10.5 C
Tirana
29 / 01 / 2026

Një kujtim i shëmtuar me Presidentin e Kroacisë!

Nga Agron Gjekmarkaj

Nuk do më kujtohej aspak Presidenti kroat nëse nuk do të ishin kaq të poshtra deklaratat e tij për Kosoven ditën e djeshme megjithëse e kam takuar një herë me deshirë për ta harruar.
Me gjuhë pijaneci në mejhanat ballkanike mbushi gojen me material e glaca. Ai gjuajti mbi miqesinë e vjeter të shqiptarëve me kroatet si zëdhënës i Putin pushtuesit në Europë, ke gjuhën e trashur e mollëzat e skuqura.
Pa turp tha që “Kosovën ndërkombëtarët ja rrëmbyen Serbisë” ! U deshmua i dehur, injorant, aleat me dhunën, nostalgjik i krimit e genocidit serb dhe natyrshëm antiperëndimor.
Më ka rastisur të takoj disa herë ish Presidentin ikonë e liberal Stipe Mesiç i cili ka vuajtur edhe burgun në Jugosllavinë e Titos. Ai ndjehej me fat që ishte ndodhur me disa kosovarë në qeli të cilët i kishin shpetuar jetën nga kriminelët e UDB-s. Po kaq kur rrëfente për luftën e viteve 90 shprehej se ku gjindeshin shqiptarët në front nuk ndihej nevoja me kthye kokën pas duke u ndalur te kontributi i tyre heroik në pergjithsi dhe tek ai i ushtarakëve të veçantë në të përveçmen.
Por më heret se kaq shumë më heret rilindasit e mëdhenj që bënë Shqiperinë At Gjergj Fishta , At Shtjefen Gjeçovi, At Pashko Bardhi që punoi edhe si mësues në Zara (Zadar) ishin nxënes të françeskanit të madh në Livno , Andrea Kaçiç, poetit të rilindjes kroate busti i të cilit shkëlqen në Zagreb.

Prej tij e me të ata u mbruajten me formulën Atme e Fe e u kthyen në atdhe për të bërë atë që bënë për Shqiperinë.
Nese duam për të shkuar tek rrënjet e historisë kemi edhe aleancat e Mbretit Gjergj (Skenderbeut) me Republiken e Raguzes (Dubrovniku i sotem). Në tetor në Zagreb mbahej një samit i parlamenteve të 44 vendeve të Botës me iniciativën e Kryetarit të Parlamentit Kroat dhe atij Ukrainas. Rasti e desh të jem pjesë e delegacionit shqiptar të kryesuar nga Zonja Nikolla. Lajm ishte pjesmarrja e Nenci Pelozit shefes së Senatit Amerikan e cila me kurajo të admirueshme siç theu çdo paradigmë me viziten në Tajvan po ashtu foli aty ndaj agresionit rus.
Dukej një fjalim i kohrave të tjera ku nuk prevalonte kujdesi diplomatik po shqetësimi për demokracinë, paqen, blloqet politike dhe vlerat perëndimore të kercënuara nga barbaria. Surpriza ndër gazeta ishte se Presidenti kroat nuk kishte denjuar ta priste po rrugën drejt një katundi disa orë larg kryeqytetit kishte marrë me justifikimin banal se zonja Pelozi nuk do jetë pas ca javësh kapo Senati ndaj nuk e pres.
E kaluan të gjithë me buzëqeshje si trill i një marroku ballkanik që do të bëjë lajm me marrezinë në mugesë të portretit dhe forcës. Në viziten tonë zyrtare patëm takime me Kryeministrin e vendit, një person mjaft karizmatik dhe tejet mbështetës e miqësor me kauzat e ekzigjencat shqiptare në Ballkan e në Europë e po ashtu edhe me Kryeparlamentarin e Kroacisë i cili ishte po kaq i njerëzishëm dhe i vëmendshëm për ta forcuar raportin dhe miqesinë mes popujve e shteteve tona.

Ditën e fundit ishte parashikuar një takim edhe me Presidentin i cili e kishte rezidencën në periferi të qytetit në një vilë tipike jugosllave që Tito perdorte dikur në mes të gjelberimit. Një vend i bukur gati ekzotik. Në presidencë hymë dhe u rreshtuam sipas protokollit! Kryetarja e Kuvendit të Shqiperisë u shoqërua nga punonjësit e atij institucioni tek podiumi i nderit. Presidentin prisnim. Por ai e kishtë marrë me nge. Pas ca minutash ndonëse u krijua një situatë e sikletshme pritjeje zbriti.
Dukej pak i mufatur dhe si i pertuar. Në sallën e bisedimeve e njëjta atmosferë noprane. Hijerënde, pompoz, arrogant dhe deklarativ si njeri që njihte Ballkanin në gjenezë dhe kishte zgjidhjet magjike në dorë dhe më tej.
Ndonëse në delegacionin shqiptar ishin Kryetarja e Kuvendit, Zëvendës Kryetari , deputetja Marnoj e të tjerë ishin bashkuar disa diploma perëndimi nostalgjiku jugosllav s’kishte veshë për të degjuar por vetem gojë per të folur.
Mbllaçiti disa fraza amorfe për raportet mes vendeve po tejet larg me fjalorin e Kryeministrit apo Kryeparlamentarit Kroat apo të tjerë faktorve politikë që takuam. Në të dalë nuk durova pa ju thënë anëtarve të tjerë të delegacionit që tek ky burrë pashë gjithë patetiken mburravece të Ballkanit, vetë komplekset e këtij gadishulli të anashkaluar nga historia qysh në antikitet.
Që zhgënjimi ynë të mos përgenjështrohej në fund si dha doren askujt duke shkelur çdo kod mikpritjeje dhe ngjiti shkallet me vrap si danoç lagjeje.Gjithësa mu kujtua kur lexoja shkulmet e tij i cili për të marrë vemendje në raport me faktorët pro europiane e pro Kosovë të Kroacisë preferoi të fliste si kamerier lepe peqe i Putinit dhe këshilltar i Vuçiçit !!
Tek e degjoja si në Zagreb mendova që forca e marrezisë për të bërë lajm nuk duhet nënvleftesuar sidomos në Ballkanin tonë. Gjëmat keshtu kanë filluar.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x