13.5 C
Tirana
15 / 02 / 2026

HISTORI TË PARRËFYERA/ “Izolimi i madh i Shqipërisë”

Nga Genci Gjikaj

PROLOG

Janë disa ngjarje në historinë e Shqipërisë Komuniste që nuk mund të harrohen.

Të ndodhura në rrethana të pabesueshme ato ngelen si një obelisk “i gjallë” kujtese për breza të tërë.

Pena.al ka për qëllim të rikthejë në vëmendjen e publikut këto ngjarje, të cilat ndoshta për vitet kur ndodhën ishin shumë vështirë të fliteshin dhe aq më tepër të botoheshin në një faqe gazete. Ngjarje të vërteta që patën impakt në shoqërinë e traumatizuar shqiptare të asaj kohe.

…………………………………………………………………………………………………………………………..

“IZOLIMI I MADH I SHQIPËRISË”, VITET 60

Zhvillimet në Shqipërinë Komuniste në vitet 60 kanë qenë mjaft interesante. Ngjarja kryesore ishte ndarja e Shqipërisë nga B.S, ngjarje kjo e cila u pasqyrua në zhvillime radikale të brendshme por dhe në konfigurimin ndërkombëtar të vendit tonë, zhvillime këto që lanë gjurmë dhe më vonë.

Le ti marrim gjërat me radhë…

ZHVILLIME TË JASHTME

“Grushti i shtetit të kolonelëve në Greqi më 21 prill 1967”

Kjo lëvizje, për një periudhë tensionoi situatën jo vetëm brenda shtetit fqinj, por edhe në marrëdhëniet mes dy vendeve. Kjo sepse Junta, për të larguar vëmendjen nga zhvillimet e brendshme, ringjalli frymën rivendikuese ndaj fqinjëve si problemin e Vorioepirit, çështjen e Qipros, shelfin dhe kontrollin e hapësirës ajrore me Turqinë etj. Grushti i shtetit në Greqi hodhi dritë se plane të tilla për përballimin e rrezikut të mundshëm të forcimit të forcave të majta brenda vendeve të NATO-s (përmes grushteve të shtetit të ushtarakëve), ekzistonin edhe në vende të tjera si Itali (me P-2), Turqi, Belgjikë.

“Lufta izraelito-arabe e fillimit të qershorit 1967”

Kjo ngjarje e tensionoi edhe më shumë situatën ndërkombëtare. Ndonëse zhvillohej jo pranë kufijve tanë, ajo u ndoq me shumë vëmendje pasi i vuri superfuqitë e kohës dhe paktet respektive në gjendje tensioni. Pellgu i Mesdheut u shndërrua në një rajon me një prezencë të madhe ushtarake, jashtë normales dhe në prag konfrontimi. Furnizimet ushtarake ruse, por edhe amerikane nga Evropa, kalonin në korridore shumë afër vendit tonë.

“Tendencat centrifugale në bllokun lindor”

Vende si Çekosllovakia, Polonia, Rumania shfaqën haptazi pakënaqësinë ndaj Bashkimit Sovjetik si lider i Bllokut Lindor. Ata nuk binin dakord me Brezhnjevin dhe teorine e tij të “sovranitetit të kufizuar”, teori që kërcënonte hapur, jo vetëm shtetet e sipërpërmendura, por edhe Jugosllavinë e cila i kishte ikur kësaj tutele para kohe dhe ishte në kufi me Shqipërinë.

“Kërcënimet sovjetike ndaj Evropës Perëndimore”

Kërcënimet sovjetike më vonë u pasuan edhe me publikimin e një plani ushtarak të Traktatit Varshavës, që parashikonte drejtimet e mësymjes përmes Austrisë e Jugosllavisë për të dalë në Italinë Veriore e Mesdhe.

“Rusia pushton Çekosllovakinë”

Në gushtin e vitit 1968, Rusia ndërmori një ofensivë kundrejt Çekosllovakisë duke e pushtuar atë, sipas tyre në kuadër të Traktatit të Varshavës. Ky ishte një sinjal të qartë se Rusia kërkonte të mbante me forcë zonat e saj të influencës të krijuara pas Luftës së Dytë Botërore, madje të rikthente edhe ato që i kishin shpëtuar më parë si Jugosllavia, Shqipëria por edhe Austria. Kjo gjë me të drejtë mund të gjykohej jo më tashmë si një kërcënim ndaj vendit tonë e Ballkanit në tërësi, por si një rrezik real imediat për të gjithë këto vende. Kjo në një farë mënyre bëri që këto vende të mendonin për mundësinë e përballimit të përbashkët të kësaj situate, që natyrisht solli një klimë afrimi, mirëkuptimi, tolerimi mes tyre. Por duke pasur parasysh të shkuarën konfliktuale, rivendosja e një besimi reciprok karakterizohej nga një skepticizëm tipik ballkanik.

“Në vitin 1968 pati edhe zhvillime brenda Jugosllavisë

Kemi lëvizjen e parë të rinisë dhe studentëve në Tetovë e Dibër të Maqedonisë, gjë që tronditi situatën ndëretnike të Jugosllavisë. Këto zhvillime mund të konsideroheshin si ngjarje në shtetin fqinj po aq sa edhe prekje e shqiptarëve në trojet tona përtej kufijve shtetërorë.

ZHVILLIME TË BRENDSHME

E gjithë kjo situatë, sidomos ajo e ndarjes nga B.S dhe largimi nga Traktati i Varshavës solli nje reagim nga diktatori Enver Hoxha, i cili filloi të merrte masa drastike për forcimin e situatës së brendshme dhe largimin me çdo mënyrë të pakënaqësive që kishin lindur brenda vendit, sidomos nga elita ushtarake e cila ishte lidhur shumë me natyrën e punës me Bashkimin Sovjetik, mos harrojmë që shumë drejtues ushtarak kishin mbaruar studimet atje. Prandaj kjo periudhë brenda vendit u karakterizua nga një sërë reformash e nismash radikale, që padyshim u shoqëruan edhe me masa të jashtëzakonshme.

Ndër to, po permendim disa nga më kryesoret:

“Heqja e gradave në ushtri”

Enver Hoxha i druhej reagimit të drejtuesve të ushtrisë prandaj i zhveshi ata nga vlerësimi dhe hierarkia që pasqyrohej dhe në uniformën e tyre ushtarake. Në atë kohë pati reagim, vlen të përmendet ngjarja e Halim Xhelos, por për këtë do të flasim në një shkrim tjetër.

“Heqja e fesë dhe shkatërrimi i institucioneve fetare”

Diktatori i druhej përfaqësuesëve fetarë dhe reagimit të tyre, për këtë arsye në atë kohë ndërmori një nga aktet më makabër në historinë e Shqipërisë dhe të njerëzimit duke shkatërruar objektet fetare, duke persekutuar, burgosur dhe pushkatuar përfaqësuesit më elitarë dhe të shkolluar të fesë, duke i akuzuar ata si armiq të popullit dhe si bashkëpunëtorë të “reaksionit të jashtëm”.

“Masat për revolucionarizimin e partisë”

Lufta kundër burokracisë (jo për parimin, por për mënyrën sesi u realizua), kontrollin fshatar-punëtor etj, godiste sërish pjesën intelektuale të vendit duke i depersonalizuar ata.

“Zbatimi i revolucionit kulturor kinez”

Në atë kohë pasi ndërkombëtarisht pa përkrahje Enver Hoxha gjeti mbështetje tek Mao Ce Duni. Nga ana tjetër Kina kishte interesat e saj për një aleat strategjik në Ballkanin Perëndimor i cili kufizohej dhe nga shtete perëndimore si Greqia dhe Italia. Për këtë arsye Enver Hoxha filloi të zbatonte në atë kohë në Shqipëri teorinë “e revolucionit kulturor kinez”, njëtrajtëshmëria në veshje, sjellje, mënyren e paraqitjes në punë, kodin moral etj.

“Fillimi i fortifikimit i të gjithë vendit”

Në fund të viteve 60, Enver Hoxha filloi të zbatonte planin për fortifikimin e të gjithë vendit me teoritë absurde të pushtimeve imagjinare nga armiku i jashtëm dhe se Shqiperia duhet të kthehej në një “kështjellë çeliku”. Ky fenomen vazhdoi për një periudhe të gjatë deri në vdekjen e Enver Hoxhës në vitin 1985. Qëllimin e vërtetë të këtyre nismave si dhe thellimin e tyre në ekstrem, do ta kemi vetëm pas pak viteve, kur filluan goditjet në kulturë, ekonomi dhe ushtri, duke “prerë” një seri kokash nga Byroja Politike dhe Komiteti Qendror.

Pas këtyre fushatave lindi dhe u zhvillua edhe paranoja qëllimisht nga Enver Hoxha se grupe armiqësore po komplotonin për rrëzimin e diktatures së proletariatit dhe eleminimin e udhëheqjes së partisë.Të gjitha këto, por edhe të tjera që nuk po i përmendim se janë shumë, në proçesin e implementimit sollën drama individuale, përkeqësuan klimën sociale, tensionuan drejtimin e shtetit dhe shtuan vështirësitë.

Prandaj bazuar në këto fakte mund të themi se “Izolimi i Madh i Shqiperisë” filloi pikërisht në vitet 60 dhe pasojat që sollën më vonë këto ngjarje në jetën politike dhe ekonomike të vendit janë prezente dhe në ditët e sotme.

Pena.al

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x