1.5 C
Tirana
03 / 12 / 2024

Gra si ti/ Ira Kurti, programuesja web që dëshiron të thjeshtojë jetën e të gjithëve.

Mund të biesh në dashuri me shikim të parë me një person, por edhe me një program kompjuterik. Kështu i ka ndodhur Ira Kurtit, studentes së Informatikës Ekonomike që vendosi t’i kushtohej programimit dhe zhvillimit të softuerëve, pasi njohur programin Java dhe atë Web. “Për sa kohë ke pasion dhe dëshirë asnjë gjë nuk është e pamundur, pavarësisht stereotipeve se informatika është një degë për djem e vajzat nuk e bëjnë dot”, thotë Ira,  që punon pranë një prej kompanive më të mëdha të transformimit digjital. Mësoni më shumë mbi rrugëtimin e Irës dhe fushën e saj të ekspertizës në intervistën më poshtë.

Ira, ti je një e re me pasione të shumta sic janë udhëtimi, leximi, dizajni dhe coach-ing, por kryesori i këtyre pasioneve është kodimi. Mund të na thuash cfarë të shtyu drejt kodimit apo zhvillimit të softuereve? Është një degë që ti e lëvron tashmë profesionalisht prej vitesh pranë kompanive të biznesit.

E gjithë kjo nisi gjatë kohës së studimeve, kur unë zgjodha degën ku doja që të studioja. Ishte dega e Informatikës Ekonomike, që në atë kohë ishte pothuajse e re, sepse kishte disa vite që ishte futur në treg. Gjatë gjithë kohës së studimeve e kuptova që dëshira ime anohej nga kodimi, kështu që vendosa që edhe më tej gjatë karrierës sime të ndiqja këtë pjesë.

Ti ke studiuar Informatikë Ekonomike, pranë Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tiranës. Je diplomuar në vitin 2017 dhe je specializuar në një master po tek i njëjti fakultet për sistemet e informacionit. Pse zgjodhe që ti qaseshe IT nga ekonomia, pra pse Informatikën Ekonomike dhe jo degë të tjera që janë IT puro, sic mund të jetë Programimi te Shkencat pranë UPT?

Zgjodha këtë degë duke patur parasysh që te Informatika Ekonomike ishte e përfshirë edhe pjesa e ekonomisë, mendova se kjo do të më ndihmonte në të ardhmen. Duke marrë parasysh edhe lëndët e tjera që ne zhvillonim atje, si përshembull statistika , matematika, të gjitha këto më bënë që të mendoja që unë do isha më e formuar në të ardhmen, prandaj mendoj se ishte një zgjedhje e mirë, të cilën unë e kisha dëshirë.

Nëqoftëse mund të pyes, cila ishte gjëja që të pëlqente më shumë kur studioje në Informatikë Ekonomike? Unë kam studiuar Informatikë Ekonomike vet dhe mund të them që lënda ime e preferuar ishte matematika dhe algoritmika. Cilat kanë qënë për ty dhe pse?

Të miat kanë qënë Java dhe Programimi ëeb, gjë të cilën punoj aktualisht. Nuk e di, ishte dashuri me shikim të parë le të themi.

Pas mbarimit të studimeve ti ke punuar në dy kompani biznesi, njëra vepronte në fushën eshëndetësisë, ndërsa tjetra në fushën e transportit ajror siç është Lufthansa. Lufthansa dhe Industry Solutions është një kompani që është e rëndësishme në tregun shqiptar. Mund të themi se profesioni që ti ke zgjedhur të çosh përpara është nga ata që ka sukses në çdo lloj industrie, dhe cfarë bën saktësisht një zhvillues softueri?

Po, ka rëndësi në gjithë industritë, pasi siç e vumë re edhe pas pandemisë pothuajse çdo gjë kaloi online. Kështu që besoj në të gjitha fushat ka një program që përdoret për të lehtësuar çfarëdolloj procesi të jetës së përditshme. Tani kërkesa është rritur më së shumti, është gjithmonë e më e madhe. Kjo është diçka që mua më pëlqen, e bëj me pasion. Ndërsa për sa i përket zhvilluesit të softuarëve , është një profesion dinamik le të themi, sepse një zhvillues merret që nga dizenjimi i aplikacionit deri te zhvillimi dhe hedhja e tij në treg.Gjithashtu, në momentin që produkti del në treg dhe ka një përdorues fundor, në bazë të feedback-ut që ne marrim ose të kërkesave të tyre mundohemi që t’i përshtasim, t’i rregullojmë, t’i shtojmë feature të reja.

Cila është pjesa jote e preferuar në këtë process, në këtë zinxhir hallkash?

Pjesa ime e preferuar është dizajni. Si dizajni vizual ashtu edhe gjithe procesi i mendimit, brainstorming.

Pra, një punë që është në grup besoj, është në skuadër?

Varet sepse ka edhe projekte individuale, por më së shumti në grup.

Vitet e fundit ka një rritje të numrit të vajzave që studiojnë kodim apo programim. Si e mban mend veten tënde në universitet? Si ishte përbërja e klasës, më shumë vajza apo më shumë djem, apo një numër i barabartë? Cilat ishin planet e tua dhe të bashkëmoshatarëve të tu për karrierën pas universitetit? Kishte ndonjë rivalitet mes gjinive apo ishte thjesht rivalitet mes studentëve?

Me sa mbaj mend, kur kam qënë akoma me studime në grupin tim ka pasur më shumë vajza sesa djem. Po gjithsesi nuk mendoj se kjo ka të bëjë me profesionin, që pavarësisht se është IT, nuk ka ndarje djem apo vajza. Pavarësisht stereotipit që informatika është degë për djem, vajzat nuk e bëjnë dot. Unë mendoj se për sa kohë ke pasion edhe dëshirë, asgjë s’është e pamundur. Ndërsa për sa i përket rivalitetit, ne nuk kemi pasur rivalitet si grup, sepse ishim shume të unifikuar dhe gjithmonë përpiqeshim që ta ndihmonim njëri-tjetrin. Edhe në momentet që kishte gjëra që nuk i dinim, i diskutonim, jepnim idetë tona.

Po planet për karrierë si kanë qënë mes bashkëmoshatarëve të tu?

Ishin të ndryshme, sepse disa kërkonin të vazhdonin më tej pjesën akademike, disa donin të fillonin punë, disa donin të shkonin jashtë shtetit për të kryer studime të mëtejshme. Disa prej tyre janë larguar tashmë, kështu që besoj se të gjithë janë aty ku kanë dashur.

Është një gjë shumë e mirë. A ke një model që do ti ngjash dhe cili është objektivi yt për pjesën e karrierës profesionale? Do të krijosh gjëra vetë, sepse na the pak më parë që të pëlqen dizajni? E sheh që do të punosh në kompani që janë tashmë të mirëvendosura në treg, apo në startup-e apo të krijosh diçka tënden?

Për sa i përket modelit nuk kam një model të vetëm, sepse nga të gjithë njerëzit që kam rrotull ose bashkëpunoj, përpiqem që të marr gjërat më mira, që të krijoj një model me të gjitha të mirat e njerëzve. Ndërsa, përsa i përket pjesës së të ardhmes, nuk është se kam një plan të caktuar, por që gjatë gjithë kohës përpiqem që dëshirat dhe pasionet e mia të mos i le pas dore. Përshembull, pjesën e dizajnit, sa herë që kërkohet përpiqem që ta vë në zbatim. Mund të them që deri tani jam marrë me disa projekte të tilla, që kanë rezultuar të suksesshme, kështu që besoj se do ta vazhdoj edhe në të ardhmen.

Informatika, teknologjia dhe dixhitalizimi janë dicka që ecin shumë shpejt, zhvillohen shpejt. Ne dëgjojmë që teknologjia ecën më shpejt se ç mund të jetë e kapshme nga njerzit. Si e shikon ti këtë pjesë? Çfarë bën ti për të mbajtur veten të përditësuar, për të qënë gjithmonë në krye të valës së informacionit që sigurisht ndihmon për karrierën dhe zhvillimin tënd profesional dhe personal?

Për sa i përket pjesës së update-ve mendoj se pavarësisht se informatika është shumë e gjerë, po të ofron gjithashtu shumë mundësi për tu update-uar ka pafund aplikacione, rrjete që ti mund të marrësh informacionet që kërkon. Unë vazhdimisht ndjek trajnime, të cilat na kërkohen edhe nga puna për arsye të profesionit, sepse  update-t janë shumë të shpeshta. Ndjek trajnime online, shikoj emisione të ndryshme që kanë lidhje me teknologjinë, aplikacione që ofrojnë informacion.

Ti zgjodhe që të bësh masterin në të njëjtin fakultet ku mbarove dhe studimet bachelor. E sheh në një të ardhme të mesme apo të largët të vazhdosh zhvillimin akademik, ndoshta një doktoraturë më vonë, më pas një post-doktoraturë? Pse vendose që të ndiqje programin master pranë Fakultetit të Ekonomisë?

Për sa i përket ndjekjes së masterit aty, mund të them që mësimdhënia gjatë viteve të bachelor-t më ka pëlqyer dhe mendoj që çdokush që do të mësojë, kudo që të jetë do t’ia dali, prandaj vendosa që ti ndiqja studimet aty. Ndërsa për sa i përket zhvillimit të mëtejshëm akademik, pse jo, mundësia është e hapur.

Mendon të vazhdosh në të njëjtën fushë, domethënë zhvillim e programeve dhe kodimin apo për doktoraturë diçka më teorike?

Mendoj se praktike, sepse teoria nëse nuk vihet ne praktikë mbetet thjesht teori.  Madje kjo është një nga arsyet pse nuk e kam vazhduar menjëherë, sepse doja të kuptoja çfarë doja vërtet që të bëja dhe thellohesha atje.

Kjo mund të shërbejë edhe si një këshillë shumë e mirë për të rinjë: nuhasni, eksperimentoni tregun e punës të shihni cfarë ndodh në praktikë.

Mund të na flasësh pak për pjesën jashtë profesionit, jashtë kodimit, për shoqërinë tënde? Çfarë profesionesh kanë miqtë e tu dhe nëse janë jashtë fushës tënde,  a të “bien ndonjëherë më qafë” për të rregulluar telefonin, kompjuterin apo familja? Mua përshembull, pasi mbarova studimet, por edhe gjatë kohës që isha studente, më thoshin mu dogj kabëlli për filan gjë, nuk më ndizet televiyori, më merrnin në telefon për të pyetur çfarë ka telefoni im. 

Shoqërinë kryesisht e kam të së njëjtës fushë, por nuk mungojnë as ata të fushave të tjera si juridik, ekonomik, financë. Janë edhe familjarët që në çdo rast unë jam e para që kontaktojnë, po pyetja më e zakonshme është “a di ta gjesh passëordin”. Besoj se njerëzit kur ti ke mbaruar informatikë të mendojnë me superfuqi, por që në fakt jo, nuk është kështu.

Jemi në pyetjen e fundit, cila është motoja jote në jetë? Çfarë të udhëheq ty si profesionalisht, ashtu edhe personalisht, që të frymëzon, por gjithashtu mund të frymëzojë dhe ata që po na dëgjojnë?

Erdhi shumë shpejt fundi. Një shprehje që mua më pëlqen shumë është nga Leonardo da Vinci “Thjeshtësia është sofistikimi më i madh”. Të gjithë njerëzit që më njohin e dinë që unë jam një njeri shumë i thjeshtë dhe përpiqem që gjërat që bëj, ti bëj me thjeshtësi, por në mënyrë perfekte. Mendoj që kjo shprehje më karakterizon, prandaj më pëlqen që ta ndjek. 

Kjo është e rëndësishme dhe për kodimin, sa më i thjeshtë aq më i mirë. 

Po, pavarësisht se duken shumë të komplikuara në pamje të parë, idea është të thjeshtësojnë proceset. 

Podcastin e plotë me Ira Kurtin mund ta ndiqni këtu.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x