15.5 C
Tirana
30 / 10 / 2026

Nga Arbër Abazi, Paqsor Buzi e Ram Geci, kush janë 31 biznesmenët e pandehur nga SPAK dhe kompanitë nën akuzë për pastrim parash

31 të pandehur në gjendje të lirë dhe vetëm njëri prej tyre i arrestuar. Ky është bilanci i dosjes që hedh dyshime mbi 12 tenderë, për të cilët prokurori i çështjes Dritan Prençi akuzon një listë të gjatë zyrtarësh, me në krye Belinda Ballukun, se shpallën fitues biznesmenë dhe kompani në shkelje të barazisë në tenderë.

Teksa po vijohet me komunikimin e mbylljes së hetimeve, siç ka raportuar më herët Top Channel, rreth listës së të pandehurve si Balluku, ish-Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës, Viola Haxhiademi, apo Ergys Verdho, në listë janë edhe biznesmenë si Ram Geci, Artan Sako, Pandeli Carapuli dhe Paqsor Buzi.

Gjithsej janë 31 të pandehur me në krye ish-numrin dy të qeverisë, që do të përballen me drejtësinë, ndërsa në fokus të hetimeve janë disa procedura tenderimi për projekte infrastrukturore dhe punime publike.

Kur akuzat nisin nga korrupsioni, shkelje e barazisë në tenderë, pastrim parash e shpërdorim detyre, në burg është vetëm një prej tyre, konkretisht ish-kreu i ARRSH-së, Evis Berberi. Ish-zyrtari  u kap i pari nga SPAK dhe nga telefoni i tij u zbuluan bisedat me Ballukun dhe gjithë zinxhiri i saj komandues, i përfshirë në afera me tenderët.

Mes projekteve të rëndësishme rrugore, ku janë zbuluar shkelje dhe abuzime me tenderat, janë Tuneli i Llogarasë, Unaza e Jashtme e Tiranës dhe disa lote, godina e Albcontrol dhe ndërtimi i dy loteve të aksit të Porto Romanos.

Në dosjen e kryesuar nga ish-zëvendëskryeministrja dhe njëhershëm ish-ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, janë edhe vartësit e saj në postet kyçe, si Drejtori i Hekurudhave, Ergys Verdho, dhe dy ish-drejtorët e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi dhe Gentian Gjyli.

Ky i fundit u paraqit të premten në SPAK, ku u njoh me akuzën që hedh dyshime ndaj tij se u përfshi në çështjen e tenderëve, së bashku me ish-eproren e tij.

Lista e gjatë e personave të pandehur vijon me vartës të Belinda Ballukut në ministri, dhe biznesmenët që me mbështetjen e ish-zëvendëskryeministres, kanë përfituar tenderë në mënyrë të parregullt.

Në rastin e ndërtuesit Pandeli Carapuli, ai nuk është në akuzë për korrupsion aktiv, pasi vepra është parashkruar, ndaj dhe ndodhet nën akuzë së bashku me kompaninë e tij të ndërtimit vetëm për pastrim parash, lidhur me vilën e Ballukut në Dhërmi, e sekuestruar nga SPAK.

Pjesë e listës së të pandehurve janë gjithashtu dy persona juridikë, shoqëritë “Eurocol” dhe “Alko Impex General Construction”.

Lista e 31 të pandehurve në dosjen “Balluku” dhe akuzat:

Belinda Balluku: Shkelje e barazisë në 9 tendera, korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie
Pandeli Carapuli: Pastrim parash
Igli Tare: Pastrim parash në 2 raste
Joana Bushi: Pastrim parash
Arbër Abazi: Korrupsion aktiv dhe falsifikim dokumentesh
Alko Impex General Construction: Korrupsion aktiv
Viola Haxhiademi: Shpërdorim detyre
Ergys Verdho: Shpërdorim detyre
Adja Strazimiri: Shpërdorim detyre dhe shkelje në tendera
Anila Sulollari: Shpërdorim detyre
Paqsor Buzi: Falsifikim dokumentesh
Artan Sako: Falsifikim dokumentesh
Ram Geci: Falsifikim dokumentesh
Eurocol sh.p.k.: Pastrim parash
Evis Berberi: Shkelje në 9 tendera
Gentian Gjyli: Shkelje në tendera dhe shpërdorim detyre
Erald Elezi: Shkelje në 3 tendera
Jetmira Dervishi: Shkelje në tendera
Mirzeta Kashnica: Shkelje në tendera
Jonida Çeçe: Shkelje në 3 tendera
Adrian Kroi: Shkelje në 4 tendera dhe shpërdorim detyre
Denis Xhoshi: Shkelje në 3 tendera
Klarita Konomi: Shkelje në 1 tender
Miranda Shkurti: Shkelje në 8 tendera
Genti Raça: Shkelje në 5 tendera dhe shpërdorim detyre
Eduart Agalliu: Shkelje në 1 tender
Arbër Troka: Shkelje në 2 tendera
Dhurata Lazaj: Shkelje në 3 tendera
Nikollaq Mihali: Shkelje në 3 tendera
Gëzim Noni: Shkelje në 3 tendera
Arlinda Gordani: Shkelje në 4 tendera

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x