8.5 C
Tirana
06 / 02 / 2026

Moti i keq në Korçë/ Probleme me energjinë elektrike në gjithë qarkun

Situatë e rëndë në juglindje të vendit sa i përket furnizimit me energji elektrike, ku mbi 30 fshatra kanë mungesë të energjisë prej disa orësh.

E gjithë kjo ka ardhur për shkak të reshjeve të shiut gjatë natës, të cilat janë shoqëruar me erë të fortë, duke shkaktuar dëme në linjat e tensionit të ulët e të mesëm.

Burime zyrtare pranë Prefekturës së Korçës bëjnë me dije se pa energji elektrike janë fshatra të tërë të bashkive Korçë, Devoll, Kolonjë, Pustec, Pogradec e Maliq.

Nga dita e djeshme sipas kryetarit të bashkisë së Devollit Eduard Duro pa energji janë të gjitha fshatrat e njësisë administrative Miras, si dhe fshatra të njësive administrative Progër, dhe njësisë qendër.

Nga ana tjetër kryetari i bashkisë së Pustecit, Pali Kolefski bën me dije se nga dita e djeshme pa energji elektrike janë 9 fshatra të kësaj bashkie.

Mungesë të energjisë elektrike prej gati tre ditësh ka dhe në fshatrat të njësive administrative Lekas e Vithkuq të bashkisë së Korçës.

Për shkak të problemeve në fidrat e Petrushës, Pogradecit, janë pa energji pjesa më e madhe e fshatrave që furnizohen nga këto fidra, përfshi këtu edhe pikën e kalimit kufitar të Tushemishtit, por dhe fshatra të njësisë administrative Dardhas.

Probleme me energjinë sipas informacionit të ardhur nga Prefektura e Korçës ka edhe në fshatra të Kolonjës dhe fshatra të njësive Pirg dhe Gorë në Maliq.

Sipas të njëjtave burime grupet e punës të OSHEE-së dhe Agjencitë Elektrike në rrethe janë në terren për riparimin e defekteve.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x