Aksit Maliq-Lozhan është kthyer tashmë në kantier ndërtimi. Prej gati një viti kanë nisur zbatimi i projektit për rikonstruksionin total të këtij aksi duke e kthyer atë në një rrugë me standarde bashkëkohore.
Zv kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e cila shoqërohej nga kryebashkiaku Gëzim Topçiu ka qënë për inspektim në këtë rrugë nacionale që lidh jo vetëm fshatrat e njësive administrative të Gorës dhe Moglicës me Korçën dhe Maliqin, por dhe me Bashkinë e Gramshit.
Sipas Ballukut po punohet me intensitet për rikonstruksionin e plotë të kësaj rruge e cila do të lehtësojë lëvizjen e banorëve të dy krahinave të njohura.
Për kryebashkiakun e Maliqit Gëzim Topçiu ky është ndër investimet më të rëndësishme që nuk i shërben vetëm Maliqit dhe fshatrave të kësaj bashkie, por edhe zhvillimit të turizmit në këtë zonë.
Projekti për rikonstruksionin e aksit Maliq-Lozhan financohet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në vlerën e rreth 10 milion dollarëve dhe është duke u zbatuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Punimet pritet të përfundojnë para verës së vitit të ardhshëm.