12.5 C
Tirana
15 / 02 / 2026

Kos: Kryerja e reformave, kusht për anëtarësimin në BE! Brukseli nuk do të tolerojë cenimin e pavarësisë së gjyqësorit

Nga kryeqyteti estonez, Talin, komisionerja për zgjerimin Marta Kos theksoi se Brukseli nuk do të tolerojë cenimin e pavarësisë së gjyqësorit në shtetet kandidate.

“Në procesin e anëtarësimit në BE nuk bëhet fjalë për rrugë të shkurtra në negociata. Ne po punojmë me shtetet kandidate për të krijuar institucione të forta demokratike që garantojnë sundimin e ligjit, veçanërisht pavarësinë e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit. Anëtarësimi i plotë në BE nuk mund të vijë kurrë në dëm të këtyre reformave themelore”.

Shtetet kandidate, sipas Kos, janë duke ndjekur reforma të vështira që vijnë edhe me kosto politike afatshkurtra.

“Vetëm një rrugë e besueshme reformash mund të krijojë besimin te shtetet aktuale anëtare të BE-së, që kanë fuqinë vendimmarrëse në procesin e zgjerimit. Pa një besim të tillë, ky proces nuk mund të jetë kurrë i suksesshëm. Kjo është arsyeja pse unë kërkoj që traktatet e anëtarësimit të shteteve të reja të përmbajnë masa mbrojtëse të forta kundër kthimit prapa në angazhimet e marra gjatë negociatave të anëtarësimit. Kjo vlen sidomos nëse këto shtete cenojnë vlerat e demokracisë dhe sundimin e ligjit”.

Krahas kushteve, ajo përmendi edhe përfitimet nga integrimi gradual.

“Ne po zbatojmë në praktikë integrimin gradual me përfshirjen e shteteve kandidate në zonën tonë të pagesave në euro (SEPA) dhe në zonën e roaming-ut të lirë, e cila, që nga fillimi i vitit, është zgjeruar me Ukrainën dhe Moldavinë. Tani po u propozojmë shteteve aktuale anëtare të BE-së që të bëjmë të njëjtën gjë edhe për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor”.

Së shpejti, komisionerja Kos do të publikojë një sërë ndryshimesh që do ta bënin më të thjeshtë procesin e zgjerimit, duke lënë të hapur mundësinë që të paktën Shqipëria, Mali i Zi, Ukraina dhe Moldavia të anëtarësohen në BE brenda vitit 2030.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x