Nga Ilir Demaliaj
Piro Koleka lindi në Tiranë në vitin 1952, djali i doktor Gogo Kolekës dhe Netës, një zonjë e rrallë, fisnike, me rrënjë kroate. U rrit në një shtëpi ku edukata, kultura dhe dinjiteti ishin mënyrë jetese, jo fasadë. Që fëmijë mbarti mbi vete atë elegancë natyrore që nuk mësohet në libra dhe nuk blihet me para — trashëgohet dhe jetohet.
Nxënës i “Sami Frashërit” dhe më pas student i Fakultetit të Shkencave, dega Kimi, Piro ishte ai djalë që shpërqendronte vëmendjen e Tiranës jo vetëm me fizikun sportiv dhe pamjen e hijshme, por me mënyrën si ecte, si fliste, si vishej. Rrobat që i vinin nga Kroacia, nga njerëzit e mamasë, binin në sy, por ajo që mbetej ishte shija e hollë, sjellja prej xhentëlmeni dhe një fisnikëri që nuk kishte nevojë të shpallej — sepse ndjehej.
Dhe megjithatë, Piro nuk iu nda kurrë “pazarit të parë”. Nuk iu nda kurrë komshies me të cilën u rrit dhe me të cilën ndërtoi familjen e tij të bukur me Lindita Vrapin, duke lënë pas dy djem të mrekullueshëm tironcë, Gjergjin dhe Angelon — vazhdimësi gjaku, karakteri dhe fryme qytetare.
Vetëm 16 vjeç, Piro veshi fanellën e ekipit të parë të Tironës, në një kohë kur parketi ndizhej nga emra legjendarë të basketbollit shqiptar: Vaso Shaka, Bujar Shehu, Gavrosh Levonja, Kujtim Kasmi, Land Topalli. Ishin vitet e lavdisë, kur Tirona u shpall kampione me atë kosh të paharruar nga mesi i fushës i Land Topallit, në tri sekondat e fundit — një moment që ende rreh në zemrën e qytetit.
Ai ishte kampionati i fundit i madh për Tironën, përballë një Partizani të ushqyer nga pushteti, me legjendën Agim Fagu e më pas Gazmend Çaçin, me lojtarë të mbledhur nga e gjithë Shqipëria dhe me arbitrime të diktuara nga lart. Tirona u etiketua si “klub reaksioni”. Dhe po — një nga këta “reaksionarë”, në kuptimin më të bukur të fjalës, ishte edhe Piro Koleka.
Në “Klubin Petëf”, në “Bodrumin e Hykajve”, apo në apartamentin e Kolekajve te “dyqanet me koma”, siç i thoshim ne tironcit, zhvilloheshin biseda pa fund me rebelët e regjimit. Net që zgjateshin deri në orët e vona, mes gotash që trokisnin me shpresë dhe lajmesh që vinin përtej Adriatikut e Atlantikut. Aty Piro ishte vetvetja: i qetë, i thellë, i mençur, me një elegancë mendimi që nuk kërkonte zë të lartë për t’u dëgjuar.
Në moshën 17-vjeçare, Piro ishte pjesë e pesëshes së parë të Tironës, përkrah Shakës, Levonjës, Kasmit dhe Shehut. Për vite me radhë na dhuroi emocione, lot dhe krenari — si me fanellën bardheblu, ashtu edhe me atë kombëtare.
Më 28 janar 1973, kur Vaso Shaka, legjenda e basketbollit shqiptar, u largua nga sporti, fanellën e tij ia besoi 20-vjeçarit Piro Koleka. Ishte një dorëzim simbolik dinjiteti, karakteri dhe vazhdimësie.
Por Piro ishte shumë më tepër se një sportist i madh. Ishte njeri i madh. I hapur, i drejtë, pa paragjykime. Një cilësi sot pothuajse e zhdukur: nuk e konsideronte kurrë veten mbi të tjerët. Kjo e bënte jo arrogant, por fisnik. Ishte tolerant, i thjeshtë në shpirt, “down to earth”, por me një aristokraci natyrore që nuk kishte nevojë për tituj, poste apo duartrokitje.
Piro nuk do t’i mungojë vetëm familjes dhe shoqërisë së tij. Ai do t’u mungojë qytetarëve të Tiranës, vetë qytetarisë së saj — asaj që po rrallohet dita-ditës, e dhunuar nga vulgariteti grabitqar, nga provincializmi pa fre, nga vaniteti i zhurmshëm që Piros i krijonte pështjellim dhe dhimbje. Dhe ndoshta për këtë arsye u largua — sepse nuk donte ta shihte qytetin e tij të përulur.
Të qoftë rruga e lehtë në amshim, miku im. Tirana ishte më e bukur me ty.