12 fshatra të njësisë administrative Gorë të bashkisë Maliq janë pa energji elektrike. Bëhet fjalë për fshatrat Strelcë, Selcë, Velçan, Mesmal, Desmirë, Moçan, Senisht, Tresovë, Dolan, Zvarisht, Lozhan, Popçisht.
Shkak është bërë një defekt në nënstacionin që furnizon me energji elektrike këto fshatra, si dhe linjat e amortizuara të rrjetit të tensionit të ulët në të gjithë fshatrat e njësisë administrative Gorë.
Gjithashtu 3 fshatra të njësisë Udënisht në Pogradec, prej 3 ditësh kanë probleme me energjinë elektrike. Përkatësisht bëhet fjalë për fshatrat Lin, Buqezë dhe Piskupat të cilët furnziohen nga fidri i Prrenjasit. Shkak për mungesën e energjisë është bërë rrjeti i amortizuar dhe këputja e përcjellsave.
Sipas të dhënave edhe pse po punohet nga OSHEE Prrenjas sërish energjia nuk është mundur të rilidhet. Aktualisht janë rreth 600 familje pa energji.
Në bashkinë e Pogradecit probleme me energjinë ka edhe në njësinë administrative Dardhas, në fshatrat Prenisht dhe Grunjas.
Gjithashtu burimet kanë bërë me dije se mbi 1400 familje janë pa energji elektrike edhe nëpër fshatrat të cilat furnizohen nga fidri i Cangonjit. Bëhet fjalë për fshatrat Zëmblak, Zvezdë, Gollobërdë dhe Shëngjergj.
Ndërprerje të energjisë ka edhe në njësinë administrative Lekas tëbashkisë Korçë.
Gjatë 24 orëve të fundit ka pasur ndërprerje të herëpashershme të energjisë elektrike edhe në fshatra të tjerë të juglindjes së vendit.
Ulja e temperaturave që kanë shkuar deri në -14 gradë në fshatin Shtyllë, kanë ngrirë pothuajse të gjitha akset rrugore të zonave të thella malore. Në kushte të tilla kalimi nga Voskopoja në Lekas, aksi Vithkuq-Panarit-Shtyllë është i kalueshëm vetëm me zinxhirë.
Me zinxhirë për shkak të ngricave kalimi bëhet edhe në fshatrat e njësive administrative Proptisht, Velçan, Trebinjë e Dardhas në bashkinë e Pogradecit, si dhe në të gjithë fshatrat e njësive administrative Gorë e Moglicë të Maliqit.
Me vështirësi kalimi edhe në fshatrat e Devollit të Sipërm, ashtu siç është i vështirë kalimi edhe në fshatrat e njësive malore të bashkisë së Kolonjës.
Ulja e temperaturave ka dhuruar spektakël në objekte të ndryshme buzë liqenit në qytetin e Pogradecit.