23.5 C
Tirana
27 / 07 / 2024

Kujt i takon drejtimi i PD? Gjykata e Apelit shqyrton sot dosjen në themel

Sot në Gjykatën e Apelit nis në themel shqyrtimi i dosjes së Partisë Demokratike.

Kolegji Civil thotë në vendimin e datës 27 dhjetor 2023 se çështja e drejtimit të PD-së është shqyrtuar gabim nga të gjitha gjykatat në Shqipëri.

Me numër vendimi 786 Gjykata e Lartë e riktheu çështjen e drejtimit të Partisë Demokratike në Gjykatën e Apelit, duke përcaktuar se gjyqtarët që do ta shqyrtojnë këtë çështje në themel, do të jenë të ndryshëm nga ata që ishin më parë.

Odiseja se kush e drejton PD-në dhe kush ka të drejtë të përdorë vulën dhe firmën e kryetarit nisi pas përplasjeve të dhunshme në Tiranë në selinë qendrore në 8 janar të dy viteve më parë.

Pas një beteje të gjatë në dy shkallë të gjyqësorit, erdhi vendimi i Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë, i cili shqyrtoi dosjen voluminoze të demokratëve, të kaluar në disa duar gjyqtarësh.

Tre gjyqtarët e lartë, Artur Kalaja, Ervin Pupe dhe Darjel Sina morën në shqyrtim në dhomë këshillimi çështjen gjyqësore me kërkues: Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit që kërkon depozitim ndryshimesh statutore dhe vendimmarrje të Kuvendit Kombëtar.

Kolegji vlerëson se dy vendimet e dhëna nga gjykata e shkallës së parë dhe e dyta kanë qenë të gabuara.

Kolegji i Lartë Civil përshkruan në vendimin e transkriptuar se gjykata nuk ka dhënë asnjë argument dhe asnjë vlerësim ligjor në lidhje me dy Kuvendet e PD-së që u mbajtën në dhjetor të vitit 2021, si për atë të Zotit Berisha dhe për atë të Zotit Basha. Gjykata e Lartë vlerëson në vendimin e  saj se nuk mund të merrej asnjë vendim pa u shqyrtuar më herët faktet dhe provat se cila ishte lidhja që kishin dy kuvendet me njëri-tjetrin.

Pas shqyrtimit të 81 paragrafeve voluminoze të historisë tre vjeçare të konfliktit në opozitë, Gjykata e Lartë detyron Gjykatën e Apelit që t’u bëjë të qartë palëve në këtë konflikt se është detyrë e secilës prej tyre të provojnë faktet për të drejtat që kërkojnë.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x