Nga Albert Vataj
Fotografia shqiptare ka rrëmbyer lavdi në një tjetër përballje dinjitoze. Në një nga aktivitetet më prestigjioze ndërkombëtare, në “Geneva Photo Awards 2024”, ajo ka ardhur me punë të fuqishme dhe është larguar, jo vetëm me fitore, por edhe me një zë që ngre arti pamor dhe shpirtja shqiptare.
Në ekspozitën ndërkombëtare, ku fotografë nga gjithë bota ballafaqojnë punët e tyre më të mira, për një vlerësim dhe çmim, ka qenë fotografi shqiptar, Ruzhdi Ibrahimi, i cili jeton dhe punon në Basel, i cili fitoi vendin e tretë për fotografinë e tij të veçantë “Ballë përballë.” Ky çmim e vendos Ibrahimin ndër artistët më të dalluar të këtij konkursi prestigjioz.
“Ballë përballë”, më shumë se një foto e jashtëzakonshme, mesazhi që përcjell imazhi, merr një kuptim dhe vlerësim të disafishtë, pasi bëhet fjalë për një shqiponjë që sfidon një dhelpër. Shqiponja, shpendi ynë i flamurit dhe simboli ynë kombëtar, në këtë moment të fiksuar nga Ruzhdi Ibrahimi, tregon jo vetëm një çast të natyrës së egër, shpërfaqë gjithashtu mesazhin e betejave të pafundme që shqiptarët kanë patur dhe triumfuar në dhelpëri që janë bërë dhe bëhen fatit tonë historik.
Ruzhdi Ibrahimi, jo vetëm ka fituar me një foto të tillë një trofe, por ka arritur të realizojë një imazh ikonik, që meriton të jetë shumë më shumë se foto, një shprehje e natyrshme e ndeshjes dhe triumfit, e asaj që përfaqëson fati ynë. Ky fokus mund të jetë i rastësishëm, por nuk mund të lexohet vetëm si një ligjësi e jetës së egër.
Fotografia “Ballë përballë”, e cila ka tërhequr vëmendjen e publikut edhe gjatë pjesëmarrjes së saj në “Fokus Award 15” është një punë artistike që shpreh një emocion të thellë dhe një histori të fortë, si një film që i mbetet mendjes, e pse jo edhe si një përfytyrim që del nga imagjinata.
Fotografitë e Ruzhdi Ibrahimit kapin momente të rëndësishme, përmes së cilave ai përcjell një mesazh të qartë dhe një emocion të ndjeshëm kombëtar. Vizitorët e Photo Awards Geneva u ndalën për ta admiruar këtë vepër, duke e konsideruar një nga më të mirat e ekspozitës.
“Ruzhdi Ibrahimi ka arrit një sukses të madh për fotografinë shqiptare, duke fituar vendin e tretë në Geneva Photo Awards 2024 me fotografin e tij “Ballë përballë”, Ky çmim është një njohje e talentit dhe përkushtimit të tij, duke e vendos atë ndër artistët më të dallum të konkursit. Kjo arritje jo vetëm që përfaqëson suksesin e tij personal, por gjithashtu ndihmon në ngritjen e zarit të artistëve shqiptarë në skenën ndërkombëtare të artit pamor.”, shkruan në një postim në Facebook, miku dhe kolegu i tij, Jetmir Troshani.
Ky aktivitet, kjo fotografi, kjo fitore e fotografit shqiptar, është gjithëpoaq mbështetje dhe inkurajimi për fotografët e “Jetës së Egër”, është një zë i fuqishëm në mbrojtje të natyrës dhe botës së egër, të habitatit të tyre, që kërcënohet nga shkatërrimi.