Pas shpalljes “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ish kryeministri Berisha është një ndër personat më të përfolur për hetime nga SPAK. Drejtuesi i këtij institucioni tregon si po hetohet Berisha dhe për çfarë.
“Arben Kraja: Kemi çështje në hetim që lidhen me ngjarjen e Gërdecit, ku humbën jetën fatkeqësisht 26 njerëz. Kemi çështje që lidhen me lobingun e partive politike, të cilat po i hetojmë. Në lidhje me Gërdecin, hetimet janë komplekse. Ka vështirësitë e veta, është kohë e gjatë që ka kaluar, por do të sqarojmë të gjitha rrethanat çfarë ka ndodhur brenda mundësive që kemi.”
Pjesë nga intervista
Elona Meço: Po hetoni ish kryeministrin Berisha dhe ish ministrat e kohës?
Arben Kraja: Ne po hetojmë ngjarjen. Ish Ministri i Mbrojtjes është me statusin e personit në hetim për shpërdorim detyre, sepse atë status ka patur, por u pezullua për arsye të imunitetit, ndërkohë pjesën tjetër po e hetojmë dhe nëse do të ketë prova, patjetër që do të ketë dhe akuza për atë që do të provohet.
Elona Meço- Një çështje për ish kryeministrin Berisha ka nën hetim, nisur nga deklarata e Departamentit amerikan të Shtetit për shpalljen e tij non grata?
Arben Kraja: Të mos i marrim të personalizuara. Ka çështje për fakte konkrete për të cilat pretendohet se mund të ketë përfshirje edhe ish kryeministri apo ish presidenti. Diskutohet çështja e Gërdecit, që po hetohet, është publike dhe diskutohet çështja e privatizimit të kompleksit “Partizani”, që janë përfshirë familjarë të tij. Çështjet janë në hetim dhe unë nuk mund të them asgjë më shumë.
Elona Meço: A i përgjigjen këto hetime deklaratës që ka bërë Departamenti i Shtetit, janë mjaftueshëm?
Arben Kraja: Ne nuk merremi me deklarata, duhet të më mirëkuptoni. Deklaratat janë deklarata politike, janë mbi baza të tjera.
Elona Meço: Por Departamenti flet për korrupsion në nivel domethënës.
Arben Kraja: Deklaratat janë të qeverisë së SHBA, ndërkohë ne hetojmë çështje penale në Shqipëri dhe nuk kemi dalë në konkluzion as po, as jo në lidhje me ato deklarata.
Elona Meço: A keni marrë kontakt me SHBA për të marrë të dhëna shtesë prej tyre?
Arben Kraja: Nuk kam ndonjë koment për të bërë për këtë.