11.5 C
Tirana
24 / 04 / 2026

Leka Bungo: Çfarë më shtyu që ti drejtohem edhe Kontrollit të Lartë të Shtetit në lidhje me problematikat në RTSH!

Kur i hipën kalit së prapthi

Letër edhe për Kontrollin e Lartë të Shtetit

Problemet e trajtuara në këtë shkrim nuk bëhen publike për herë të parë.

Shumë prej tyre janë ngritur në Këshillin Drejtues  të Radio Televizionit Shqiptar dhe në Shtypin e përditshëm.

Për disa syresh që sipas gjykimit tim konsiderohen  serioze, i jam drejtuar Komisionit të Medias pranë Kuvendit të Shqipërisë,  Kryetares së Kuvendit, Kryeministrit, Presidentit të Republikës por edhe pse kanë kaluar disa muaj si pergjigje kam marrë “heshtjen”. Kjo është arsyeja që sot i jam drejtuar edhe lexuesit, edhe Kontrollit të Lartë të Shtetit .

*  *  *

Sipas Ligjit, organi më i lartë që duhet të udhëheqë veprimtarinë e Radio Televizionit Shqiptar është Këshilli Drejtues i cili është zgjedhur nga Kuvendi i  Shqipërisë. Kanë kaluar dy vjet nga zgjedhja e tij dhe gjatë kësaj periudhe të gjithë Vendimet e marra janë votuar nga shumica, ashtu siç e kërkon Ligji dhe Statuti i R.T.SH-së.

Së pari, sipas gjykimit tim, Vendimet e shumicës nuk kanë qenë dhe nuk mund të jenë KURDOHERË TË drejta edhe pse votimi i tyre ka qenë gjithëherë qëllim mirë.

Së dyti, ajo që shpesh bëhet pengesë në trajtimin e problemeve të rëndësishme është HESHTJA e shumicës, e cila i zhvleftëson ato deri në zhbërje. Së treti, Informacioni që duhet të marrë Këshilli Drejtues rreth aktiviteteve të rëndësishme të Institucionit mungon.

Kjo sepse, ndryshe nga siç e parashikon Ligji, Drejtori dhe pse ka kaluar më shumë se një vit nga dita e emërimit të tij, ka Raportuar vetem NJË HERË  përpara Këshillit. Këto janë motivet që më nxitën t’i drejtohem edhe Kontrollit të Lartë të Shtetit në rolin e Arbitrit.

TRANSPARENCA

Dialog Shkresash:

Date 11.05/2022 Prot. 61

Z. Drejtor,

Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Kreu i II, Liritë dhe të Drejtat vetjake, Neni 23 thekson:

  1. E drejta e informimit është e garantuar ,
  2. Kushdo ka të drejtë, në përputhje me Ligjin të  marrë informacion për veprimtarinë e organeve shtetërore si dhe të personave që ushtrojnë funksione shtetërore.

Datë 12. 05.2022 Prot. nr. 1689/2 Këshillit Drejtues

… Sipas Ligjit, Drejtori i Përgjithshëm është menaxheri kryesor i R.T.SH-së, i cili drejton dhe kontrollon administrimin e veprimtarisë në R.T.SH,  pra organizon dhe menaxhon punën jo vetëm se ai është personi që përgjigjet për çdo gjë por edhe si pasojë e parashikimit ligjor është ai që duhet të informojë Këshillin Drejtues për çdo informacion të nevojshëm të këtij organi kolegjal dhe pas një  vendimi po kolegjial të këtij organi…”

*  *  *

Zyra e Protokollit dhe të gjthë Departamentet në R.T.SH. kanë marrë urdhër qe të mos japin asnjë Informacion që u kërkohet. Për të gjithë dhe për çdo  gjë, i vetmi që mund të japë informacion është Drejtori i Përgjithshëm!?!

Sipas këtij të fundit, Kryetari i Këshillit Drejtues nuk  ka të drejtë të pyesë apo të kërkojë informacion nga asnjë sektor i R.T.SH-së!?! Gjithnjë, sipas urdhërit të mësipërm, pyetjet, ose kërkesat për informacion duhet të diskutohen, ti nënshtrohen një Vendimi kolegjial në Këshillin Drejtues dhe më pas t’i dergohen Drejtorit të Përgjithshëm!?! Me fjalë të tjera pyetjet duhet t’i bëhen vetëm Drejtorit  dhe përgjigjet duhet të merren vetëm prej tij.

Po nëqoftesë pyetja, larg qoftë, bëhet sepse ka dyshime për ABUZIME nga ana e Drejtorit të Përgjithshëm, kujt duhet t’i behet pyetja, atij VETË?

Nisur nga kjo situatë paradoksale në mbledhjen e dates 02.06.2022, Këshilli Drejtues vendosi:

  1. T’i delegojë Kryetarit të Këshillit Drejtues të drejtën për të marrë informacion lidhur me veprimtarinë e Drejtorisë së Përgjithshme dhe të  Sektorëve të tjerë në R.T.SH.

Mirëpo edhe pas këtij Vendimi, vijon e njëjta histori. A thua se Kryetari i Këshillit Informacionin nuk e kërkon për t’ia bere të njohur Keshillit, por ka si qëllim ta vërë në dispozicion të Policisë së fshehtë Ruse! Po cili është qëllimi i FILTRIMIT të Informacionit nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme ? Unë nuk dyshoj, unë jam i bindur se një veprim i tillë bëhet vetëm në ato raste kur ke nevojë të FSHEHËSH diçka.

Përshembull ndonjë “Zullum”.

Sepse për hir të së vërtetës, precedentë të tillë ka pasur në Institucionin tonë jo shumë kohë më parë.

EMËRIMET E ÇUDITSHME

I

Në Statutin e R.T.SH-së, Neni 29, Pika 2 thotë: “Marrja në punë bëhet sipas kritereve të pranimit të miratuara me Vendim të Këshillit Drejtues, ku PËRCAKTOHET edhe “PËRBËRJA E KOMISIONIT AD HOC” për përzgjedhjen e punonjësve të R.T.SH-së. Mirëpo, emërimi i Drejtorëve në sektorët më të rëndësishëm të R.T.SH-së:

1. Drejtoresha Juridike

2. Drejtori Ekonomi -Finance

3.  Drejtori i Administrates

4. Drejtoresha e burimeve njerezore

5. Drejtori i Marrdhënieve me jashtë

6. Shefja e Kabinetit… e shumë të tjerë janë bërë në në shkelje të Statutit .

(Këtë “Skandal”, sipas gjykimit tim e kam ngritur edhe herë të tjera dhe do të vazhdoj gjer sa një ditë KËTA të japin dorëheqjen dhe të hyjnë në GARË për t’u punësuar sipas Ligjit. Dhe për “koicidencë” të gjithë kanë ardhur nga spitali ku më parë ka qenë Drejtor z. Enkel Joti, sot  Drejtor i Përgjithshëm i R.T.SH-së.)

Kur dëgjon kësisoj emërimesh, të cilat vijojnë edhe sot e kësaj dite, një mik më ngacmon me humor:

“Nuk thua lavdi zotit që ndërmjet tyre nuk është ngatërruar asnjë pacient, se ç’nuk ndodh në këtë dynja!”

Përsa më sipër i jam drejtuar më se njëherë Drejtorisë së Përgjithshme dhe pergjigja që mban datën 27.05.2022 ndër të tjera thotë:

“… Në përfundim, theksojmë se procedurat për marrjen në punë të punonjësve bëhen sipas kritereve të pranimit në punë, të miratuara me Vendim të Këshillit Drejtues të R.T.SH-së në përputhje me Nenin 29, pika 2 e Statutit të R.T.SH.”

Epra, nga dita e parë kur është zgjedhur Këshilli Drejtues dhe gjer më sot, nuk është ngritur “ASNJË  KOMISION AD HOC ” siç e kërkon Statuti i R.T.SH- së.

E vërteta është ndryshe.

Drejtorët janë emëruar në kundërshtim të hapur me Ligjin. Të emëruar definitivisht (Jo përkohësisht) kanë marrë rrogën për tre muaj me rradhë, kanë dhënë urdhra dhe kanë firmosur dhjetra shkresa si Drejtorë dhe pas denoncimit tim, Drejtoria e Përgjithshme ka bërë një tjetër shkelje, e cila i kapërcen edhe kufijtë e humorit.

Të njëjtët DREJTORË, në datën 17.06.2022, kanë dalë përpara “Komisionit” të  përbërë nga:

1.Zv. Drejtori i Përgjithshëm

2.Shefja e Kabinetit

3.Përgjegjësja e Sektorit të Burimeve Njerëzore. (Ndërkohë që vetë Anëtarët e këtij Komisioni janë emëruar në shkelje të Ligjit sepse nuk janë punësuar me Garë sipas Statutit!)

Kësisoj, Drejtoresha Juridike Donika Daci dhe Drejtorët Erion Dylgjeri dhe Elton Piero, kanë dalë përpara Komisionit dhe janë emëruar për herë të dytë për të nisur punën në të njëjtat zyra nga të cilat kishin  tre muaj që merrnin dhe jepnin urdhra si Drejtorë!!! Gjithësa më sipër janë të dokumentuara dhe të pasqyruara në Proces-verbale.

II

Në datën 14.07.2022 me propozim të Drejtorisë së Përgjithshme, Këshilli Drejtues emeroi në postin e Drejtorit artistik Dirigjentin Francez Z.Zielinski. Pa vënë në dyshim aftësitë dhe personalitetin e tij artistik, një zgjedhje e tillë ishte e gabuar. Ashtu sikundër është e gabuar edhe përzgjedhja e  Manaxherit të orkestrës. Që të dy punojnë dhe jetojnë në Francë. Le ta zëmë për një çast se në Tiranë, apo në të gjithë  Shqipërinë nuk mund të gjendej një Kandidaturë e përshtateshme për të drejtuar orkestrën por çështja shtrohet ndryshe, a mund të drejtohet me Korrespondencë një “Ndërmarrje artistike” siç është orkestra e Radio Televizionit, e cila ka në gjirin e saj rreth shtatëdhjetë instrumentistë që kanë mbaruar Akademinë e arteve?

Nga data 14.07. 2022 deri në datën 31.01.2023, pesë muaj plot, Drejtori Artistik i Orkestrës ka qenë në Shqipëri gjithsej 13 ditë!!! Pra, në 150 ditë ka punuar me orkestrën 13 ditë! Dhe për hir të së vërtetës duhet thënë se paga e tij mujore nuk është per t’u përçmuar, ose thënë ndryshe, pak më e madhe se ajo e Presidentit  të Republikës.

Por le të konsiderohet një çast si normale marrëdhënia e Drejtorit Artistik me Orkestrën.

A mund të FALET mungesa e tij në Festival, i cili  është padyshim një nga eventet më të rëndësishëm  muzikor në rang Kombëtar, jo vetëm për Radio Televizionin Shqiptar!? (Të paktën ta ndiqte në sallë si spektator!) Ky është një nga rastet, kur sipas gjykimit tim, miratimi i propozimit të Drejtorit të Përgjithshëm nga shumica nuk është i saktë.

*  *  *

FESTIVALI

Në Dhjetorin e vitit të shkuar u organizua Festivali tradicional i këngës në R.T.SH. Rreth tij u bënë shumë komente dhe pati opinione nga  më të ndryshmet. Ato ditë Festivali ishte ne fokusin e shtypit të përditshëm. Ndërkohë shkrimet apo analizat në pjesën e tyre më të  madhe nuk ishin optimiste për nivelin e tij, përkundrazi, e cilësonin si një nga Festivalet më të dobëta ndër vite. Në këto rrjeshta nuk kam ndërmend të bej analizën e Festivalit sepse nuk e ndjej vehten kompetent, por gjithsesi më duhet të pranoj me keqardhje se Niveli i  realizimit te tij, ishte në kufi me dështimin. Dhe nuk mund të ndodhte ndryshe.

Perveç “mëkateve” të tjera, emërimi i papërgjegjshëm i një inxhinieri në krye të Festivalit dhe veçanërisht përzgjedhja e Gazetares në postin e Drejtorit artistik ishin “Mëkatet e mëdha” që sollën atë rezultat që sollen. Festivali i këngës në R.T.SH është aktiviteti më i rëndësishëm i Muzikës në Republikën e Shqipërisë. Si është e mundur të mos gjendej në të gjithë vendin apo në trevat e tjera shqiptare një Personalitet në fushën e artit muzikor por t’i besohej Drejtimi artistik i Festivalit muzikor një Gazetareje, e cila nuk ka asnjë lidhje me muzikën, Ajo që ra në sy sapo u ndezën dritat ishte Skenografia  e spektaklit. Një dekor i paaftë për të transmetuar një mendim te spektatori. Ndërtimi i Dekorit ishte mbështetur tërësisht në teknologjinë e ndriçimit.

Përdorimi i dritave pa kriter për të “çuditur” spektatorin nuk arrinte të krijonte një atmosferë artistike serioze, siç duhej të ishte i gjithë Festivali. Përkundrazi, edhe pse ishe ulur në sallën luksoze të koncerteve të krijohej ndjesia sikur ishe në një Diskotekë. Në skenën e Festivalit, ndryshe nga vitet e mëparshme munguan Këngëtarët dhe Kompozitorët  më të mirë të vendit, ATA që e bëjnë Festivalin!!! Ky, është një nga rastet që tregon se Vendimet e shumicës në Këshill nuk janë kurdoherë të drejta . Me propozimin e Drejtorit të Përgjithshëm u vendos  që Kënga, e cila do të përfaqësonte Shqipërinë në Festivalin Europian, nuk do të përzgjidhej nga Juria e përbërë nga Profesionistë por nga vota popullore !?!

Me fjalë të tjera, vota e Profesor Zhani Cikos duhej te  konsiderohej e NJEJTË me votën e rritëses së dalluar të viçave në Roskovec!?

Ndoshta opinionet artistike nuk janë objekt analize për Kontrollin e Lartë të Shtetit, por ato nuk janë të VETMET probleme. Sipas gjykimit tim, në një aktivitet Kombëtar, në të cilin ndërthuren gjini artistike nga fusha të ndryshme të krijimtarise dhe marrin pjesë qindra artistë, një nga  problemet është edhe ai i “Shifrave”. Problem që është padyshim në Fokusin e një gjykimi profesional dhe të specializuar siç është ai i Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Unë s’jam kompetent dhe nuk “Akuzoj” kërkënd lidhur me abuzime me “SHIFRAT”.

Por…

Për Festivalin u kërkua nga Drejtori i Përgjithshëm dhe u miratua nga Këshilli një shumë prej 470 (Katërqind e shtatëdhjetë milion) lekë të vjetra. Shtatëdhjetë milion lekë më shumë se në Festivalin e  vitit të kaluar?!

Pse?!

Cili ishte ndryshimi cilësor që ndikoi në rritjen e shpenzimeve?

RTSH nuk është Televizion privat, shpenzimet e tij  mbulohen nga të ardhurat e taksa paguesëve shqiptar. Nisur nga kjo, sipas gjykimit tim, Këshilli    Drejtues është treguar “dorëlëshuar” ndaj propozimeve të Drejtorit të Përgjithshëm. Sidomos për pagesat e Qerave dhe shpërblimet e realizuesëve. Kur lexon Preventivin nuk mund mos të të bjerë në sy edhe ndonjë Pagesë e pazakontë për një Televizion Publik, si përshembull, shpërblimi prej 19 milion lekë  (Të vjetra) për Moderatoren, Skenaristen dhe Drejtorin artistik. (Që në të vërtetë është i njëjti person). Është e pazakontë, sepse në R.T.SH, me të njëjtën shumë shpërblehet një Regjisor i cili realizon një film televiziv të metrazhit të mesëm me 13 Seri, për të cilin i duhet të punojë të paktën një vit e gjysmë.

Unë vërtet nuk jam kompetent për të gjykuar rreth “Shifrave” por gjithësesi nuk mund ta pengoj vehten që në ndonjë rast edhe të “çuditet” ! Përshembull, në Preventivin e propozuar nga Drejtoria dhe të miratuar me shumicë votash në  këshillin Drejtues, në Kapitullin VI, Pika I thotë: Planshet me qera, metra katror 420, 3.480.00 (Vlera në njësi) Vlera gjithsej 1.461. 600.00 lek. Ose thënë ndryshe, marrja e një plansheti me qera (Mund të ketë qenë beze e lyer, Dok ose Plastmas) për të mbuluar dyshemenë e skenës vetëm për netët e Festivalit është paguar 14.616 .000 lekë të vjetra!!! Ndërkohë, për të marrë me qera një Autobuz të pajisur me teknologjinë e fundit dhe nëntë kamera, zakonisht paguhet 1000 deri në 1500 Euro në ditë.

*  *  *

PËRÇMIMI

Ndoshta s’ka lidhje me nivelin e Festivalit dhe as me Kontrollin e Lartë të Shtetit, por nëntëdhjetë e nëntë përqinde punonjësve të Radio Televizionit Shqiptar e  kanë ndjerë vehten të fyer nga PËRÇMIMI. Jam i bindur se perveç orkestrës, e cila ishte një nga personazhet kryesor të festivalit dhe padyshim më cilësorja, Regjisorët, Skenaristët, Operatorët, Skenografët, Kameramanët, Moderatorët nuk i shpëtuan PËRÇMIMIT të Administratës e cila pandeh se mund të marrë vendime edhe në ato fusha ku NUK MERR ABSOLUTISHT VESH.

Atëherë përse ndodh kjo ?

Sepse janë të sigurt që nuk kontrollohen nga ASKUSH. “Dashuria” për të “ Huajt “ dhe përçmimi ndaj punonjësve të RTSH-s solli për teleshikuesit një nga pamjet më të TRISHTA në Ekran. Në pushimet përgjatë interpretimit të këngëve, në skenë u shfaqën shtatë a tetë PASTRUESE që në bluzat tyre të bardha ishte shënuar me gërma të mëdha Logoja R.T.SH, ajo pamje dukej sikur kërkonte t’i thoshte teleshikuesëve shqiptar se vërtetë nëntëdhjetë e pesë perqind e atyre që realizuan Festivalin ishin të HUAJ, por PASTRIMI i skenës ishte njëqind përqind kontribut i R.T.SH-së.

*  *  *

SHKRIRJA E KËSHILLIT…

Pak kohë më parë, në një kafene pranë ndertesës së R.T.SH-së, unë , Kryetari i Këshillit Drejtues mora vesh se Drejtori i Përgjithshëm ka dhënë Urdhër për  të shkrirë Këshillin Artistik!? Këtë ma tha një nga shoferët e autobuzit tek pinim kafe .

U hoqa sikur e dija. Në të vërtetë, perveç Drejtorit të Përgjithshëm dhe Shoferit, asnjë nga Anëtarët e Këshillit Drejtues nuk kishte dijeni për një Vendim të tillë! Në zyrën e Këshillit nuk kishte ardhur asnjë  informacion! Pse …?!?

Pak ditë më vonë mora një letër nga Kryetari i Këshillit Artistik z. Josif Papagjoni, një nga “kritikët” më të shquar në fushën e artit, njëherazi Anëtar i Akademisë së Shqipërisë.

Ndër të tjera z. Papagjoni më shkruan:

“ … I dashur Leka, siç ndofta e di, lidhur me qendrimin fyes të Drejtorit Enkelejdi Joti, për shkarkimin pa asnjë arsye të Këshillit Artistik, unë përveç publikimit në faqen time në FB, botova edhe një shkrim të rreptë kritik te gazeta Panorama. Mendova se do të ishte bërë diçka nga Ju, Këshilli Drejtues i R.T.SH-së për këtë vendim poshtërues të marrë ndaj nesh por nuk pati asnjë reagim nga ana juaj. Ne do të kishim deshirë qe ky Këshill të na jepte mundësinë e një ballafaqimi me Drejtorin ose …”, mirëpo shumica e Këshillit Drejtues vendosi të mos merrej me këtë çështje, sepse sipas saj , ishte një problem që i perkiste “VETËM” Drejtorisë së Përgjithshme!

(Sipas gjykimit tim, nëse do të kish ndonjë problem me të cilin duhej të merrej Këshilli Drejtues, ishte pikërisht ky)

Po cili është motivi i vërtetë për “shkrirjen” e Këshillit artistik?

Anëtarët e tij, janë përzgjedhur si Profesionistë të shquar në fushat e tyre dhe nuk mund të bëhen palë me “Dikë” që mund t’u kerkoje ‘Allish Verishe’. Me urdhër të brendshëm nr. 1727, prot. 36, datë 12.05.2022 , është ngritur një “GRUP PUNE” i cili merr në shqyrtim Projektet artistike të paraqitura pranë R.T.SH-së dhe bën seleksionimin e tyre!!!

Ç’është ky Grup?! Cili është roli i tij ?

Sipas përgjigjes së Drejtorit të Përgjithshëm “GRUPI  I PUNËS”, (I përbërë nga personazhe që nuk kanë asnjë lidhje me krijimtarinë artistike) merrej thjesht me kontrollin e dokumentacionit. Në të vërtetë ai SELEKSIONONTE dhe dërgonte pranë Këshillit Artistik për miratim vetëm një apo dy Projekte, bash ATO që duhej të FITONIN .

Kësisoj, Këshilli Artistik dilte plotësisht jashtë loje. Mirëpo, mesa duket, kjo manover u duk e pamjaftueshme dhe një ditë të bukur u firmos Vendimi për të shkrirë Këshillin Artistik!!!

Nuk ka asnjë dyshim se një vendim i tillë, si shumë të  tjerë më parë, janë marrë dhe do të merren për sa kohë që STATUTI i R.T.SH-së do të jetë ky që është. Statut, për të cilin nuk kam asnjë dyshim që është kopsitur nga ish Drejtorët per t’u strehuar si në një bunker ku nuk e kap asnjë predhë. Sipas Statutit aktual, Këshilli Drejtues edhe pse është organ epror i R.T.SH-së nuk ka tagër as për të bërë PROPOZIME. Ai është thjesht në rolin e një Noteri i cili ngre dorën për të miratuar Vendime, sipas propozimeve të Drejtorit të Përgjithshëm.

*  *  *

Disa muaj më parë, kam cituar në shtyp deklaratën e Drejtorit të Përgjithshëm në një nga mbledhjet e Këshillit Drejtues , e cila ndër të tjera thotë: “… Nëqoftëse gjendja e krijuar në R.T.SH nuk ndryshon deri në muajin Mars, UNË do të jap dorëheqjen .”

Kësaj deklarate unë iu pergjigja në shtyp:

“Zoti Drejtor, sipas gjykimit tim, juve nuk duhet të jepni DORËHEQJEN nga posti që mbani, ju duhet TË HIQNI DORË nga strategjia e drejtimit të Institucionit.”

Atëhere unë mendoja se AI gykonte gabim , ndërsa  unë kisha të drejtë.

Ndërsa tani që kemi hyrë në ditët e fundit të Marsit, jam bindur se UNË isha i GABUAR, ndërsa AI kishte të DREJTË.

Leka Bungo

Kryetar i Këshillit Drejtues

Radio Televizioni Shqiptar!

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x