Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po mbahet në paraburgim në Hagë, aktualisht gjendet në Kosovë.
Lajmi në fjalë është konfirmuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Vizita e tij në Kosovë, siç ka konfirmuara Gjykata Speciale në Hagë, po realizohet për “arsye humanitare”.
Aktualisht Thaçi gjendet në vendlindjen e tij në Burojë për shkak të gjendjes shëndetësore të babait të tij.
“Trupi Gjykues për arsye humanitare ka udhëzuar Sekretarinë që të menaxhojë vizitë paraburgimi në Kosovë, për takimin e Hashim Thaçit me familjen. I akuzuari mbetet në paraburgim dhe nën përcjelljen e Dhomave të Specializuara”, thuhet në njoftimin e Speciales.
Specialja ka bërë të ditur se Thaçi është nën përcjellje të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it në vizitën që po realizon te babai.
Kjo është hera e dytë që Thaçi vjen te familja e tij për shkak të gjendjes shëndetësore të prindërve.
Atë kohë Thaçi kishte qëndruar vetëm disa orë në Kosovë për të vizituar nënën e cila kishte probleme shëndetësore.