Leon Jakiroviç është futbollisti më i ri i Interit. Klubi zikaltër ka arritur marrëveshjen me Dinamo Zagreb për mbrojtësin e vitlindjes 2008. Kroatët kanë pranuar ofertën prej 2.5 milionë eurosh, plus 2 milionë euro bonuse. Po ashtu, kanë mbajtur një përqindje të kartonit.
Mbrojtësi i qendrës, që luan me këmbën e majtë, do të jetë sot në Itali për të kryer vizitat mjekësore. Për këtë blerje Interi ka fituar konkurrencën me Salcburg, falë marrëdhënieve të mira që ka me agjentët e lojtarit, të cilët janë po ata të Suçiç, një tjetër kroat i transferuar te zikaltrit.
Pikërisht për shkak të ndërrimit të agjentit duket se ka rënë poshtë transferimi i një tjetër kroati tek Inter, Mlaçiç i Hajduk Split. Mbrojtësi ndiqej prej kohësh dhe u duk se marrëveshja ishte shumë afër, por situata ka ndryshuar me ndryshimin e agjentit nga ana e Mlaçiç.