9.5 C
Tirana
12 / 02 / 2026

NGA NJERIU TE PASNJERIU

Nga Ethem Ruka

Është shumë e vështirë, të përfytyrosh një qenie pasnjerëzore të rritur. Të përshkruash një pashuman është si të bësh një skenar futurist. Çdo njeri me gjykim normal, do ta paragjykonte rëndë, si shpërdorues të arritjeve shkencore e teknologjike, ndoshta si futurist me imagjinatë të shfrenuar, pse jo si vrasës i dinjitetit të sotëm njerëzor.

 Është e pritshme dhe mund të ndodhë edhe kështu, por duhet guxuar, duke pasur besim në forcën e shkencës e teknologjisë që vazhdimisht i ka hapur rrugë progresit dhe ka ndërtuar bazamentin mbi të cilin janë janë dizenjuar e vazhdojnë të dizenjohen skenarët e së ardhmes. 

Ideja e përmirësimit të vetvetes vjen që nga lashtësia. Paraardhësit tanë thurën mite dhe i dhanë jetë imagjinatës për të krijuar heronj imagjinarë si shëmbëlltyra të njeriut të së ardhmes, heronj që vrasin kuçedrat, që ecin më shpejtë se era, që vdesin e rilindin, që pijnë disa pikë qumështi magjik dhe shndërrohen në dragonj, që udhëtojnë deri në botën e përtejme për të parë vuajtjet e mëkatarëve në rrathët e ferrit e që kthehen sërish në botën reale për të dëshmuar se çfarë ndodh atje, që takojnë alienë dhe mbarsen me ta, e plot e plot krijime imagjinare të kësaj natyre. 

Ndoshta sot e kemi të vështirë të imagjinojmë një njëri me gjatësi normale të vrapojë më shpejtë se kafsha më e shpejtë, të kërcejë më lartë, të rezistojë më shumë, të gjenerojë një forcë muskulore më të madhe, të qëndrojë më gjatë në ujë ashtu si fokat e detit, të flejë me gjysmën e trurit e të qëndrojë zgjuar me gjysmën tjetër të tij, si delfinët, të eci në errësirë duke përdorur ultratinguj, si lakuriqët e natës, të perceptojë feromonet, si insektet, të ndjejë fushën elektromagnetike, të dallojë më shumë nuanca ngjyrash, të parandjenjë tërmetet, të pajiset me ndjesinë termike, si ajo e gjarprit, të rritë aftësinë e orientimit hapësinor etj. 

Kush nuk do të donte të kishte një kujtesë më të fortë, aftësi të spikatur për rikujtimin e fakteve, emrave, statistika, vargjeve të poemave, numrave të telefonit etj. në çastin që do të duhej, të vuloste në arkiv kujtimet e hidhura dhe të mbante mend vetëm gjërat më të mira që e bëjnë jetën më të bukur. 

Kush nuk do të donte një inteligjencë më të madhe e të pakonkurrueshme me inteligjencën artificiale, të kishte një botë shpirtërore më të pasur e të mbushur me emocione pozitive duke ju larguar agresivitetit, urrejtjes, xhelozisë, depresionit e impulseve negative. 

Kush nuk do të donte një jetë pa dhimbje, një pleqëri pa sëmundje, një lëkurë që ruan vazhdimisht freskinë, ngjyrën, dhe elasticitetin e rinisë, një jetëgjatësi shumë më të madhe se kjo e sotmja. Kush nuk do të donte që një ditë të zgjidhej përfundimisht uria e spitaleve për gjak natyral duke e zëvendësuar atë me gjak sintetik, kush nuk do të donte që një ditë të gëlltiste një tabletë për të pastruar gjakun apo për të rritur kapacitetin e tij për oksigjenin, kush nuk do të donte të kishte rruaza gjaku të modifikuara gjenetikisht për të forcuar rezistencën ndaj plakjes dhe patogjenëve. 

Kush nuk do të donte të jetonte ashtu si duhet realitetin virtual, e të rritur, si dhe mjedisin inteligjent ku sensorët do të ndjenin e komandonin në mënyrë automatike pajisjet për të përmbushur më së miri kërkesat tona në kushte shtëpiake  e mjedise publike. 

Ndoshta pasnjeriu do të jetë një cyborg, një qenie e shartuar gjysmënjeri e gjysmëmakinë numerike, që nuk do të donte të shpenzonte kohë me tastierën, por të komunikonte drejtpërdrejtë me kompjuterin me anë të mendjes, që do të merrte emaile e do shkëmbente mesazhe përmes mikroçipeve të vendosur drejtpërdrejtë në trup, që do të fuqizonte inteligjencën e vet përmes superkompjuterëve specialë të hapur në formë dantelle mbi koren e hemisferave, që do të komunikonte pa fjalë me të ngjashmit e vet, që do të shkarkonte mendjen në një hard-disk dhe do të arrinte pavdekësinë virtuale. 

Ndoshta nesër, njeriu, kjo bibliotekë biologjike, falë teknologjisë numerike, do të jetë e përjetshme. Ku i dihet, mund të ndodhë edhe kështu. 

Në këtë pikë, kufiri mes shkencës e teknologjisë nga njëra anë dhe futurizmit, fantashkencës e utopisë nga ana tjetër, mes njeriut të sotëm 1.0 dhe atij të nesërm 2.0, bëhet i mjegullt e i padallueshëm. 

Publiku i gjerë, filozofët, besimtarët, klerikët, shkencëtarët, artistët, teknokratët, politikanët, sipërmarrësit etj. kanë pikëpamjet e tyre lidhur me filozofinë transhumaniste e në përputhje me të përcaktojnë edhe pozicionin e tyre. Ata pozicionohen ose brenda kësaj vije ndarëse, pra deri te riparimi i njeriut, ose përtej saj, pra përtej riparimit, për të shkuar gradualisht te rritja e më vonë te pasnjeriu. 

Duket sikur po vrapojmë drejt një bote tjetër ende të paqartë, drejt një njeriu tjetër të pangjashëm e të pakrahasueshëm me njeriun e sotëm. Për një pjesë të njerëzve, skenarët duken joshës e të bazuar shkencërisht, për të tjerë të parealizueshëm, delirantë, monstruozë, të frikshëm dhe misteriozë. Kështu ka ndodhur gjithmonë. 

Njeriu në rrugëtimin e vet të gjatë e të vështirë ka përjetuar dyzimin mes frikës dhe joshjes për të guxuar. Idetë e mëdha gjithmonë tronditin, ndaj në fillim refuzohen, pastaj diskutohen e në fund pranohen. 

Koncepti i përmirësim i njeriut, megjithëse shumë i vjetër, fitoi popullaritet të madh vetëm këto 10-20 vitet e fundit, vite që përkojnë më zhvillimin eksponencial të teknologjisë së lartë në fushën e bioteknologjisë, nanteknologjisë, teknologjive të informacionit, si dhe teknologjive të studimit të trurit e kapacitetit të tij konjitiv. 

Ps: Shkeputur nga libri im “Pertej njeriut”, botuar nga Shtepia botuese Mediaprint

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x