Nga Prof.Dr. ETHEM RUKA
Në maj të vitit të kaluar, Alissa 13 vjeçare nga Leicester i Anglisë, u diagnostikua me leuçemi limfoblastike akute. Kanceri ishte shumë agresiv. Të gjitha trajtimet e mundshme si kimioterapia dhe transplanti i palcës së kockave qenë të pasuksesshme për shërimin e saj. Alissa ishte në prag të vdekjes.
Prindrit mendonin se Krishtlindjet e vitit të kaluar do kishin qenë të fundit për t’u festuar me bijën e tyre. Nuk mund të bënin asgjë më tepër veçse të qanin dhe ta linin vajzën në dorën e fatit.
Atëhere kur kishin humbur të gjitha shpresat, mësuan se kishte edhe një mundësi të fundit, por që nuk ishte provuar kurrë më parë te ndonjë pacient që kish vuajtur nga i njëjti lloj kanceri.
Bëhej fjalë për një teknologji të inxhinierisë gjenetike që synonte të pastronte trupin nga qelizat e sëmura të Alisës. Dëmtimi gjenetik i këtyre qelizave, që janë të rëndësishme për sistemin imunitar në kushte normale ishte shkaku i vetëm i leuçemisë rebele të Alissës.
Termat që përdorim ne biologët duken të vështira, por sot pak e nga pak po bëhen gjithmonë e më familjare. Po mundohem ta shpjegoj shumë thjesht për ata që nuk e njohin biologjinë.
Kodi gjenetik trashëgues i ADN-së është i shkruar nga kombinimi i katër shkronjave që përfaqësojnë katër nukleotide; adeninën (A), guaninën (G), citozinën (C) dhe timinën(T). Për fat të keq në një nga gjenet e ADN-së së Alissës një nga këto shkronja nuk ishte në vendin e vet dhe ishte e zëvendësuar me një shkronjë tjetër.
Është njësoj sikur te fjala “mali” të zëvendësohet shkronja “m” me “k” dhe atëherë fjala mali lexohet “kali”. Tani ju mund ta kuptoni më lehtë si ndryshon kuptimi i një fjalie në raste të tilla. Është njësoj sikur të thuash “Kali i Dajtit është mushkëria e Tiranës” në vend të fjalisë normale “Mali i Dajtit është mushkëria e Tiranës”.
Teknologjia e inxhinierisë gjenetike nuk bën gjë tjetër veçse synon të redaktojë shkronjat e gabuara, ose thënë ndryshe fjalën e shkruar gabimisht “kali” ta rikthejë në formën normale “mali”. Kur shkruajmë në kompjuter gabimet ortografike mund t’i korigjojmë me lehtësi, por korigjimi i shkronjave të gabuara të ADN-së është shumë vështirë.
Janë dashur vite të tëra përpjekjesh për t’i sjellë këto teknologji moderne më afër mjekësisë humane. Shënjestra e tyre janë sëmundjet trashëguese dhe dëmtimet që pësojnë gjenet gjatë jetës individuale të njeriut.
Po të kishit patur rastin të lexonit një nga botimet e mia të fundit që quhet “Përtej njeriut”, ndoshta do ta kuptonit më mirë rolin e inxhinierisë gjenetike që me siguri nesër do të shëroj sëmundje të pashërueshme përballë të cilave mjekësia e sotme dorëzohet dhe vdekja merr viktimën e radhës.
Kështu ndodhi edhe me Alissën. Ndërsa ajo priste vdekjen e pamerituar në një moshë fëminore, teknologjia e “redaktimit gjenetik” e me vonë transplanti i palcës se kockave i dha frutet e saj. Mjekët modifikuan gjenetikisht në laborator miliona qelizat “T” të një donatori, të cilat pasi u futën në trupin e Alisës dhe sulmuan qelizat e saj “T” të sëmura. Pastrimi i tyre bëri që Alisa të jetë gjallë.
Ajo është një e mbijetuar që është ende nën vëzhgim për të parë çfarë do të ndodhë në vazhdim. Sido që të jetë Alissa do t’i festojë e qeshur këto Krishtlindje bashkë me prindërit e saj.
Kjo është forca e teknologjisë, kjo është forca e inxhinierisë gjenetike. Besoni te shkenca dhe shkencëtarët!
Simbioza njeri-teknologji lindi qëkurse u shpik vegla e parë prej guri dhe vazhdon edhe sot me “gërshërët gjenetike” që korigjojnë gjenet tona. Ne shpikëm dhe përmirësojmë teknologjinë dhe teknologjia përmirëson jetët tona.
Shembulli i Alisës është vetëm një ndër miliona të tjerë që jeta i vë në provë para kohe. Jam i sigurt që nipërit tanë do të thonë sa keq që dikur vdisnin njerëz për gjëra kaq të vogla.
Si njeri i shkencës unë e besoj këtë. Besoj se jemi futur në epokën e kontrollit të gjeneve tona, duke shpëtuar pak e nga pak nga skllavëria e tyre. U ftoj ta besoni edhe ju!



- Demokrati Zohran Mamdani zgjidhet kryebashkiak i Nju Jorkut, i pari mysliman në histori - 05/11/2025
- Progres raporti i KE, Rama ndan deklaratën e Marta Kos: Do të bëjmë gjithçka për t’u ulur si të barabartë në tryezën e BE - 04/11/2025
- Sot, afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve/ Zbardhen emrat e kandidatëve për postin e Avokatit të Popullit - 03/11/2025