9.5 C
Tirana
16 / 02 / 2025

KULTI I NDERIMIT TË DËSHMORËVE DHE PRESIDENTI I REPUBLIKËS QË NUK ËSHTË!…

Nga Luan Rama

Në 5 Majin e Dëshmorëve të Atdheut:

KULTI I NDERIMIT TË DËSHMORËVE
DHE PRESIDENTI I REPUBLIKËS
QË NUK ËSHTË!…

Edhe pse një detyrim protokollar i padelegueshëm që buron prej atributeve kushtetuese si Kryetar i Shtetit, Presidenti i Republikës ka munguar sot në ceremoninë shtetërore (një ritual i përvitshëm që zhvillohet çdo 5 Maj në varrezat e Dëshmorëve të Atdheut), në përkujtim dhe nderim të të rënëve për liri.

Janë disa data që shenjojnë një raport të veçantë të shtetit, të vendit dhe të popullit me historinë, (një ndër to edhe 5 Maji padyshim), nderimi i të cilave nuk është çështje dëshire apo vullneti personal nëse zgjedh apo jo të marrësh pjesë.
Autoritetet e larta shtetërore, më e pakta e kanë detyrim formal prej Protokollit të Shtetit praninë në ceremonitë që lidhen me këto data, pa thënë se e kanë padyshim edhe detyrim shtetëror dhe ligjor gjithashtu.
Në këtë kontekst, Presidenti i Republikës e ka detyrim mbi gjithë të tjerët.
Atij nuk i lejohet të mungojë, ashtu sikundër nuk i lejohet as ta delegojë autoritetin e përfaqësimit në ceremonitë e këtij lloji.
Këto janë kode, janë rregulla të shenjta sepse na dëshmojnë shtetin, na dëshmojnë praninë, seriozitetin dhe solemniteti e bartur prej përfaqësuesve të tij.

Sot, në kortezhin e përfaqësuesve të lartë të shtetit që vendosën kurora me lule pranë monumentit “Nënë Shqipëri”, Presidenti i Republikës mungoi. Pas kurorës në emër të tij që mbahej nga dy përfaqësues të trupës së ceremonialit shtetëror, vendi ishte bosh. Ai nuk ishte.
Ende prej Protokollit të Shtetit apo prej Institucionit të Presidentit nuk ka ndonjë njoftim zyrtar që të “justifikojë” mungesën e tij në ceremoninë e nderimit të Dëshmorëve të Atdheut, edhe pse në fakt, përjashto pamundësi prej ndonjë gjendjeje të rëndë shëndetësore, asnjë arsye tjetër nuk e përligj mospraninë.
Dikush mund të thotë me të drejtë se mbase ka patur ndonjë motiv apo arsye të rëndësishme shtetërore që ia ka bërë të pamundur praninë fizike.
Nuk e përjashtoj edhe këtë mundësi e madje, do të doja të ishte kështu. Por, do të duhej të bëhej një njoftim zyrtar se përse Presidenti i Republikës mungoi sot në ceremoninë shtetërore të 5 Majit, pasi transparenca është jo vetëm detyrim etik, por edhe një standard i detyrueshëm kur është fjala për veprimtarinë e Kryetarit të Shtetit.

5 Maji është një datë krejt e veçantë në kalendarin e ngjarjeve të historisë tonë shtetërore dhe kombëtare. Përmes saj, atdheu peshon mallin për të rënët. Kujtesa për ta dhe kulti i nderimi të gjakut të derdhur për liri, janë dëshmi e vetëdijes tonë. Ato janë shenjë qytetarie dhe fisnikërie për një popull.
Mungesa në kësi rastesh është lëndim, është fyerje. Për të nuk kërkohet ndjesë.
Nëse Presidenti i Republikës nuk e di këtë, injoranca nuk është justifikim.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x