19.5 C
Tirana
19 / 05 / 2024

Italia, në krye të Lojërave Mesdhetare

Lojërat e 19-ta Mesdhetare në Oran tashmë janë drejt fundit, ndërsa dita e nëntë duket se ka qenë e gjitha për Italinë. Të kaltrit, kjo në gjashtë disiplinat sportive në të cilat janë shpërndarë medaljet, kanë marrë shtatë medalje të arta. E ka nisur Valerin Kuomo në skermë për meshkuj për ta vazhduar në të njëjtën disiplinë sportive, kjo për femra, Xhulja Riçi. Më pas në not, kjo në 50 metra shpinë për femra, Liza Anxhiolini jo vetëm që është e artë, por vendos dhe rekord të ri mesdhetar me kohën 30”87.

Po kështu në 200 metra katërnotim për femra një tjetër e artë për Italinë do të vinte nga Sara Françeski me kohën 2’12”19. Notarët italianë do të dominonin dhe stafetat 4×100 metra katërnotim si për femra, ashtu dhe për meshkuj, duke regjistruar kohët 4’04”65 dhe 3’35”77. Dhe e arta e fundit e ditës për italianët erdhi në volejboll për femra, atje ku triumfuan 3-1 ndaj Turqisë. Në futboll ishte Franca ajo që triumfoi 1-0 ndaj Italisë, kurse në volejboll për meshkuj medalja e artë ishte për Kroacinë, 3-0 ndaj Spanjës.

Duke mbetur tek noti në 50 metra stil i lirë për meshkuj e arta ishte Kristian Gkomolev të Greqisë, kurse Lara Pudar e Bosnje-Hercegovinës do të fitonte në 100 metra delfin. Në taekuondo për femra në peshën 67 kilogram të artë do të ishin Jeliç e Kroacisë dhe Abufaras e Marokut, kurse në peshën 58 kilogram për meshkuj fitues ishin Junta i Spanjës dhe Eisa i Egjiptit.

E në ditën e nëntë disiplina e fundit që shpërndau medalje ishte peshëngritja me peshat 102 dhe +102 kilogram për meshkuj. Velasko i Spanjës ishte fitues në shkëputje në peshën 102 kilogram me 175 kilogram, kurse shtytja ishte për tunizianin Basha. Ndërkohë në peshën +102 kilogram fitues ishin algjeriani Bidani dhe siriani Asad.

Kështu Italia me 44 medalje të arta është vënë në krye të listës, kurse Lojërat Mesdhetare në Oran, të mërkurën në mbrëmjen, ulin siparin e tyre

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x