12.5 C
Tirana
28 / 10 / 2025

HISTORI TË PARRËFYERA/ Ngjarja në ish-Ambasadën Jugosllave

Nga Genci Gjikaj

PROLOG

Janë disa ngjarje në historinë e Shqipërisë Komuniste që nuk mund të harrohen.

Të ndodhura në rrethana të pabesueshme ato ngelen si një obelisk “i gjallë” kujtesë për breza të tërë.

Pena.al ka për qëllim të rikthejë në vëmendjen e publikut këto ngjarje, të cilat ndoshta për vitet kur ndodhën ishin shumë vështirë të fliteshin dhe aq më tepër të botoheshin në një faqe gazete. Ngjarje të vërteta që patën impakt në shoqërinë e traumatizuar shqiptare të asaj kohe.

…………………………………………………………………………………………………………………………..

(BOMBA E “IMPROVIZUAR”, VITET 80 – 81)

23 MAJ 1981………………………………ORA 21:00 – 21:10

Një shpërthim bombe në brendësi të ambasadës jugosllave, e cila ndodhej në rrugën e Durrësit u dëgjua ditën e 23 Majit të vitit 1981 rreth orës 21:00 të mbrëmjes.

Shpërthimi ndodhi në pjesën e mbrapme të ambasadës, afër disa apartamenteve që ishin pranë murit rrethues. Në një nga ato apartamente, Sigurimi i Shtetit kishte “një pikë survejimi”, pasi përgjonte lëvizjet në atë kohë në ambasadën jugosllave.

Menjëherë pas kësaj ndodhie u krijua grupi hetimor nga Shteti Shqiptar, pasi pala jugosllave ngriti pretendimin që kjo “shashkë”, pasi as bombë nuk mund të quhej, ishte hedhur nga elementë shqiptarë si provokim. Mbas kqyrjes së vendit të ngjarjes, u gjet “këmisha e gëzhojës”, kapsolla, e cila ishte e prodhimit jugosllav dhe polak. Ky fakt hidhte poshtë pretendimin jugosllav pasi në Shqipëri nuk gjendej municion ushtarak i këtij prodhimi.

Interesant ishte fakti që në momentin e hetimit, në vendin e ngjarjes pati ndërhyrje tek grupi hetimor nga një punonjës i ambasadës, i cili fliste mjaft mirë shqip. Ai ju drejtua grupit shqiptar hetimor me shprehjen: “Nuk ka pse heshtni më… gjithçka është e qartë… bomba është hedhur nga jashtë… ky është një provokim i rëndë”!

Shefi i grupit hetimor në atë moment ju drejtua atij me fjalët: “Ju lutem zotëri… na lini të bëjmë detyrën”!

Pati një version sikur mund të ishte hedhur nga një kosovar i ardhur enkas nga Turqia, por ky version ra mbas hetimeve të nevojshme.

Më vonë u bë një notë verbale nga perfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme Shqiptare të asaj kohe, Bashkim Pitarka drejtuar Qeverise Jugosllave si provokacion i ulët i tyre, i cili lidhej direkt me ngjarjet e Kosovës. Vlen të theksohet se në atë kohë kishte shpërthyer revolta e popullit kosovar në Jugosllavi me protestat e famshme të studentëve, që tronditën shtetin jugosllav dhe u bënë të njohura në mbarë botën perëndimore.

Disa muaj më vonë u vendos që të bëhej dhe një ballafaqim midis palës jugosllave dhe shqiptare në Podgoricë, ku do të paraqiteshin pretendimet bilaterale, por pala jugosllave nuk u paraqit.

Konkluzioni ishte: Provokim i palës jugosllave për tju kundërpërgjigjur Lëvizjes të shqiptarëve të Kosovës për Pavarësi./Pena.al

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x