekësor
Rezultati ishte deri diku i pritshëm: Papa, i cili e kaloi natën krejtësisht i qetë, iu nënshtrua dje, 13 tetor, një ndërhyrjeje kirurgjikale për një tumor malinj, teknikisht të quajtur «adenokarcinomë pulmonare», siç njoftuan mjekët, mbrëmë vonë. Pra, diagnoza nuk ishte pozitive, por Vatikani, përmes drejtorit të Sallës së Shtypit, Matteo Bruni, siguron se «ndërhyrja përfundoi me sukses, brenda afateve kohore dhe sipas mënyrave të parashikuara dhe se Ati i Shenjtë është kthyer në dhomën e tij». Fakti që noduli në mushkëri ishte në një fazë të hershme dhe i kufizuar në shtrirje, u jep mjekëve arsye për ta vlerësuar pozitivisht rezultatin, edhe sepse, gjatë ndërhyrjes kirurgjikale, u hoq e gjithë pjesa e prekur nga sëmundja.
Ishte doktor Luigi Carbone, mjeku personal i Papës, së bashku me profesor Stefano Margaritora, i cili drejtoi ekipin në sallën e operacionit, ata që njoftuan se «ekzaminimi histologjik i menjëhershëm konfirmoi diagnozën e një adenokarcinome pulmonare, ashtu siç dyshohej edhe nga ekzaminimet para operacionit». Papa qëndroi në sallën e operacionit për rreth tri orë, njoftoi më tej Vatikani, ndërsa vetë ndërhyrja kirurgjikale zgjati afërsisht 90 minuta. «Ndërhyrja ishte e suksesshme dhe nuk pati ndërlikime», përfundon njoftimi.
Pas operacionit, Papa u zgjua normalisht dhe, pas një periudhe të shkurtër nën vëzhgim, u kthye në dhomën e tij në katin e dhjetë. «Ati i Shenjtë kërkoi edhe darkën», u bëri të ditur gazetarëve zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni.
Ekipi kirurgjikal përbëhej nga shtatë mjekë dhe drejtohej nga profesor Stefano Margaritora, i ndihmuar nga profesoresha Elisa Meacci, doktoresha Maria Teresa Congedo dhe doktori Leonardo Petracca Ciavarella. Ekipi i anestezisë përbëhej nga profesor Massimo Antonelli, doktori Giovanni Punzo dhe doktori Giuseppe Bello.
Lutje për Atin e Shenjtë
Papa Leoni mbërriti dje në kompleksin spitalor universitar Gemelli pak pas orës 13.00. Ishte i buzëqeshur dhe i qetë përpara kësaj sprove të vështirë, e cila shkaktoi shqetësim në mbarë Kishën, pasi ai vetë e bëri publik shtrimin në spital të dielën, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot. Edhe pse, pavarësisht nga mosha 71-vjeçare, Papa ka qenë e duket njeri sportiv dhe energjik, më i ri se ç’tregon mosha. Gjatë gjithë ditës, pranë Papës qëndruan dy sekretarët e tij, atë Edgar dhe atë Marco, si edhe murgeshat peruviane që kujdesen për të.
Kisha në mbarë botën u bashkua në lutje, idealisht, përpara asaj salle operacioni. «Shpresojmë që ta kapërcejë këtë problem sa më shpejt të jetë e mundur. Kemi besim», deklaroi kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, i cili pranoi se lajmi e kishte lënë të befasuar. Kontrolli rutinë mjekësor pas udhëtimit në Francë zbuloi një problem, që duhej trajtuar menjëherë. Papa, duke iu përmbajtur udhëzimeve të mjekëve, vendosi që kjo ndërhyrje të kryhej sa më shpejt, me shpresën për të mos e anuluar udhëtimin në Amerikën e Jugut, të planifikuar për muajin nëntor, për të cilin të gjitha përgatitjet janë tashmë gati.
Sot, shumë njerëz janë lutur për të. Edhe Kisha në trevat shqiptare, siç njoftojnë ipeshkvijtë, është mbledhur në lutje e besimtarëve u është kërkuar t’i drejtohen Hyjit të Gjithëpushtetshëm për shëndetin e Papës. Edhe në Gaza janë lutur për të. «E shoqërojmë me dashurinë dhe lutjet tona, duke e ditur se ai, si gjithmonë, na jep zemër, lutet për ne dhe na dërgon bekimin e tij», bën të ditur atë Gabriel Romanelli, famullitari i kishës së Familjes Shenjte. /Vatican News
- Pas operacionit, Papa reagon normalisht, ecën dhe ushqehet vetë - 14/10/2026
- Atë Shtjefën Gjeçovi, martir i fesë dhe i atdheut – në përvjetorin e vrasjes - 14/10/2026
- Presidenti Begaj reagon për protestën: Dhuna nuk mund të jetë mjet i shprehjes së pakënaqësisë! As përdorimi i forcës nga Policia s’duhet të dalë jashtë kufijve - 14/10/2026