14.5 C
Tirana
17 / 10 / 2026

“Mitraloz” fishekzjarresh kundër policisë, çfarë është pajisja e rrezikshme që u përdor në protestën e Tiranës dhe si rrezikoi jetën e efektivëve! (VIDEO)

Pamjet e regjistruara gjatë protestës së të shtunës në Tiranë ngrenë një alarm serioz për mjetet që po përdoren kundër Policisë. Një person i maskuar shihet duke mbajtur në duar një pajisje portative që lëshon fishekzjarre me breshëri, në seri të njëpasnjëshme, drejtpërdrejt në drejtim të efektivëve. Pajisje të tilla njihen gjerësisht si mitralozë fishekzjarresh (Fireworks Machinegun).

Video ngre disa pyetje që kërkojnë përgjigje nga autoritetet. Çfarë është konkretisht kjo pajisje? Ku është blerë? Kush e ka sjellë në Shqipëri? A mund të tregtohet lirisht një mjet që lejon lëshimin e njëpasnjëshëm të fishekzjarreve dhe, mbi të gjitha, si ka përfunduar në duart e një personi të maskuar në mes të një proteste?

Në nomenklaturën doganore shqiptare, fishekzjarret dhe artikujt e tjerë piroteknikë përfshihen në kreun 3604, pra trajtohen si një kategori e veçantë mallrash.

Çdo mall që hyn në territorin shqiptar i nënshtrohet mbikëqyrjes doganore dhe duhet të paraqitet pranë autoriteteve doganore. Për importin kërkohen deklarata doganore, fatura, dokumenti i transportit, lista e paketimit dhe, kur ligji e kërkon, dokumente të tjera për lejimin e vendosjes së mallit në qarkullim të lirë.

Por kjo nuk mjafton për t’iu përgjigjur pyetjes nëse një pajisje e tillë mund të blihet, importohet apo përdoret lirisht. Kjo varet nga klasifikimi teknik i saj. Nëse është thjesht një artikull piroteknik, ajo i nënshtrohet rregullave për këtë kategori; nëse ekspertiza do ta klasifikonte si armë apo si pajisje që hyn në kategoritë e rregulluara të armëve, atëherë regjimi bëhet shumë më i rreptë. Dogana Shqiptare sqaron se hyrja dhe dalja e armëve të kategorive B dhe C, bashkë me municionet e tyre, për import, eksport apo tregtim, lejohet vetëm me autorizim të organit përgjegjës të Policisë së Shtetit.

Edhe pa hyrë në klasifikimin juridik nëse kemi të bëjmë me “armë” apo me një pajisje piroteknike, rreziku është i dukshëm. Një objekt që lëshon me shpejtësi disa predha të ndezura drejt një grupi njerëzish mund të shkaktojë djegie, dëmtime në sy, trauma të rënda apo zjarr.

Rastet e fundit të Policisë tregojnë gjithashtu se tregtimi i paligjshëm nuk është hipotetik. Vetë pak ditë më parë, policia e shtetit sekuestroi 344 kuti me lëndë piroteknike të llojeve të ndryshme, me vlerë rreth 40 mijë euro, ndërsa u arrestua edhe personi që i magazinonte me qëllim furnizimin me to të protestuesve, sipas policisë.

Në një protestë ku gjatë ditëve të fundit janë parë molotovë, zjarrvënie dhe sulme me sende të forta, shfaqja e një pajisjeje të tillë shënon një tjetër nivel të rrezikshëm të përshkallëzimit. Nuk mjafton më të konstatohet përdorimi i saj; duhet të sqarohet zinxhiri që e ka sjellë deri aty.

Një pajisje e ngjashme u shfaq në protestat e periudhës 2024-2026 në Gjeorgji

Autoritetet duhet të identifikojnë personin që shfaqet në video, të përcaktojnë llojin e pajisjes dhe të sqarojnë nëse mjete të tilla tregtohen ligjërisht në Shqipëri, kush i importon dhe çfarë kontrolli ushtrohet mbi to.

Sepse pyetja që mbetet pas këtyre pamjeve është alarmante: nëse një protestues mund të shfaqet në mes të Tiranës me një pajisje që lëshon fishekzjarre me breshëri drejt Policisë, çfarë tjetër mund të jetë duke qarkulluar mes turmës?

https://javanews.al/wp-content/uploads/2026/10/6ad3b4d65b51e.mp4?_=1

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x