Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar padinë e deputetëve të opozitës për Portin Turistik të Durrësit. Me vendimin e marrë këtë të premte, Kushtetuesja ka rrëzuar kërkesën e 37 deputetëve të opozitës, të cilët kërkonin shfuqizimin e marrëveshjes me Emiratet e Bashkuara Arabe. Kështu, nuk do të ketë më asnjë pengesë për ndërtimin e projektit të marinës.
Grupi i deputetëve kërkoi në padinë mbi 40 faqe, që të pezullohej zbatimi i atij ligji, derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi, sepse, sipas tyre, është i papajtueshëm me parashikimet e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, si dhe marrëveshje ndërkombëtare të detyrueshme për Shqipërinë.
Kërkesa u dorëzua në Gjykatën Kushtetuese nga Oerd Bylykbashi përfaqësues i Partisë Demokratike, pas dyshimeve për korrupsion me planet për ndërtimin e Portit të Durrësit, të cilat, sipas tij, po miratohen pa transparencë dhe pa konkurrime të hapura.

Ligji ratifikues i marrëveshjes bazë me fuqi 10 vjeçare parashikon një seri lehtësirash bazuar në marrëveshjen për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve mes dy vendeve.
Marrëveshja flet për një fushë të gjerë bashkëpunimi në ekonomi, bujqësi, turizëm. Ajo u miratua nga qeveria në fund të nëntorit të vitit 2020 dhe brenda një jave u miratua në Kuvend me 91 vota pro, 5 kundër e 4 abstenim, në kohën kur Partia Demokratike braktisi institucionin ligjvënës dhe u përpoq të digjte mandatet e deputetëve të saj.
Sipas qeverisë shqiptare, investimi për ndërtimin e Portit të Durrësit parashikohet të shkojë në 2 miliardë dollarë, por opozita dyshon për një aferë korruptive të përmasave të mëdha.
Marrëveshja u nënshkrua më 11 gusht mes palëve dhe qeveria e solli në Kuvend, ku u prit me kritika e dyshime nga opozita, sapo u mësua se ajo po futej në procedurë të përshpejtuar.
Marrëveshja ka një jetëgjatësi prej 35 vitesh, ndërsa përfundimi total i realizimit të projektit zgjat 20 vite.
- Cili do ta fitojë i pari luftën, Bordi i Paqes apo Bordi i Transparencës?! - 31/03/2026
- Nga Moglica tek linja me Kosovën, tre projektet energjetike që Shqipëria çon tek BE-ja për financim - 17/03/2026
- “Jemi të gatshëm për bashkëpunim me Trump”, Macron ndryshon qëndrimin për Ngushticën e Hormuzit - 17/03/2026