24.5 C
Tirana
03 / 10 / 2024

Menaxhimi i Kaskadës dhe kursimi, formula anti-errësirë

Nga Fatos Çoçoli

Prej 11 shtatorit 2022, Korporata Elektroenergjitike Shqiptare( KESH) e ka ndaluar plotësisht prodhimin e energjisë nga hidrocentrali i Fierzës.

Në këto ditë shiu, po provon të mbushë bazenin më të rëndësishëm energji-prodhues të vendit, liqenin e Fierzës. Ky liqen është hambari i prodhimit tonë të energjisë elektrike. Hambar që vlen, me çmimet e sotme në tregjet ndërkombëtare, në nivelin 1.7-2.4 miliardë euro në pesë muajt e ardhshëm tetor 2022-shkurt 2023, në varësi të çmimit 440 apo 580 euro për megavat-orë.

Përballimi këto ditë i nevojave të vendit me vetëm prodhimin nga hidrocentrali i Komanit dhe Vaut të Dejës dhe nga importi, është masa e duhur, për të rritur rezervën energjitike në vend. Fierza aktualisht ndodhet rreth 7 metra nën mesataren historike për shtatorin. Në prurjet mesatare për 100 vitet e fundit, viti 2022 konsiderohet me 20 përqind prurje me pak, deri tani. Deri tani ka qenë një vit shumë i thatë.

Mesi i shtatorit filloi mirë, Nëse në këto katër muaj shtator-dhjetor 2022, do të kemi rreshje, do të ndodhë lehtësimi i situatës së furnizimit me energji elektrike. KESH ka blerë energji për periudhën 11-18 shtator 2022, ndërsa në bazë të ecurisë së çmimeve në bursë, do të vendosë nëse do të vijojë importin, apo do të shtojë prodhimin në kaskadën e Drinit, duke rifutur në punë Fierzën.

Kaskada e Drinit, të tre hidrocentralet e ngelur ende në duart e shtetit(10 vite më parë shitëm katër hidrocentrale-perla të energjisë sonë elektrike, hidrocentralin e Ulzës, Shkopetit, Bistrica 1 dhe Bistrica 2) po menazhohen me kujdes nga drejtuesi i KESH, i cili ka qenë drejtor për 5 vjet në Fierzë, duke ia ngritur vlerën këtij hidrocentrali-hambar të energjisë sonë elektrike nga 230 milionë euro në 1.7 miliardë euro, që është sot. Fierzës, nga shirat e shtatorit i janë shtuar dy metra si nivel, duke arritur 169.5 metra. Ky është një ogur i mirë. Mund të shmangim errësirën dhe ndërprerjet e gjata të furnizimit me energji(të cilat nisën në Kosovë që tani në shtator). Mund të mos sjellim prapë fantazmën e gjeneratorëve me mazut që të zhurmojnë në çdo cep rruge e pallati, si në dimrin e vitit 2006. Për këtë na duhet, krahas shirave të shtator-dhjetorit 2022, edhe disiplinim në shpenzimin e energjisë elektrike dhe ndjenjë kursimi. Por a e kemi sadopak këtë ndjenjë kursimi, kur në Evropën Perëndimore edhe dritat e Kullës Eifel në Paris fiken pas orës 23.00. përgjatë gjithë natës? Kursimi është kryefjala e krizës së sotme energjitike.

Qeveria po na ndihmon duke na mbajtur deri në 800 kilovat-orë çmimin e tetë viteve më parë, 1 janarit të vitit 2015. Tani, çdo familje jonë me të ardhura të pakta, modeste ose edhe të mesme, pra jo pasunare (jemi të tillë 70 përqind e numrit të familjeve shqiptare dhe 28 përqind familje të varfëra), do të mendohet dy herë, përpara se sa të mbajë kondicionerin ndezur kohë e pa kohë.

Do të shikojmë me qindra herë sahatin e energjisë elektrike dhe rrotullimet e tij, sidomos në 10 ditorin e fundit të muajit, kur konsumi mund t’i afrohet pragut të 800 kilovatëve. Do të nisim të kursejmë fort. Kurse kursimi në administratën tonë shtetërore vjen vetëm me gjoba të forta mbi pagën e seicilit shpërdorues. Kush do të shpenzojë energji jo për gjërat më të domosdoshme, do ta ketë kilovat-orën, duke filluar nga kilovat-ora e 801-të, 4.5 herë më të lartë, ose 42 lekë. Është morali i vijimit të ndihmës për të varfërit dhe familjet shqiptare modeste e me të ardhura të mesme, pa rrënuar buxhetin e shtetit. Për pasunarët, ata mund ta kenë energjinë pafund, edhe dy mijë kilovat-orë të shpenzuar në muaj, por do ta paguajnë fashën nga 801 kilovat-orë e më lart, me 42 lekë për kilovat-orë.

Ose do t’u shkojë fatura e energjise elektrike 60 mijë lekë të rinj në muaj. Derisa sa kanë para, sigurisht qe mund ta përballojnë. Edhe pse, është e sigurtë, shumica do të jenë të parët që do të ankohen fort, siç dinë të ankohen zengjinët tanë të rinj. Ndërkohë, fasha 801 kilovat-orë e lart, duke filluar nga 1 tetori, do të disiplinojë dhe ulë ndjeshëm shpenzimin e kotë dhe shpërdorimin e energjisë nga familjet tona, sidomos ato me të ardhura të mesme. Ne shpërdorojmë gati një të pestën e energjisë që prodhojmë, pra mbi 600 milionë euro, me çmimet e sotme. Këtë nuk mund kurrsesi t’ia lejojmë më vetes.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x