Nga Ledio Alite
Një nga filozofët bashkëkohorë më të shquar është pa dyshim një personazh slloven nga Universiteti i Ljubljanës i quajtur Sllavoj Zhizhek, i cili jo rrallëherë zgjedh të sjellë analiza filozofike duke përdorur kinematografinë si mjet të dashur për analogji me aktualitetin mbi tema të ndryshme. Në fakt, roli i filmave kinematografik zë një peshë të veçantë në perceptimet e kujtdo mbi ngjarje të ndryshme të jetës publike apo private, pasi ky është dhe misioni i artit të shtatë.
Natyrshëm, një natë të shtune në Tiranën e qetë, më erdhi në mend si nevojë një film i veçantë i prodhuar në vitin 2010 me regji të Ridley Scott, i quajtur “Robin Hood”. Një film i risjellë për personazhin e njohur të cilin e aktron me mjeshtëri fituesi i çmimit “Oscar”, Russell Crowe.
Robin, para se të kthehet nga Franca me shokët e tij të luftës hasin në pyll kalorësit e vrarë të Mbretit Rikard të cilët ishin nisur për të dërguar në Londër kurorën e tij pas vdekjes. Shoqëruesi kryesor i Mbretit, përpara se të jepte shpirt i la Robinit amanet që shpatën e tij ta kthejë në Notingam tek babai me të cilin nuk ishte ndarë mirë dhjetë vjet më parë. Robin zotohet ta përmbushë këtë amanet dhe pasi vishen sikur të ishin kalorësit e Mbretit, nisen për të dorëzuar kurorën në Londër. Sigurisht atje prezantohet si Robert Loksli, kalorësi i Mbretit Rikard. Si mbarojnë këtë mision, duke u justifikuar edhe për largimin, të katër kalorësit drejtohen për në veri.
Në Notingam, këtë gjysëm qytezën e lodhur angleze, ata gjejnë një frat që shiste alkool me mjaltë dhe rriste bletë ilegalisht, shumë gra, pak pleq, të rinj që vidhnin qytezën e tyre, tokë djerrë të papunuar dhe taksidarë të rreptë nga Londra. Dukshëm mungonin burrat, të cilët ishin nisur për në luftë jashtë vendit me shpresën se familjet e tyre do të ushqeheshin më mirë. Në fakt, jeta në Notingam, po venitej sepse të gjithë që kishin mbetur ishin të pafuqishëm.
Robin pasi takon babain e Robert Lokslit, Sër Uolltër Loksli, merr një propozim nga ky i fundit që të luajë rolin sikur ishte biri i tij i kthyer nga lufta, në mënyrë që gruaja e shtëpisë zonja Marian Loksli të mbronte pasuritë e familjes. Robin duke gjetur edhe simpati në këtë ambient, pranon ftesën dhe nis të sillet si Robert Loksli i kthyer nga lufta bashkë me kalorësit e tij, sjellje të cilën e kishtë shfaqur që me mbërritjen në Londër.
Problemi me ekonominë e Notingamit ishte se pjesa më e madhe e grurit shkonte për Kishën e Jorkut dhe kështu nuk tepronte shumë për të mbjellat e vendasve. Robin, së bashku me kalorësit e tij në mënyrën e tyre të guximshme vendosin të rikuperojnë një pjesë të madhe të këtyre të mbjellave duke rimarrë atë çka iu përkiste.
Prej kohësh, nuk degjoheshin në Notingam të shtunave, mbledhje realisht të lumtura dhe masive rreth zjarrit në mbrëmje. Sër Uolltëri, duke qenë se ishte i verbër, rrinte dhe shijonte duke dëgjuar nga një cep i ngrohtë.
“MUZIKË, TË QESHURA, DERR I PJEKUR, VALLËZIME RRETH ZJARRIT. JETA ËSHTË RIKTHYER! TI E RIKTHEVE, ROBIN!”, – thotë Sër Uolltër Loksli në këtë skenë epike të filmit.
Tashmë, frati këndonte dhe përgatiste mjaltë sikur mos ishte herezi, siguria dhe mbrojtja nga burrat erdhi natyrshëm pas këtyre akteve, pleqtë u rinuan dhe të rinjtë shihnin për t’u integruar sërish në shoqërinë e re të qytezës duke hequr maskat e hajdutit. Mbi të gjitha, toka u punua dhe taksidarët nuk ishin më një bezdi.
Prandaj, ndonjëherë, mjafton një njeri, për t’i bërë të gjithë të hapin sytë dhe të jetojnë, në qytetin e tyre të qetë e të lodhur.
- “Besoj te Rama”/ Ish-deputeti i PD, Dashnor Sula tregon pse pranoi ftesën e kryeministrit dhe shmang Berishën - 14/02/2026
- “Fëmijët që flenë”, kryevepra e William Henry Rinehart, klasikut të fundit të skulpturës amerikane - 14/02/2026
- Franca e Gjermania ”OK” ombrellës së përbashkët bërthamore, afrohet edhe Anglia - 14/02/2026