Kreu i grupit parlamentar demokrat, Enkelejd Alibeaj ka prezantuar projektligjin “Për garantimin e pastërsisë së figurës të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” duke thënë se çdo funksionar duhet t’i nënshtrohet procesit për verifikimin e figurës. Alibeaj kërkon që të mos mbetet pezull por të shkojë deri në fund dosja ku Ilir Meta përmendet si spiun i ish Sigurimit të Shtetit. Kreu i grupit parlamentar të PD që është distancuar nga Sali Berisha kërkon që të verifikohet figura e aleatit të këtij të fundit. Sipas tij, në këtë mënyrë do të tregohet qartë serioziteti i Autoritetit të Dosjeve dhe Partisë Socialiste. Po ashtu dha mesazhin që ligjet si hapja e dosjeve apo lustracioni të mos kthehen në luftë politike ndaj kundërshtarëve.
“Ajo që unë doja të thoja është fakti që kur bëhet fjalë për dekomunistizim, për procesin e dënimit të diktaturës komuniste, e mira por edhe praktika e Europës lindore do të duhet të sjellë një paketë të plotë. Nuk kemi sjellë pjesë të vogël projektligji por paketë të plotë. Përveç ligjit të hapjes së dosjeve kemi paraqitur edhe një projektligj tjetër për burgun e Spaçit dhe për propagandën komuniste e i fundit është ky.
Besoj që është e udhës që për çështje të ndëshkimit publik për hapjen e dosjeve, jo vetëm publiku duhet të njihet për atë që ka ndodhur në dosjen e ish Sigurimit por edhe institucionet të reagojnë. Ajo që do të doja të thoja është që kurrsesi nuk duhet që ligje kaq të rëndësishme të shndërrohen në akte të luftës politike. Ligje si hapja e dosjeve dhe lustracioni s’duhet të kthehen në luftë politike ndaj kundërshtarëve.
Ky ka qenë gabimi historik që është bërë gjithmonë. Është detyrim ndaj së shkuarës, por mbi të gjitha detyrim i së ardhmes. Mos e bëni siç e bëtë me hapjen e dosjeve disa muaj më parë, e mbi të gjitha ajo çështje që ju vuri në lëvizje për hapjen e dosjeve, të çohet deri në fund, për të treguar seriozitetin tuaj(dhe të Autoritetit të dosjeve. Edhe personazhi i skandalit McGonigal, Agron Neza nuk është gjë tjtër veçse një ish sigurims.”, tha Alibeaj.
Rrugën e shqyrtimit parlamentar, PD e PS nisën sot edhe për 3 nisma të tjera ligjore që synojnë pastrimin e politikës nga ish bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit: Ndalimin e kandidimit për ish sigurimsat dhe ish spiunët si dhe ndalimin e partive për të patur kryetar bashkëpunëtor të ish sigurimit të propozuara nga deputetët socialistë dhe lustracionin e Enkelejd Alibeajt.